Detaji që Kurti zbuloi për takimet me ndërkombëtarët/ Analistët kanë këtë thirrje publike!

Politika

Detaji që Kurti zbuloi për takimet me ndërkombëtarët/ Analistët kanë këtë thirrje publike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 nëntor 2023 Në ora: 19:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës ka folur për qëndrimin e Kosovës për të nënshkruar marrëveshjen bazike, aneksin e implementimit dhe propozimin evropian për Asociacionin. 

Kurti thotë se pa nënshkrim s’ka garancë për zbatim të marrëveshjes dhe shprehet se si kryeministër i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar, meqë nënshkrimi është garancë për zbatim. 

Ai ka zbuluar edhe një detaj nga bisedimet në Bruksel duke thënë se ka pasur edhe ide që ta nënshkruajë i vetëm marrëveshjen, por thotë se marrëveshja nënkupton palët kontraktuale dhe se një veprim i tillë do të ishte shou. 

”Contacting parties” thuhet. Ai do të ishte një shou. Duhej të nënshkruanin të dy palët për normalizim, dhe unë konsideroj që Kosova është shtet normal”, ka thënë Kurti. 

Ai ka shtuar se me trashëgiminë që i është lënë në proces, s’është pishman, meqë sipas tij është bërë më e mira. 

Kujtojmë që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. 

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. 

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij. 

Ahmeti: Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen 

Analisti Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, tha që veprimet ndërkombëtare po duken të jenë serioze për një marrëveshje finale. 

“Veprimet e ndërkombëtarëve karshi palëve në dialog po shihen shumë serioze, pasi me çdo kusht po duan marrëveshjen finale”, thotë ai. 

Analisti më tej thekson që duhet të ketë zbatim të marrëveshjeve përndryshe palët duhet të sanksionen. 

“Ditëve të fundit po dalin deklarata nga zyrtarët e lartë që marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen, përndryshe palët duhet të sanksionohen nëse nuk duan t'i  zbatojnë marrëveshjet e arritura”, tha Ahmeti për “Bota sot”. 

Image
Hidajet Ahmeti

Haziri: Kryeministri Kurti po fiton kohë ndaj opozitës që po kërkon projekt-propozimin për draftin e Asociacionit të komunave serbe 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Nexhat Haziri. 

Ai u shpreh se Kurti po mundohet të fitojë kohë me opozitën për kërkimin e projekt-propozimin për draftin e Asociacionit të komunave serbe që iu është dorëzuar faktori ndërkombëtar dhe se ka një mosdakordsi mes liderëve të vendit tonë. 

“Nuk e di pse kryeministri Kurti është aq i dhënë  apo është bërë opsesion nënshkrimi i presidentit serb Vuçiq të kësaj marrëveshje, kur në Bruksel dhe në Uashigton thuhet se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i saj në Ohër, janë valide dhe dhe kanë forcën obligative për të dy shtetet dhe po ashtu kjo garantohet edhe në BE edhe nga SHBA. Dhe krejt kjo është një lojë fjalësh nga kryeministri Kurti për të blerë kohë kur opozita i kërkonte projekt-propozimin për draftin e Asociacionit të komunave serbe që iu është dorëzuar faktori ndërkombëtar, për të cilin liderët shtetëror kanë dhënë vlerësime kontradiktore. Deri sa njeri thotë së është konform ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës, siç është deklaruar krye-kuvendari Konjufca, presidentja ka hedhur dyshime nëse ky projekt-propozim është ashtu siç deklaron z. Konjufca”, u shpreh ai. 

Image
Nexhat Haziri

Më tej, analisti thekson që e mira është që Kosova të procedojë tutje me draftimin e statutit të AKS-së në koordinim dhe bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtar. 

“Por e vërteta qëndron se ky projekt -propozim i draftit për AKS-në është në zyrat e kryeministrit të Kosovës, pa marrë parasysh se ky e mohon një gjë të tillë. Por, e mira është që Kosova të procedojë tutje me draftimin e statutit të AKS-së në koordinim dhe bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtar, dhe në këtë proces s’ka pse të ketë dakordancë me Serbinë, e as nënshkrimi i Vuçiqit, pasi trup ka të bëjë më serbët e Kosovës është çështje e brendshme e Kosovës. Kjo do të na bënte palë konstruktive para faktorit ndërkombëtar  në procesin e dialogut me Serbinë, do të ndihmonte që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja, dhe po ashtu do të kishim një pozicion më të volitshëm në vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë. Kjo e fundit nuk mund t’i ik obligimeve të marra nga marrëveshja e Bruselit dhe aneksi i Ohrit ky është precizuar shumë qartë për njohjen de-fakto të Kosovës dhe kjo po i kërkohet çdo ditë edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni”, nënvizon Haziri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat