Abdixhiku përsëri kryetar i LDK-së/ Analistët komentojnë situatën – ja ndikimi që do ketë në elektorat!

Politika

Abdixhiku përsëri kryetar i LDK-së/ Analistët komentojnë situatën – ja ndikimi që do ketë në elektorat!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 nëntor 2023 Në ora: 09:56
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar javë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të dielën Konventën zgjedhore për kryetar të ri të partisë.

Pas disa orëve punime, ka përfunduar Kuvendi Zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në krye të kësaj partie është zgjedhur edhe për një mandat kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.

Ai është zgjedhur me vota unanime nga 333 delegatë që ishin të pranishëm në sallë nga 335 sa i ka gjithsej partia.

Abdixhiku ishte i vetmi kandidat pasi Faton Bislimit nuk iu pranua kandidimi me arsyetimin se i njëjti nuk ishte as delegat në Kuvendin e 10-të të LDK-së.

Bislimi, mes tjerash tha se përjashtimi i tij nga kandidatura është anti-statutor.

Pas rizgjedhjes si kryetar i partisë, Abdixhiku tha se do ta ushtrojë këtë detyrë me sjellje rugoviste.

Kujtojmë që Abdixhiku u rizgjodh kryetar i LDK-së pas mandatit të parë për rreth 2 vjet e gjysmë, si pasardhës i Isa Mustafës.

Mirëpo si do të jetë e ardhmja e LDK-së, a do të ketë ndryshime për të ngritur elektoratin?

A do të lirohet nga fryma e partive tjera?

Mulliqi: Partitë të cilat identifikohen me një person, apo partitë lideriste, pas largimit të liderit sikur janë të “dënuara”, të bien nga skena politike

Image
Analisti politik Skënder Mulliqi

Analisti politik Skënder Mulliqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me rizgjedhjen e Lumir Abdixhikut kryetar të LDK-së.

Ai tha se partitë të cilat identifikohen me një person nuk janë afatgjate në skenën politike.

"Partitë të cilat identifikohen me një person, apo partitë lideriste, pas largimit të liderit sikur janë të “dënuara”, të bien nga skena politike. Kështu ndodhi më partinë e Alia Izetbegoviqit në Bosnjë dhe me partinë e Franjo Tugjmanit në Kroaci, pas vdekjes së tyre. Të dyja këto parti kurrë më nuk arritën të janë të parat. Kështu ndodhi edhe me LDK-në, e Ibrahim Rugovës. Vdekja e tij la zbrazëtirë të pa kompenzueshme brenda këtij subjekti politik më të madhin në Kosovën e pas luftës”, thekson analisti.

Nga ana tjetër, analisti radhit të gjitha dëmet që Mustafa ia ka shkaktuar LDK-së.

“Tradhti të madhe Mustafa bëri kur pas gjashtë muajve kur u formua koalicioni i madh i quajtur VLAN, e kur PDK ishte në krizë të madhe politike se nuk gjente partner kolicioni, si parti fituese e zgjedhjeve, këtë ja mundësoj kush tjetër pos Mustafës, duke i bërë bashkë LDK e PDK. Tjetër.Mustafa dihet se kurrë nuk ka qenë në strukturat më të larta të LDK-së, deri sa ka qenë gjallë Ibrahim Rugova. Gabimi i radhës këtu mendoj për largimin e LDK-së, nga vija politike e Rugovës, ishte kur gati në gjendje të shtetrrethimit, ky subjekt politikë u detyrua nga Mustafa, t’ia bënë votat Hashim Thaçit për president të Kosovës. Kjo bëri që LDK-ja rugoviane, të zbret në 12 përqind, që ishte debakeli më i madh i saj. Mustafa ra nga pushteti, se kështu desht PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila e kishte në dorë, dhe i cili në plotëni e kontrollojë LDK-në.

Kur Mustafa u largua nga posti i të parit, por jo edhe ndikimi I tij politik mbi LDK-në. Prurja e Abdixhikut në krye të partisë ishte vepër e tij. Ky vazhdim i mandatit të Abdixhikut, na kujton kohën e Mustafës edhe për mos zbatim të reformave, se u zgjodh pa asnjë kundër kandidat. Nuk ju lejua pjesëmarrja në garë, Faton Bislimit, i cili mendoj se është më i përgatitur profesionlaisht, dhe i cili do të kishte bërë reforma, se është edhe në vijën politike të liderit të LDK-së, Ibrahim Rugovës. Kjo LDK-e cila në kohën e fundit zgjodhi emërtimin “Lëvizja”, dhe së fundi “Rruga e Re”, ku që të dyja këto më duket mua janë largim nga koncepti politik i Rugovës, sado që këta e kanë plotë gojën rugovizëm”, shpjegon analisti.

Në fund, ai shprehet skeptik për rritje të elektroatit.

“Kur bëhet fjalë për rritje të elektoratit, pak besoj se do të ndodhë një rritje e tillë, e madhe për të sfiduar LVV. Sigurisht se mos zbatimi i reformave brenda partiake, klanizimet, dhe largimi nga koncepti i politikës rugoviane të drejtuesve të saj, disa ardhacakë në këtë parti, do të ketë reperkusione afatgjata të pa riparueshme politike edhe në zgjedhjet e ardhshme”, nënvizon Mulliqi për “Bota sot”.

Mehazi: Rugovistët që kërkon Abdixhiku, kanë humbur e nuk ekzistojnë në partinë e tij të LDK-së

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se Abdixhiku filloi fjalimin duke bërë kështu një ndasi brenda partisë.

Profesori thotë që Abdixhiku, indirekt ua bëri me dije, se anëtarët e kryesisë qendrore të LDK-së që nuk do jenë puro rugovistë do largohen e se do zëvendësohen me rugovistë.

“Pikësëpari kryetarit të rizgjedhur të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i dëshirojmë suksese që në të ardhmen veprimet e tij politike të jenë më aktive, më të qarta e më bindëse në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj, sesa do ketë sukses ndaj kundërshtarëve politikë, sidomos ndaj partisë oponente qeverisëse të LVV-së do varet prej tij dhe LDK-së, se me çfarë idesh politike do i kundërvihet partisë në pushtet LVV-së së Albin Kurtit.

Mirëpo, që në start të kumtesës pas rizgjedhjes, Lumir Abdixhikut, bëri një llapsus përçarje ndaj anëtarëve të brendshëm të LDK-së me ndikime të partive tjera të PDK-se, LVV-së e AAK-së duke deklaruar, se, detyrën e re do ta ushtrojë me sjelljen dhe freskimin e LDK-së me ide rugoviste e jo me idetë politike të partive tjera brenda LDK-së, me këtë deklaratë, Abdixhiku, indirekt ua bëri me dije, se anëtarët e kryesisë qendrore të LDK-së që nuk do jenë puro rugovistë do largohen e se do zëvendësohen me rugovistë. Shumë më e logjikshme dhe e arsyeshme për kryetarin e rizgjedhur të LDK-së, Abdixhikun, do të ishte që në vend që të ushtronte detyrën e LDK-së me sjelljen, prurjen e rugovistëve në kryesi, të bënte të kundërtën të kërkonte një front të përbashkët brenda partiak ndaj partisë në pushtet, LVV-së, që momentalisht është e pamposhtur përballë të gjitha partive opozitare”, thotë ai.

Më tej, profesori u shpreh që rugovistët që kërkon Abdixhiku, kanë humbur e nuk ekzistojnë në partinë e tij të LDK-së.

“Me prurjen dhe sjelljen e rugovistëve në LDK, Abdixhikut, përkundrazi do zvogëlonte elektoratin dhe më shumë, gjersa me bashkimin e të gjithë anëtarëve brenda partiakë me ndikime të partive të LVV-së, PDK-së e AAK, do forconte elektoratin e do sfidonte gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

LVV-në e Kurtit në pushtet. Shkurt e qartë, rugovistët që kërkon Abdixhiku, kanë humbur e nuk ekzistojnë në partinë e tij të LDK-së, vetëm me rugovistët e pa ndihmën e partive tjera opozitare Abdixhiku kurrë nuk mund ta mund LVV-në e Albin Kurtit”, foli Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat