Eksperti amerikan zbulon pse po mbahet fshehtë drafti i Asociacionit dhe jep paralajmërimin e keq për Vuçiqin

Politika

Eksperti amerikan zbulon pse po mbahet fshehtë drafti i Asociacionit dhe jep paralajmërimin e keq për Vuçiqin

Nga: A.Zh Më: 12 nëntor 2023 Në ora: 12:09
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka deklaruar se Kosova duhet të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi ai nuk përmban kompetenca ekzekutive.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova nuk duhet të pres reciprocitet nga ana e Serbisë.

“Nga shqyrtimi im fillestar, drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ishte i qartë se ai nuk përfshin pushtete ekzekutive që, sipas fjalëve të Ramush Haradinajt, do të lejonin krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë. Gjatë gjithë kohës kam thënë se kryeministri Kurti duhet ta pranojë Asociacionin ashtu siç është, pa pritur apo kërkuar reciprocitet nga ana e presidentit të Serbisë, Vuçiq”, ka thënë Ben-Meir.

Kryeministri Kurti po përballet me kritika të shumta se pse nuk po e publikon draft statutin për Asociacionin, që iu dha nga Miroslav Lajçaku dhe këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Por, sipas analistit për Ballkanin, bisedat duhet të zhvillohen në fshehtësi.

“Këto biseda zakonisht mbahen në fshehtësi derisa të ketë një kuptim të qartë për përmbajtjen dhe mënyrën se si mund të ekzekutohet. Besoj që Kurti ta studiojë me kujdes, fare mirë mund të arrijë në të njëjtin përfundim”, ka nënvizuar Ben-Meir për “Bota sot”.

Ai ka treguar se pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të jetë nën presion për të reaguar lidhur me Kosovën.

“Unë mendoj se Kurti duhet ta pranojë draftin dhe megjithëse kjo i plotëson kërkesat e Vuçiqit, Vuçiq megjithatë do të jetë nën presion për të reaguar, veçanërisht nëse BE-ja sinjalizon se do të shkojë drejt bërjes së Kosovës kandidate për anëtarësim në BE”, ka theksuar analisti.

Se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe i njëjti do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, e ka konfirmuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Të njëjtën e ka pohuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit që pati gjatë kësaj jave me emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialog Miroslav Lajçak.

“E kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në to. Kuptohet që çdo herë i referohet Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, pra Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi. Komentet tona do t’i bëjmë pas shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi në hyrje shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe të gjitha aktetet tjera, dhe çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Haradinaj./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat