20 vjet nga vrasja e policëve, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj - Ata ishin në përfundim të hetimeve për një vrasje të rëndë

Politika

20 vjet nga vrasja e policëve, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj - Ata ishin në përfundim të hetimeve për një vrasje të rëndë

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 24 nëntor 2023 Në ora: 08:05
Jusuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj

Më 24 nëntor mbushen 20 vjet nga vrasja e policëve Isuf Haklaj e Sabahate Tolaj. Edhe pse kanë kaluar 20 vite që nga ajo ditë, kjo vrasje ka mbetur ende një enigmë, ani pse për vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt është i dënuar Bedri Krasniqi, ish truprojë e Ramush Haradinajt. 

Vrasja e dy policëve hetues, sipas disa dëshmive erdhi pasi ata ishin drejt zbardhjes së vrasjes së kolonel, Tahir Zemajt, me djalin Enisin dhe kushëririn, Hasanin. 

Versioni që Policia do të ofronte ishte se dy policët u vranë derisa ishin duke shkuar në punë me veturë private dhe janë sulmuar me armë zjarri nga persona në ato momente të panjohur duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse.  

Shefi i UNMIK-ut aso kohe, Harri Holkeri, do të deklaronte se mafia po krijon frikë në shoqëri. 

“Mafia mbështetet në frikën që krijojnë për të siguruar heshtjen tuaj, ndërsa shoqëritë ku kjo frikë dhe kjo heshtje lejohen të mbizotërojnë, kriminelët asnjëherë nuk mund të munden,”,  kishte deklaruar Holkeri. 

Si ndodhi? 

Për këtë krim ishte arrestuar, Bedri Krasniqi. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë ne vrasjen e zyrtarëve policorë por edhe më së paku edhe dy sulme të tjera të armatosura në Deçan. Vrasja ishte bërë me kallashnikov dhe aty kanë qenë dy tre persona së paku dhe rasti u zbulua se në “auben” e veturës se policisë së vrarë ka mbet shenjat e dorës së të dyshuarit Bedri Krasniqi. 

Lidhur me këtë rast për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit të këtyre rrethanave.  

Zogaj: Vrasja e tyre ishte veprimtari tradhtie, e porositur me qëllim të pengimit të zhvillimit të Kosovës 

Kështu, Skender Zogaj, thekson se vrasja e dy policëve ishte e porositur me qëllimin e pengimit të zhvillimit të Kosovës. 

“Është e dhimbshme dhe shumë shqetësuese që, as pas 20 vitesh nuk janë zbardhur vrasjet e shumta politike, të cilat kanë ndodhur pas çlirimit të vendit, gjë që e bëjnë vërtetë tepër dëshpëruese neglizhencën përbuzëse shtetërore të Kosovës, ndaj bijve dhe bijave të saj të vrarë pa asnjë faj!  Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj ishin dy zyrtarë policor shembullor që po i shërbenin me nder e besnikëri vendit dhe popullit të vet, prandaj, vrasja e tyre ishte veprimtari tradhtie, e porositur me qëllim të pengimit të zhvillimit të Kosovës”, vlerëson Zogaj. 

Image
Skender Zogaj

Ai thotë më tutje se ndonëse vrasja ka ndodhur kur Kosova ishte e lirë, lë të kuptohet se është kryer nga duart e argatëve të armikut. Madje sipas tij, edhe vrasësit po mbrohen nga institucionet, në të kundërtën do të ishin prapa grilave. 

“Vrasja ka ndodhur në kohë lirie, kur okupatori ishte ndjekur nga Kosova, prandaj, ngado që të analizohet vrasja e tyre, del se, është  bërë nga duart e argatëve të armikut, nga duart e zeza të shpirtshiturve tru-kalbur.  Dhe fatkeqësi më e madhe është se, vrasësit kanë pasur mbështetjen institucionale, sepse po të mos e kishin pasur, ata do të ishin kahera prapa grilave. Por nuk janë sepse kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mbrojtur nga drejtësia që mbahet në pengun e nëntokës së krimit dhe korrupsionit të organizuar”, vlerëson Zogaj.  

Sipas tij, kjo është fatkeqësi historike sepse, po të kishte funksionuar rendi dhe ligji, Kosova kaher do të ishte shtet i mirëfilltë dhe i integruar në BE.  

“Drejtësia duke mos i zbardhur të vdekurit, po ua nxin jetën të gjallëve, dhe ky është krimi aktual që po e mbanë të ngulfatur fatin e popullit të Kosovës”, vlerëson ai. 

Tërnava: Prokuroria t’i rifillojë hetimet 

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe njohësi i sigurisë, Hajrullah Tërnava.  

Ai thotë se derisa është një i arrestuar për këtë rast mund të dihet edhe shkaku dhe motivi i vrasjes së dy policëve, 20 vite më parë. 

“Koha e pasluftës po ikë shpejt, dhe vepra të rënda kriminale si vrasje të tëra që u kryen shumë në ato periudha, që tani më 24 nëntor mbushen 20 vjet nga vrasja e policëve Isuf Haklaj e Sabahate Tolaj. Për vrasjen e Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolajt është i dënuar Bedri Krasniqi, ish truprojë e Ramush Haradinajt, por që ende nuk është hedhur dritë zbulimi tërësisht mbi këtë rast. Tani kur bëhet një analizë për këto vrasje të cekura, se nëse dorë-vrasësi në fjale i paska vra këta dy persona të policisë, a po u dika motivi-shkau i vrasjes në detaje pse u vranë, dhe nëse truproja i Ramush Haradinajt qenka qenë vrasësi i këtyre policëve, a dihet shkaku i vërtete i këtyre vrasjeve dhe a ishte ai i vetëm që e ka përgatitur dhe i ka kryer ato vrasje të policëve?’, vlerëson Tërnava. 

Image
Hajrullah Tërnava

Ai thotë më tutje se shpjegimet për këto dy vrasje janë të mangëta-varfra pasi nuk dihet se a ka pasur vepër-kryesi i këtyre vrasjeve në fjalë ndonjë konflikt më parë me këta policë?. 

“Kjo sepse sot e nga ajo kohë e këtyre vrasjeve, prapë këto vrasje kanë mbetur enigmatike dhe të pazbuluara deri në fund. Në ato kohëra para se me ndodhë këto vrasje, ishte përfolur se policët në fjalë Isufi dhe Sebahatja kishin qenë në hulumtimin e vrasjes së Tahir Zemes në vitin 2003, dhe për këto hulumtime kishin shkruar edhe gazetat në atë kohë, që policët në fjalë ishin para përfundimit të hetimeve dhe kompletimit të dosjes së vrasjes së Zemajt. Në këto pa shpjegime të këtyre vrasjeve, që opinionin edhe sot e mundon situata e pa zbuluar në detaje për këto dy vrasje, qartë shihet se gjyqësia dhe prokuroria bartin fshehtësinë e këtyre vrasjeve, dhe nga këtu vërehet se situatat disa vjeçare e pas-luftës ishin të “kapura nga pushtetarët“ prandaj dyshimet për këto vrasje qëndrojnë mu në institucionet shtetërore si gjyqësi dhe prokurori të asaj kohe, sepse gjithsesi është dashur të zbulohen në tërësi vrasja e atyre policëve e sidomos kur ishte në pyetje veprimtaria hetuese ndaj rastit që u cekë më lartë”, thekson Tërnava. 

Ai thotë po ashtu, se edhe pas kaq viteve, këto raste konsiderohen enigmatike, prandaj pa një gjyqësi dhe prokurori të pastër që punojnë në baza të ligjeve dhe kushtetutës së vendit, nuk mundemi të jemi të kënaqur në punën e atyre institucioneve që punojnë për interesa të tyre dhe të atyre personave të “mëdhenjve në pushtet” . 

“Prandaj kjo gjendje sikur që ishte deri më tani këtij vendi i ka kushtuar shumë dëme, sepse jemi i vetmi shtet deri më tani më i izoluar, dhe pa liberalizim të vizave, si dhe të anashkaluar në shumë anëtarësime të institucioneve ndërkombëtare. Tani kërkohet nga prokuroria që t’i rifilloj hetimet zyrtare deri në zbardhjen e këtij rasti në tërësi, dhe e vërteta lidhur me këtë rast të zbardhet në tërësi”, vlerëson Tërnava për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat