Tri vite në Speciale/ Bytyçi tregon se çfarë do të ndodhte me Kosovën po të ishte Thaçi ende president

Politika

Tri vite në Speciale/ Bytyçi tregon se çfarë do të ndodhte me Kosovën po të ishte Thaçi ende president

Nga: P.Rudi Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 08:03
Hashim Thaçi

Janë bërë tri vite që kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij, ku ndër tjerash, e akuzon edhe për vrasjen e anëtarëve te Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E sipas profesor Enver Bytyçi, Hashim Thaçi do të njihet si njeri që në Kosovë nxiti dhe inkurajoi korrupsionin e krimin e organizuar.

“Megjithatë si kryeministër dhe president i Kosovës Hashim Thaçi njihet si lider, i cili nxiti dhe inkurajoi korrupsionin dhe paligjshmërinë, shpërblimet për përkrahësit e tij dhe diskriminimin e kundërshtarëve. Ai ishte arkitekt i përçarjeve në Lidhjen Demokratike, ndërkohë që liderët e kësaj partie besuan ose u korruptuan prej tij. Të gjitha aktet negative në shtetndërtimin e Kosovës, Hashim Thaçi I realizoi duke angazhuar më së shumti disa të keqpërdorur prej tij në LDK, si Isa Mustafën, Skënder Hysenin, Lutfi Hazirin e të tjerë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Siç thotë Bytyçi, Hashim Thaçi e imitoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çka përfundoi edhe në prehrin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Gabimi më i madh i Hashimit ishte imitimi i metodave të përçarjes dhe autoritariste të Rilindjes e Edi Ramës në Shqipëri dhe roli i vasalit ndaj tyre. Kjo e çoi te prehri i Akesandër Vuçiç. Punoi në tri vitet e fundit si president për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në funksion të përfitimit të territoreve nga ana e Serbisë”.

Image
Enver Bytyçi

Më tej, Bytyçi thekson se edhe sot Kosova po i vuan pasojat e Hashim Thaçit.

“Të gjitha vendimmarrjet e zotit Thaçi si kryeministër e si president i Kosovës i kanë krijuar kosto qeverisë pasardhëse të tij, pra qeverisë së zotit Kurti. Kjo kosto është e dukshme në sistemin e drejtësisë, në krijimin e segmenteve të korruptuara në administratën publike dhe në bisedimet me Serbinë. Për shkak të gabimeve dhe në ndonjë rast fajeve të zotit Thaçi Kosova në gati tri vitet e fundit ka hasur shumë vështirësi për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për spastrimin e administratës nga të korruptuarit”, shprehet Bytyçi.

“Por trashëgimia e Thaçit ka krijuar vështirësi shumë herë më të mëdha në dialogun me Beogradin. Sidomos Marrëveshja e 19 prillit 2013 e nënshkruar prej tij me Ivica Daçiç dhe ajo e vitit 2015 për Asociacionin. Këto janë pasojat që Kosova po i vuan ende sot pas tri vitesh si hipotekë e ish-presidentit Thaçi. Dhe kjo duhet ë jetë mësim për çdo lider e politikan. Ata duhet të kuptojnë se përmes korrupsionit, hakmarrjes, përçarjes, vendimeve anti-shtetërore dhe anti-kushtetuese, e dëmtojnë vendin e tyre për një periudhë shumë më të gjatë sesa qëndrimi I tyre në pushtet”, shton profesor Bytyçi.

Ai thotë se në rast së Thaçit do të ishte ende në pushtet, padyshim që Kosova do të ishte pa pjesën veriore, pjesë të cilën Thaçi dëshironte t’ia jepte Serbisë.

“Kjo që ka ndodhur me qeverisjen e zotit Thaçi duhet të jetë së paku mësim për gjeneratën e sotme e gjeneratat e nesërme. Veçmas sa i përket krijimit të një atmosfere pozitive sa u përket qeverisjes. Sepse akte si ajo e angazhimit të Thaçit për ndryshimin e kufijve me Serbinë dhe ndarjen e Kosovës, ato shënohen në histori dhe detyrimisht do të bëhen mësim për jetë e mot. Nëse në këto tri vite do të ishte në pushtet Hashim Thaçi, atëherë Kosova do të ishte sot pa veriun e saj e pasuritë e paçmueshme në këtë territor. Thaçi dhe Vuçiç do ta kishin përfunduar tashmë akordin dhe marrëveshjen për shkëputjen e këtij territori”, shpjegon Enver Bytyçi.

“Nëse Thaçi do vazhdonte të ishte president ose kryeministër i Kosovës, ai do të kishte fortifikuar tashmë oligarkinë financiare, politike e mediatike në Kosovë, në modelin e Edi Ramës në Shqipëri. Do ishte jo thjesht një president ose një kryeministër, por një padishah ose monark i Kosovës. Madje Hashim Thaçi do të justifikonte më mirë se Edi Rama të qenit monark i vendit të tij. Në fund të fundit thoshte se “Unë bëra luftën, ndaj dhe unë jam njeriu i vetëm që marr vendime në emër të sovranit”! Ndërsa Rama nuk kishte nevojë të bënte ndonjë luftë për t’u vetëshpallur monark i Shqipërisë. Por të ishte këto tri vite Hashim Thaçi në pushtet në Kosovë, atëherë të dy monarkët shqiptarë besoj se do të kishin sot grindje midis tyre, se cilit i takon balli I oxhakut”, thotë Bytyçi.

Por fund, Bytyçi tregon edhe se çfarë pret nga Gjykata Speciale, atje ku tashmë ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Për të gjitha këto arsye unë kam qenë i lumtur që zoti Thaçi iku nga pushteti. Port ë them të drejtën, nuk jam aq I lumtur për vuajtjet e tij në Hagë. Do të doja që drejtësia në Kosovë ta kishte bërë detyrën e saj si duhet dhe ndoshta në gjendje të lirë ta hetonte e gjykonte edhe Hashim Thaçin. Por dihet tashmë se Haga është produkt i dështimit të të bërit drejtësi nga gjykatat në territorin e Kosovës. Këto gjykata dhe prokuroria e Kosovës nuk mundën qoftë edhe një kriminel vrasës të aktivistëve të LDK-së ta identifikonin e ta dënonin. Nëse ndodh që në Hagë zbulohen dhe dënohen autorët e këtyre vrasjeve, atëherë unë do të them se ia ka vlejtë edhe arrestimi i Hashim Thaçit. Të shohim sa i përket kësaj pike”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat