“Parashikimi i gabur i Woelk”, komentohet perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE: Ka potencial të fuqishëm

Politika

“Parashikimi i gabur i Woelk”, komentohet perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në BE: Ka potencial të fuqishëm

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 nëntor 2023 Në ora: 11:29
Federica Woelk

Sipas asistentes në Parlamentin Evropian Federica Woelk, Kosovës i duhen 62 vjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë 40 vjet.

Se paku kështu ka parashikuar një projeksion mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian të publikuar nga Woelk.

“Nëse do të isha një nga ato vende, nuk do të kisha besim se diçka do të ndryshojë ndonjëherë. Dhe Serbisë i duhen më shumë se 40 vjet”, ka shkruar Woelk, rezultatet e prezantuara nga ajo, janë bazuar në vlerësimet e Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendeve për t’i miratuar detyrimet e anëtarësimit në BE.

Kosova me shanset më të mira

Image
Enver Bytyçi

Por i mendimit të njëjtë me Woelk nuk është profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, i cili e quan fantazi parashikimin e asistentes në PE.

“Unë më tepër e quaj këtë një lloj fantazie, sepse askush nuk e di si marrin ngjarjet e zhvillimet në Evropë, në botë e në rajonin tonë në periudha kaq të gjata. Mundet që deri atëherë të mos ketë Bashkim Evropian. Madje ka ekspertë, të cilët e parashikojnë shpërbërjen e tij. E në këtë rast nuk ka më vlerë se kur apo kush integrohet në Union. Megjithatë, sipas meje, Bashkimi Evropian duhet të bashkohet në kohezionin e tij të brendshëm vetë. Sepse është shumë i përçarë. Është i përçarë sa i përket strukturës e sidomos sa i përket mendimit e veprimit të përbashkët. Si strukturë, jo pak vende anëtare të BE-së janë jashtë zonës së Euros dhe zonës Shengen. Madje ka një luftë midis vendeve anëtare të këtyre strukturave dhe vendeve kandidate për tu bërë pjesë e tyre. Rasti më i fundit ishte konflikti që shkaktoi refuzimi i Austrisë për ta bashkuar Bullgarinë në zonën Shengen”, thotë Bytyçi.

“Nëse e shohim nga këndvështrimi i sotëm gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nëse situata nuk ndryshon, atëherë këto vende nuk meritojnë kurrë të bëhen pjesë e BE-së. Shihni Shqipërinë dhe Serbinë. Të dyja këto vende vuajnë nga auto dhe kleptokracia e tmerrshme, e cila po shndërrohet në diktaturë të mirëfilltë. E pranojnë apo jo vendet evropiane këtë, ajo është çështje e interesave që përfaqësojnë. Por e vërteta është se liderët autoritarë e kleptokratë të Serbisë dhe Shqipërisë janë jo vetëm të korruptuar, por edhe të implikuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat kriminale, sidomos ato të bandave të trafiqeve të lëndëve narkotike. Shembuj për këtë ka pa fund dhe është e arsyeshme të mendojmë se fakte të shumta e të shëmtuara do të publikohen në të ardhmen”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit është mbërthyer sërishmi në krizën e marrëdhënieve etnike.

“Ka konflikt të hapur midis Serbisë dhe Kosovës, midis tri entiteteve etnike në Bosnjë-Hercegovinë dhe në marrëdhëniet politike në Mal të Zi. Në Kosovë konflikti acarohet vazhdimisht dhe sa here Serbia mobilizon forcat e saj terroriste për të bërë fakt të kryer aneksimin e veriut të Kosovës. Në këtë gjendje, sa herë në Bruksel dhe kryeqytetet ballkanike flitet për integrim euro-atlantik është për të qeshur. Serbia e Aleksandër Vuçiq, në vend të integrimeve ka zgjedhur konfliktin me Kosovën. Ndërkohë që nxit konfliktin ndëretnik në Bosnjë, saktësisht nxit aleatin e tij, Milorad Dodik, të provokojë ndarjen e Republikës Srpska nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Nxit gjithashtu politikanët pro-serbë dhe pro-rusë në Podgoricë e në Cetinjë për ta shpërbërë e shkatërruar shtetin e Malit të Zi dhe për të rikrijuar një mini-Jugosllavi”, shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se nëse këto zhvillime vazhdojnë pa limit, atëherë edhe integrimi euro-atlantik i këtyre vendeve që përmend Woelk nuk mund të bëhet.

“Kështu që në kushtet e sotme nuk është ndonjë zotësi e madhe të thuash se Kosova, Serbia, Shqipëria apo vendet e tjera të rajonit mund të integrohen ose jo në afate të caktuara. Por ka një gjë ama. Sapo të zgjidhen konfliktet ballkanike, integrimi realizohet në një periudhë shumë të shpejtë. Dhe nëse zgjidhen konfliktit, çfarë përmendëm më lart, atëherë Kosova mund të përparojë më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit”.

Siç thotë Bytyçi, nga të gjitha vendet e rajonit, Kosova ka shanset me të mira për tu integruar e para në Bashkimin Evorpian.

“Nga këndvështrimi im, Kosova ka potenciale më të fuqishme se secili prej vendeve të tjera për të qenë e para në BE. Atë e mban peng thjesht Serbia. Për çfarë? Për shkak të interesave të saj ultranacionaliste dhe krijimin e Serbisë së Madhe. Në momentin që Kosova shkëputet plotësisht nga Serbia dhe bëhet anëtare e OKB-së, në atë moment ritmet e saj të zhvillimit do të dyfishohen, krahasuar me vendet e tjera. Dhe Kosova i ka këto potenciale. Ajo ka një borxh publik më të ulëtin në botë. Dhe mos harrojmë se borxhi publik i lartë në vendet e tjera të rajonit e pengojnë përparimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, Kosova është vendi më demokratik i rajonit nga pikëpamja e zhvillimit të këtyre proceseve. Nëse vijon ta forcojë demokracinë ajo bën e do të bëjë një diferencë të dukshme me vendet e tjera, sidomos me Serbinë dhe Shqipërinë”, thekson Bytyçi.

“Ndërkaq potencialet njerëzore, kulturore dhe ato infrastrukturore e të pasurive në një Kosovë anëtare të OKB-së do të nxisnin rritjen e nivelit ekonomik e të të ardhurave si në asnjë vend tjetër në rajon e në Evropë. Kosova ka një kulturë pune, sjelljeje, madje edhe politike e në fushat e tjera të spikatur, krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit, e sidomos me Shqipërinë. Për të gjitha këto arsye e të tjera, të cilat nuk mund të renditen në një opinion si ky, zonja Woelk edhe pse asistente e Parlamentit Evropian, gabon në parashikimet e saj!”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Ballkani larg reformave

Image
Gurakuç Kuçi

Kurse, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, për “Bota sot” thotë se Ballkani Perëndimor është larg reformave për tu anëtarësuar në BE.

“Ballkani Perëndimor nuk është që ka punuar shumë në zhvillimin e vet, më shumë ka rënë pre e grupeve kriminale dhe korrupsionit ku nacionalizmi dhe shovinizmi janë përdorur për të mbajtur grupacione të caktuara vetveten në pushtet. Andaj edhe sot rajoni është larg me reforma që të barazohet apo përafrohet me vendet e zhvilluara të BE-së. Mirëpo, shumë vende të BE-së, sidomos disa vende të dala nga ish-blloku komunist dhe që janë bërë pjesë e BE-së, më shumë janë anëtarësuar për çështje strategjike se sa që i kanë plotësuar kushtet për tu anëtarësuar në BE”, shprehet Kuçi.

“Edhe integrimi deri në vitin 2030 që iu është premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor nga BE-ja, nuk ka ardhur si rezultat i reformave të mëdha që ka bërë ky rajon, por që BE-ja në qasjen e re politike, zgjerimin drejt rajonit tonë e sheh si veprim gjeostrategjik. Pra është më shumë çështje e sigurisë se sa përmbushje e reformave”, shpjegon Kuçi.

Për fund, Kuçi thotë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE mund të mos jetë i njëjtë sikur me vendet tjera të deritanishme.

“Alarmi që na vie nga raporti “Perspektiva e anëtarësimit sipas trendit të reformave në lidhje me BE-në në 2019-2021”, është se e ardhmja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, mund të mos jetë një anëtarësim i njëjtë sikur me vendet tjera të deritanishme. Pra, mund të krijohet një anëtarësim më shumë nivele, me kufizime dhe kushte të ndryshme për vendet e Ballkanit Perëndimor duke e krijuar edhe një proces dytësor të anëtarësimit të plotë apo të asaj siç është proklamuar të “Evropa me shumë shpejtësi” apo “Evropa me nivele të ndryshme anëtarësh””, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat