Zbardhen prapaskenat e bastisjeve të Speciales në Kosovë - hidhen dyshime të forta mbi dëshminë e Dedajt: Thaçi e ‘bleu’ heshtjen e tij!

Politika

Zbardhen prapaskenat e bastisjeve të Speciales në Kosovë - hidhen dyshime të forta mbi dëshminë e Dedajt: Thaçi e ‘bleu’ heshtjen e tij!

Nga: A.M. Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 22:47
Gjergj Dedaj

Së fundi, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka dëshmuar në Hagë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai kohë më parë kishte akuzuar Hashim Thaçin për maltretim e torturim gjatë luftës në Kosovë, por në dëshmitë e tij në Hagë ai deklaroi krejt të kundërtën.

E për deklaratat kontraverse të Dedaj kishte reagime të shumta, e që shumica ishin kundër tij.

Në lidhje me këtë temë dhe me bastisjet e fundit të Prokurorisë Speciale në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, vlerësoi se bastisjet e fundit nga Prokuroria Speciale kanë qëllime dhe argumente.

“Me urdhër të Zyrës së Prokurorisë Speciale me seli në Hagë, ditë më parë, me ndihmën e EULEX-it dhe policisë së Kosovës, në Kosovë u zhvilluan disa bastisje, që si cak kishin disa këshilltarë, njerëz të afërt dhe të besueshëm të Hashim Thaçit, për të cilët, kjo prokurori kishte pasur dyshime dhe indicie se këta persona kishin vepruar kundër administrimit të drejtësisë.

Dëshiroj të theksoj se, Prokuroria Speciale nuk i ka bërë këto bastisje «krye në vete», por ajo ia ka prezentuar Gjykatës Speciale qëllimet dhe argumentet për këto bastisje, dhe vetëm pas vlerësimeve të provave dhe pretendimeve të prokurorisë, Gjykata ka urdhëruar zhvillimin e këtyre operacioneve, që janë konform ligjit”, deklaroi juristi.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Musliu komentoi edhe kritikat që PDK i bëri në lidhje me këto bastisje, e që ishte pikërisht kjo parti që insistoi themelimin e Gjykatës Speciale.

“Bastisjet në fjalë hasën në kritika të ashpra nga opozita, e sidomos nga krerët e PDK-së, duke i atribuar Gjykatës Speciale epitete nga më të ndryshmet. PDK-ja, e cila ka qenë më e zëshmja në formimin e kësaj gjykate, në një komunikatë për media deklaron se këto bastisje janë tendencioze që shkojnë deri në nivelin e përndjekjes politike, se kjo nuk është drejtësi por persekutim, madje ish këshilltari i Thaçit, Artan Behrami një ditë para bastisjes së tij, kishte deklaruar se Gjykata Speciale është gjykatë fashiste…

Gjatë bastisjes të ish kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj janë gjetur dokumente senzitive, që sipas Prokurorisë Speciale, nuk është dashur ato të gjinden aty, e që kanë të bëjnë me emra të dëshmitarëve, që prokuroria konsideron se ka ndërhyrje në proçesin gjyqësor”, theksoi ai.

Krahas kësaj, juristi nga Belgjika përmendi disa veprime që ndikuan në këto bastisje, e që çdo detaj i tyre ndikon në marrjen e vendimeve.

Ai potencoi faktin se ndërhyrja në process gjyqësor është verpëri penale, për të cilën e pësuan edhe Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.

Veprimet kundër adminstrimit të drejtësisë nënkuptojnë një mori veprimesh që mund të konsistojnë, përveç tjerash, në prishjen e provave, në ndikimin, frikësimin dhe shantazhimin e dëshmitarëve, e që mund t’a influencojnë proçesin gjyqësor, rrjedhimisht mund të ndikojnë në marrjen e vendimeve gjyqësore, sepse gjatë gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, çdo detaj konsiderohet dhe marret parasysh.

Se ndërhyrja në procesin gjyqësor, për Gjykatën Speciale është vepër penale që konsiderohet, n’a mëson rasti i Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit, të cilët para tre vite në publik shpërndanin materiale senzitive të klasifkuara si konfidenciale, që Gjykata Speciale i konsideroi si ndërhyrje në procesin gjyqësor, për çka ata u dënuan me nga katër vjet e gjysëm burgim”, nënvizoi Musliu.

E se si mund të ndikohet në një dëshmitar, ai e përmendi rastin e Dedajt.

Sipas tij, Thaçi e ka blerë heshtjen e tij, ku më pas e emëroi edhe ambasador në RMV, e që tani Dedaj ka ndryshuar rrënjësisht dëshminë e tij.

“Kurse, shembulli më i freskët se si mund të ndikohet në dëshmitarin, është rasti i Gjergj Dedaj, i cili me një delegacion të deputetëve të kohës, në vitin 1998 në Qirez ishin ndalur për dy ditë nga UÇK-ja dhe Hashim Thaçi. Pas lirimit, në një konferencë për shtyp Gjergj Dedaj kishte deklaruar se ata ishin maltretuar fizikisht dhe psiqikisht nga Hashim Thaçi dhe të tjerët, mirëpo Hashim Thaçi e « bleu » heshtjen e tij, duke e emëruar Dedaj si ambasador në Maqedoninë e Veriut. Tani Dedaj është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale, ku në mënyrë spektakulare, rrënjësisht ka ndryshuar dëshminë e tij që e kishte dhënë para EULEX-it vite më parë.

Kritikat e vazhdueshme ndaj Gjykatës Speciale dhe ndërhyrja në administrimin e drejtësisë që vijnë nga politika, në bindjen time të thellë, janë edhe ndër shkaqet që të akuzuarit nuk lejohen të mbrohen në liri, dhe se këto veprime jo vetëm se janë kundërproduktive, por ato, gjykata do t’i konsiderojë si presion ndaj punës së gjykatës, rrjedhimisht ato mund të merren edhe si rrethana vështirësuese për të akuzuarit, e që mund të luajnë, po ashtu, rol edhe në vendimamarrje”, shpjegoi juristi nga Belgjika.

Më tej, Musliu kishte edhe disa fjalë për politikanët që po e kundërshtojnë dhe kritikojnë Specialen.

Ai vlerësoi lartë prokurorët dhe gjyqtarët e kësaj gjykate, derisa tha se janë profesionistë dhe nuk kanë asgjë personale me personat që gjenden në ‘bankën’ e të akuzuarve.

“Politikanët që kritikojnë Gjykatën Speciale, si po duket, janë mësuar me prokuroritë dhe tribunalet e Kosovës, që janë përzgjedhur nga «Pronto» mafia, kur sistemi i drejtësisë punonte dhe ishte tërësisht në funksion dhe dispozicion të mafisë politike, kur dëshmitarët kërcënoheshin, shantazhoheshin dhe zhdukeshin, madje edhe likuidoheshin, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Mënyra e menagjimit të procesit gjyqësor të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, na tregon se çfar drejtësia ka pasur Kosova, respektivisht kuadri i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e ndërkombëtarëve në Hagë, aplikojnë të njëjtat ligje të Kosovës sikurse gjykatat dhe prokuroritë vendore, mirëpo serioziteti, profesionalizmi, kredibiliteti, paanshmëria dhe përkushtimi i kuadrit ndërkombëtar e prodhon besueshmërinë dhe pacenueshmërinë në ndarjen e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale janë profesionistë me integritet, ata nuk kanë asgjë personale me të akuzuarit, por para tyre kanë ligjet e Kosovës që duhet zbatuar, prandaj çdo ndërhyrje në procesin gjyqësor, për të akuzuarit mund të jetë e dëmshme”, potencoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se duhet ndaluar së akuzuar Specialen, pasi që çdo ndërhyrje në këtë proces është i dëmshëm.

“Duke pasur parasysh faktin se, procesi gjyqësor është ende në fillimet e saj, si dhe kompleksitetin, rëndësinë dhe veprat penale, që janë ndër më të rëndat, është e pritshme dhe reale që në vazhdim të këtij procesi të ketë bastisje dhe arrestime tjera.

Mendoj se, gjykatën që vet e formuam, nuk duhet ta akuzojmë, sepse ajo kryen punën konform ligjeve të Kosovës, edhe pse dikujt kjo nuk i pëlqen, ajo ndërmerr veprime që i vlerëson të nevojshme dhe në interes të procesit gjyqësor, prandaj çdo interferim në këtë proces do të jetë i dëmshëm për të akuzuarit, të cilët, për fatin e tyre po paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, po mbrohen nga avokatë të përzgjedhur ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat