Bislimi synon ta sfidojë Abdixhikun, kundërpërgjigjet LDK: Kandidaturat nuk shpallen në Facebook

Politika

Bislimi synon ta sfidojë Abdixhikun, kundërpërgjigjet LDK: Kandidaturat nuk shpallen në Facebook

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 nëntor 2023 Në ora: 09:12
Lumir Abdixhiku

Të dielën më 19 nëntor Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e dhjetë zgjedhor për zgjedhjen e organeve të reja udhëheqëse të partisë.  

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor nën sloganin “Rruga e re”, duke bërë thirrje që të gjithë të bashkohen.  

“Drejt përgatitjeve finale. Ejani këtë të diel, më 19 nëntor, në Prishtinë. Rruga e Re po nis”.  

Por, nuk do të jetë vetëm Abdixhiku kandidat për kryetar të LDK-së.   

Ai do ta ketë konkurrent Faton Bislimin, ish deputet dhe ish anëtar i kryesisë së kësaj partie.  

Ai njoftoi se do të paraqes kandidaturën e tij për kryetar në Kuvendin e dhjetë të LDK-së.  

“Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së.  

Unë besoj fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tij.  

Pantina: Kandidaturat nuk shpallen në facebook por në këshillin zgjedhor të partisë  

Zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një përgjigje për “Bota sot” vë në pikëpyetje se a do të ketë edhe kundër-kandidat tjerë, sepse sipas saj kandidaturat nuk shpallen në Facebook, por duhet përmes këshillit të partisë.

Image
Shqipe Pantina

“Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar si më së miri dhe ai pritet të finalizohet këtë të diel. LDK viteve të fundit ka organizuar proces zgjedhor të brendshëm që besoj është shembull edhe për partitë e rajonit e më gjerë. Nuk e di a do ketë kundër- kandidatë tjerë për kryetar të partisë, sepse kandidaturat nuk shpallen në facebook, por në këshillin zgjedhor të partisë, por unë kam bindjen se kryetari Abdixhiku do e drejtoj partinë edhe në mandatin e ardhshëm”, thotë ajo.  

Sipas saj,  Abdixhiku ka krijuar një profil prej lideri me vizion dhe ka arrit të bëjë reforma përmbajtjesore për partinë.  

“Mendoj se për këto dy vite Abdixhiku jo vetëm që ka krijuar një profil prej lideri me vizion por ka arrit që të bëjë reforma përmbajtjesore në parti edhe në struktura por edhe në program. Besoj se me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme e gjithë energjia do fokusohet në jetësimin e programit “Rruga e re” dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme nacionale ku besoj se LDK do dal fituese”, përfundon ajo.  

Ahmeti: LDK është jashtë dimensionit të frymës rugoviane  

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti Hidajet Ahmeti, thotë se edhe pse do të mbahet kuvendi, nuk do të ketë ndryshime substanciale, sepse sipas tij, LDK-ja nuk është në rrugën e duhur, madje sipas Ahmeti ajo me veprimet e saj po rrëshqet drejt të majtës.  

“LDK-ja në këtë konstulacion politik dhe logjik të veprimit, nuk do të ketë ndryshime substanciale. Reduktimi i LDK-së në këtë logjik të komunikimit dhe veprimit me elektoratin e saj dhe votuesit potenciale është jashtë dimensionit të frymës Rugoviane. Prandaj, LDK-ja nuk është në rrugën e duhur drejt konsolidimit të brendshëm, bile me veprimet e saj është drejtë rrëshqitjes së saj ideologjike kah e majta. Gjykoj se në një të ardhme të afërt, LDK-ja nuk do të jetë parti politike, e cila do të ishte në terrenin e duhur për të rrezikuar partinë në pushtet”, shprehet ai.  

Sa i përket shpalljes së kandidaturës së Faton Bislimit, ai thotë se është e kot, sepse tashmë Abdixhiku ka krijuar strukturën e brendshme, duke e shtrirë ndikimin edhe nëpër degë.  

"Sa i përket kundër kandidatit të Abdixhikut, më shumë e kisha gjyku si përpjekje e kot, duke e ditur  realitetin e krijuar në LDK. Zoti Abdixhiku nuk është i rrezikuar, pasi ka krijuar strukturën e brendshme, por edhe duke e ditur shtrirjen e ndikimit nëpër dege”, deklaron ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat