Serwer për “Bota sot”: Do të ishte skandaloze nëse drafti i Asociacionit përmban këtë gjë, ja çfarë duhet të bëjnë BE dhe ShBA

Politika

Serwer për “Bota sot”: Do të ishte skandaloze nëse drafti i Asociacionit përmban këtë gjë, ja çfarë duhet të bëjnë BE dhe ShBA

Nga: A.Zh Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 09:36
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, nuk ka dashur të komentojë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky i fundit, sipas ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe i njëjti do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Draft-statuti që iu dha Qeverisë së Kosovës nga Miroslav Lajçaku dhe këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, besoj se i plotëson të gjithë këto kritere të cilat i përmenda. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk kërkon ndryshime kushtetuese. Nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca. Nuk paraqet ndonjë autonomi brenda Kosovës”, ka thënë mbrëmë Hovenier.

E Serwer vlerëson se do të ishte skandaloze, nëse drafti do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Nuk komentoj një tekst që nuk e kam parë. Do të ishte skandaloze nëse drafti përmban kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar profesori amerikan në një përgjigjje për gazetën “Bota sot”.

Ai është pyetur nga gazeta se çfarë do të duhej të kërkonte Kosova nga SHBA-ja dhe BE-ja, në këmbim të Asociacionit.

“Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 në të cilën përfshihej Asociacionin, kishte shumë gjëra që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë njohjen e autoritetit të kushtetutës së Kosovës në tërë territorin e saj.

Beogradi nuk e ka bërë këtë gjë, siç tregoi gjatë polemikës për targat, të bojkotit të zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës, kontrollit të Beogradit të Lista Srpskës dhe tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës”, ka nënvizuar Serwer.

Ai parashikon që nëse Serbia pranon anëtarësimin e Kosovës në BE, ajo do të pranojë de facto Kosovën si dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara (OKB).

“Marrëveshja e vitit 2013 gjithashtu parashikon që Kosova dhe Serbia të aderojnë në Bashkimin Evropian veçmas. Vetëm shtetet sovrane mund të anëtarësohen në BE.

Nëse Serbia vërtet e pranon atë dispozitë, e cila është de facto me njohjen, ajo gjithashtu duhet të jetë e gatshme ta shohë Kosovën të bashkohet në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara”, ka thënë analisti.

Ai ka shtuar se, “nëse BE dhe SHBA janë serioze për marrëveshjet e shkurtit dhe marsit për normalizimin, ato duhet të fillojnë të japin më shumë se Asociacionin”.

Se draft-statuti për Asociacionin nuk përmban kompetenca ekzekutive, e kanë pohuar së fundmi edhe eksperti amerikan Edward Joseph, i cili ka thënë se informalisht ka mësuar se me këtë draft të emisarëve evropianë dhe amerikanë shmanget krijimi i Republikës Srpska në Kosovë.

“Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph.

Të njëjtën e ka pohuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit që pati gjatë kësaj jave me emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialog Miroslav Lajçak.

Sipas tij, ky draft nuk përmban kompetenca ekzekutive dhe në hyrje të tij, shpjegohet se duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në to. Kuptohet që çdo herë i referohet Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, pra Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi. Komentet tona do t’i bëjmë pas shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi në hyrje shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe të gjitha aktetet tjera, dhe çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Haradinaj./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat