Kuvendi zgjedhor i LDK-së/ Haziri numëron arsyet pse kandidatura e Faton Bislimit për kryetar nuk e rrezikon Lumir Abdixhikun

Politika

Kuvendi zgjedhor i LDK-së/ Haziri numëron arsyet pse kandidatura e Faton Bislimit për kryetar nuk e rrezikon Lumir Abdixhikun

Nga: M.L. Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 13:26
Lumir Abdixhiku

Të dielën më 19 nëntor Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e dhjetë zgjedhor, për zgjedhjen e organeve të reja udhëheqëse të partisë. Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor nën sloganin “Rruga e re”.

Drejt përgatitjeve finale.🔥 Ejani këtë të diel, më 19 nëntor, në Prishtinë. Rruga e Re po nis”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, ku ka publikuar edhe këngën për “Rrugën e re”.

Por, Abdixhiku nuk do të jetë i vetmi kandidat për kryetar të LDK-së. Faton Bislimi, ish deputet dhe ish anëtar i kryesisë së kësaj partie njoftoi se do të paraqes kandidaturën e tij për kryetar në Kuvendin e dhjetë të LDK-së.

Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së.

Unë besoj fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova.

Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk rreshtën së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”, ka shkruar Bislimi mes tjerash në një postim në Facebook.

Kandidaturën e Bislimit, e komentoi për gazetën “Bota sot” publicisti Nexhat Haziri. Kështu, ai tha se LDK, si subjekt politik është e njohur për demokraci tëbrendshme dhe kandidatura e Bislimit është në funksion të kësaj tradite.

Image
Nexhat Haziri

“Së pari LDK-ja ka një demokraci të brendshme e cila e dallon nga subjektet e tjera politike në vend, dhe kjo dëshmohet edhe me garën zgjedhore në procesin e brendshëm zgjedhor të kësaj partie. Kandidatura e ish-deputetit Faton Bislimi për kryetar te LDK-se është në funksion të kësaj tradite të demokracisë në partinë më të vjetër në skenën politike të vendit”, theksoi Haziri për “Bota sot”.

Por, sipas tij, kjo kandidaturë nuk e rrezikon Lumir Abdixhikun për t’u rizgjedhur kryetar. Haziri rikujton se Bislimi si një i dorëhequr nga kryesia nuk ishte aktiv në procesin zgjedhor nëpër degë të partive.

“Kjo nuk e rrezikon kryetarin aktual z. Lumir Abdixhiku që ky i fundit ta marrë edhe një mandat në krye të udhëheqjes së LDK-së.

Dhe kjo për disa arsye: Ish deputeti Bislimi si një i dorëhequr nga kryesia LDK-së, nuk ka qenë as pjesë e procesit të zgjedhjeve në degët e LDK-së, pastaj LDK-ja po promovon një program politik të quajtur “Rruga e re” që po ashtu z. Bislimi nuk është parë të jetë aktiv apo që të jetë identifikuar me këtë proces, dhe marrë parasysh të gjitha këto , del që kandidatura e tij për kryetar të LDK-se të mos jetë sfiduese për kryetarin aktual z. Abdixhiku që do të marrë edhe një mandat në krye të LDK-se”, ka potencuar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat