“Ka miratimin e Moskës”/ Millorad Dodik zbulon hapur projektin serb për rrënimin e pavarësisë së Kosovës

Politika

“Ka miratimin e Moskës”/ Millorad Dodik zbulon hapur projektin serb për rrënimin e pavarësisë së Kosovës

Nga: Petrit Rudi Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 08:11
Millorad Dodik

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, përmes një prononcimi për gazetën “Bota sot” ka komentuar thirrjen e Milorad Dodikut për krijimin e Serbisë së Madhe.

Sipas Bytyçit, Dodik zbuloi hapur projektin për rrënimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik, është një ndër të rrallët politikanë serbë që nuk fsheh qëllimet e tij. Përpiqet të shfaqë dhëmbët e ujkut. Prandaj dhe ai u deklarua hapur se cila është politika dhe cilat janë qëllimet e tij. – Tha se punon për të krijuar Serbinë e Madhe ose atë që quhet Bota serbe, në të cilën të bëjnë pjesë Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës e Mali i Zi. Ndërsa Kosovën ai vazhdon ta konsiderojë si pjesë të shtetit e sovranitetit serb. Kosova për të është territor serb dhe që sipas tij nuk ka shans të jetë ndryshe. Shkurt, Milorad Dodik zbuloi hapur projektin serb të rrënimit të pavarësisë së Kosovës, të Malit të Zi dhe shkatërrimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, duke shkallmuar vendimet e Dayton-it”, thotë Bytyçi.

Ai deklaron se kjo ide e Dodik vjen pak javë pas vizitës së Dodikut në Kremlin dhe takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Me këtë kuptojmë lehtë faktin se ky projekt i lansuar nga shefi i serbëve të Bosnjës ka miratimin e Moskës. Në fakt Rusia dhe presidenti rus prej kohësh punojnë për projekte të tilla dhe krijimin e një vatre të konfliktit në Ballkan. Dhe është interesant se në deklaratën e Dodik ka edhe diçka tjetër. Ai thotë se do vendoset një rend i ri politik në botë dhe se duhet shfrytëzuar rasti që Serbia të përfitojë prej tij për të krijuar Serbinë e Madhe. Mesa duket atij ia ka mbushur mendjen Vladimir Putin se “Rusia do ta fitoka luftën në Ukrainë dhe kësisoj do të imponojë këtë rend të ri botëror”!”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyci

“Unë besoj se edhe Aleksandër Vuçiç beson pikërisht në këtë formulë. Shpreson se Serbia do të jetë pas luftës në Ukrainë e Lindjen e Mesme një vend me avantazhet e periudhës së pas Luftës së Parë e të pas Luftës së Dytë Botërore. Pra se do ta ruajë pozitën dominuese në Ballkan e do të luajë rolin e shkopit të dirigjentit për rajonin tonë. Vuçiç bëri edhe një veprim tjetër të hapur pro-rus e destabilizues. Shpalli aleancën e tij me partinë e Vojisllav Shejshelit për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit. Në fakt me ish-partinë e tij. U rikthye në pozicionin e viteve kur kishte veshur uniformën e ustashëve serbë në luftë kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi thotë se në të gjitha takimet më ndërkombëtarët, Vuçiq po gënjen pasi synon hapur territoret e Kosovës.

“Ndërsa kundërshtitë për të pranuar projektin evropian të Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, janë thjesht manipulim i presidentit të Serbisë. Vuçiç i justifikon kundërshtitë e tij me Evropën përmes një rrufjanizmi tipik serb të stilit të gënjeshtrës, siç e trajton Dobrica Qosiç. Pra, gjithnjë, në çdo takim me personalitetet evropiane dhe amerikane, ai gënjen. Por gënjen në menyrë kreative. Gjen në çdo rast një arsye të re pse kundërshton. Dhe e gjitha ndodh në pritje të atij rendit të ri botëror, ku “Rusia do kishte rol parësor” me qëllim që Serbia të ripushtojë territoret e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ç’është e vërteta presidenti serb deri tani ia ka arritur që çdo gënjeshtër ta injektojë si të besueshme dhe të vërtetë nga ana e autoriteve euro-amerikane. Shihni me sa këmbëngulje ia përmendin Kosovës disa evropianë marrëveshjen Thaçi-Daçiç për Asociacioni. Ose marrëveshjen Mustafa-Vuçiç të 2015-ës. Sepse mashtrimet e presidentit të Serbisë kanë funksionuar. Në kushtet kur Evropa dëshmon solidaritet me gënjeshtrat e Aleksandër Vuçiç, pse ky i fundit duhet të mendojë dhe veprojë ndryshe nga Milorad Dodik?! Pse do të duhej të pajtohej me realitetin e ekzistencës së pavarësisë së Kosovës?! Ai vazhdon të ketë vetëm një dilemë: - Duhet të përpiqet ta rikthejë në zanafillë edhe njëherë diskutimin për statusin e Kosovës, apo duhet të shkëpusë territoret e veriut të saj dhe ti aneksojë ato?”, nënvizon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se Qeveria e Kosovës dhe presidentja e vendit nuk duhet të ndalojnë së kërkuari që Serbisë dhe presidentit të saj ti çirret maska e gënjeshtrave.

“Nuk duhet të ndalojnë të argumentojnë e provojnë përfshirjen e Vuçiç, qeverisë, ushtrisë dhe shërbimit sekret serb në akte terroriste e destabilizuese në Kosovë. Dhe duhet të kërkojnë ndëshkim për të. Vetëm nëse del e vërteta lakuriq me të cilën Serbia vihet para përgjegjësisë, vetëm në atë rast, Kosova e bën Perëndimin të vihet plotësisht e jo pjesërisht në anën e saj!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat