Propozimi shqetësues i KE-së për pasaporta nga strukturat ilegale, qëndrim i hapur pro-Serbisë!

Politika

Propozimi shqetësues i KE-së për pasaporta nga strukturat ilegale, qëndrim i hapur pro-Serbisë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 nëntor 2023 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës tashmë ka përfunduar. Qytetarët kanë të drejtë të lëvizin lirshëm që nga 1 janari 2024, në zonën Shengen.  

Por,  si duket në sipërfaqe nga Komisioni Evropian ka dalë një propozim i ri, që ka të bëjë me serbët e Kosovës rreth udhëtimi pa viza.  

Komisioni Evropian në prill të këtij viti kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Drejtorisë Koordinuese, e cila punon në Kosovë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Por me propozimin e ri, KE-ja tha se tashmë nuk ekziston asnjë arsye që serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë të mos mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.  

Ndaj propozimit të KE-së, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, për të cilin ka thënë se propozimi në fjalë nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, si dhe s’janë koordinuar e informuar ekzekutivi i Kosovës.  

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtu-quajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.  Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”.  

“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, deklaroi tutje Bislimi.  

Batusha: Është precedent i rrezikshëm juridik dhe politik  

Image
Agon Batusha

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se veprimi i tillë është i papranueshëm dhe përveç cenimit të dialogut, cenon edhe Kushtetutën e Kosovës.  

“Ky veprim i BE-së është i papranueshëm. Është në kundërshtim me gjitha parimet evropiane, cenon rend rezultatet e dialogut dhe mbi gjitha cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Është precedent i rrezikshëm juridik dhe politik.   

Nuk e di çka kanë menduar, as çka i ka shtyrë, por duhet të rishikohet. Ajo çka është e sigurt, do e rëndoj më shumë dialogun dhe qasjen e BE-së si ndërmjetësuese në dialog”, deklaron ai.  

Lama: Nëse Komisioni vendos të njohë dokumente të jashtëligjshme - qëndrim i hapur pro Serbisë  

Kurse, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, thotë se reagimi i Bislimit është me vend.  

Image
Alma Lama

Tutje, ajo deklaron se nëse, Komisioni vendos të njoh dokumente të jashtëligjshme, sipas saj, ky është minim i procesit të dialogut dhe një qëndrim i hapur pro Serbisë.  

Mendoj se reagimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës është plotësisht me vend. Komisioni Evropian duhet të vendosë kushte për shtetasit serbë të Kosovës që të pajisen me pasaporta nëse ata duan të udhëtojnë pa viza.   

Kjo do të ishte një ndihmë ndaj procesit të dialogut për integrimin e serbëve në institucione dhe për normalizim të raporteve me Serbinë. Nëse Komisioni vendos të njohë dokumente të jashtëligjshme, atëherë ky është minim i procesit të dialogut dhe një qëndrim i hapur pro Serbisë”, shprehet Lama.  

Arifi: Ky propozim është shqetësues   

Image
Avni Arifi

Edhe ish-ambasadori i Kosovës, Avni Arifi shprehet me bindjen se ky vendim përjashton Kosovën nga pronësia e dialogut dhe është një presion i rëndë për formimin e Asociacionit.  

“Shqetësues është ky propozim dhe besoj se nuk i shërben as zgjidhjes së problemeve as normalizimit të raporteve.   

Ky vendim edhe njëherë shpreh debaklin e Kosovës në tavolinë, përjashton Kosovën nga pronësia mbi procesin e dialogut dhe është një formë e rëndë e presionit që Kosova të implementoj AKS”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat