Kosova armatoset si kurrë më parë/ Parashikohet një sulm i përgatitur në janar: Mund të jetë edhe luftë e hapur!

Politika

Kosova armatoset si kurrë më parë/ Parashikohet një sulm i përgatitur në janar: Mund të jetë edhe luftë e hapur!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 nëntor 2023 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Kosova ka rritur buxhetin për armatim, madje siҫ deklaron ministri i brendshëm, ky buxhet është rritur për 97%.

Kjo erdhi pas një sulmi që ndodhi vetëm dy muaj më parë në Banjskë, ku mbeteti i vrarë polici Afrim Bunjaku, nga sulmet terroriste serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pak ditë më parë ka thënë se buxheti për AME është rritur për 97 për qind, për Policinë e Kosovës për 17 për qind, ndërsa për ASHI 16 për qind.

“Në MPB ka rritje të buxhetit për 97 për qind në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, në Policinë e Kosovës për 17 për qind, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16 për qind dhe kështu me radhë në agjencitë tjera.

Totali në investimet kapitale është 5.8 milionë euro rritje prej 3.8 milionësh në AME. Në policinë e Kosovës investimet kapitale janë 21.7 milionë e në vitin 2023 12.6 milionë euro. Kemi blerë më shumë autoblinda sesa kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”, tha ai

Këtë veprim të Qeverisë së Kosovës e kanë komentuar njohësit e ҫështjeve të sigurisë.

Tërnava: Si institucion i MPB-policia përkushtohet që punëtorët e saj, të jenë mirë të përgatitur dhe të furnizuar me armë moderne të kohës

Image
Hajrullah Tërnava

Kështu, njohësi i sigurisë dhe ish zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava ka thënë se Ministria e Punëve të Brendeshme është institucioni më i autorizuar i një shteti që e jetëson Kushtetutën dhe Ligjet e atij shteti në tërë territorin e saj dhe duke e pasur ato kompetenca kushtetuese, si institucion i MPB-policia përkushtohet që punëtorët e saj, të jenë mirë të përgatitur dhe të furnizuar me armë moderne të kohës, dhe shteti e ka për detyrë që t’i përkrah policinë dhe shërbimet tjera brenda këtij institucioni, dhe t’iu mundësoj që ata me të ardhurat e tyre materiale t’iu sigurojnë jetërat e familjarëve të tyre.

“Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveqla, ka deklaruar se buxheti për ARM i kësaj ministrie është rritur për 97%, për Policinë e Kosovës është rritur 17 %, ndërsa për ASHI është rritur për 16%. Ai deklarohet se: “Kemi blerë më shumë autoblinda sesa kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”. Një shtet i pavarur si Kosova, në rrethanat që po na preokupojnë, e sidomos kur jemi në konflikt permanent me një shtet nacionalist sikur që është Serbia, gjithsesi se ҫështjes së sigurisë duhet t’i jepet prioritet thelbësor, sepse përvojat shekullore me këtë shtet na dëshmojnë se ky shtet nacionalist që me shekuj ka krye masakra ndaj popullatës tonë, dhe prap edhe në keto rrethana vazhdon me po të njëjtat politika nacionaliste që t’i arrij ato qëllimet e saja, e që më 24 shtator 2023 me sulme terroriste në Banjskë, e sulmoj sovranitetin e shtetit tonë, ku në brendësi vrau një polic dhe dy të tjerë u plagosën, por falë përgatitjeve luftarake të policisë dhe aftësive të tyre, arritën t’i zmbrapsin ata sulmues dhe një numër i tyre i konsiderueshëm edhe u vranë nga policia e jonë në brendësinë territoriale të Kosovës dhe mbrëmë prapë pati sulme me bombë dore në brendësinë e territorit të Kosovës, te ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në pjesën veriore të Mitrovicës pranë AMSS”, vlerëson Tërnava.

Ai thotë më tutje, këto sulme janë shenjë që Serbia i nxit popullatën serbe që të shkaktojnë situata të acaruara konfliktuoze për të i arritur qëllimet e përvetësimit të atyre komunave të veriut dhe për t’ia dëshmuar Rusisë se është në përkrahje të saj, e që është duke i qëndru si i vetmi shtet në Evropë, në perkrahje të luftës që është duke e zhvillu ndaj Ukrainës.

“Prandaj, ne jemi të mësuar me ato politika serbe nacionaliste që me shekuj na kanë shkaktu gjenocide të shumta në të kaluaren dhe sikur t’i jepen ato komuna të veriut Serbisë, prapë do të kishim probleme me Serbinë, se edhe disa komuna serbe që janë në brendësi të Kosovës, edhe për ato komuna Serbia do të kërkonte Asociacione dhe do të na shkaktonte probleme të ngjajshme që po ballafaqohemi qe mbi 23 vite për këtë ҫështje, prandaj pa u arritur njohja reciproke mes këtyre dy shteteve, gjithnjë edhe në të ardhmen do të kemi probleme dhe konflikte të ngjajshme me atë të sulmit në Banjskë të Zveçanit, dhe lehtë mund të ndodhë që ky konflikt të zgjerohet edhe në luftë aktive, por garantues i sovranitetit në ato pjesë të veriut është KFOR që është si pjesë e NATO-së, dhe Serbia e ka përvojen e saj me NATO-n, të qartë në vitin 1999 që ishte e bombarduar dhe u detyru që ta nënshkruaj kapitullimin e saj me marrëveshjen e Kumanovës”, thekson Tërnava për ‘Bota sot’.

Islami: Së paku në 5 vitet e ardhme, shqiptarët do të jenë të aftë, që ta mbrojnë vetëveten

Image
Gazmend Islami

Ndërsa, Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami në një prononcim për ‘Bota sot’ thotë se, Kosova që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk ka qenë pa një gjendje kritike dhe përhapjen e një konflikti të ri mes Serbisë dhe Kosovës.

“Arsyeja është që shteti serb ҫdoherë është agresiv ndaj sovranitetit të vendit dhe gjithmonë do të pretendojë dhe do të mundohet që ta kthej së paku një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës në sovranitetin e vet. E kjo më së miri u pa në rastin e Banjskës, ku garantuesit e kufinjve të Kosovës, pra të KFOR-it sipas Rezolutës 1244 dhe u pa se sa armatimi ishte futur në territorin e Kosovës, e kjo lë të nënkuptohet që shqiptarët duhet të përgatiten, sepse ai është i vetmi garantues i sovranitetit të vendit”, tha ai.

Islami vlerëson se ndarja e buxhetit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për policinë dhe ushtrinë, shtimi i këtij buxheti dhe blerja e autoblindave që shpresoj që në të ardhmen, së paku në 5 vitet e ardhme, shqiptarët do të jenë të aftë, që ta mbrojnë vetëveten duke bërë investime kapitale në këto dy struktura të sigurisë.

“Sa më shumë që ne të përgatitemi, aq më lehtë do të kemi mundësinë që do të mbrojmë sovranitetin e vendit tonë”, thekson ai.

Tutje, ai thotë se përhapja e konfliktit në Lindjen e Mesme, përhapja e konfliktit në Ukrainë, pra me ҫdo kusht Rusia dhe Serbia, dëshirojnë që të përhapin një konflikt të ri në Kosovë, sidomos në Ballkan që do të kalonte kufinjtë e Kosovës, pra edhe në Bosnjë, edhe më gjerë.

“Prandaj qeveria është duke e bërë punën e vet si është më së miri, dhe urojmë që ky buxhet dhe kjo iniciativë që është duke e marrë Qeveria e Kosovës, prej se ka ardhur në pushtet, pra të vazhdojë dhe të shtojë numrin, sepse më të vërtetë Kosova është në një gjendje kritike, ku Banjska mund të përsëritet dhe unë, megjithëse jam skeptik dhe nuk dua të them që mund të ketë luftë të hapur, por mund të pritet që brenda janarit mund të kemi prapë një sulm i cili do ta destabilizonte Kosovën, në qoftë se nuk jemi me sy vigjilentë, gjithashtu se EULEX dhe KFOR-i, nuk mbajnë përgjegjësitë e veta të cilat janë të ngarkuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga NATO”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat