A ka shpresë për marrëveshje Kosovë- Serbi, pas zgjedhjeve serbe/ Flet eksperti amerikan për Çështjet e Ballkanit Perëndimor

Politika

A ka shpresë për marrëveshje Kosovë- Serbi, pas zgjedhjeve serbe/ Flet eksperti amerikan për Çështjet e Ballkanit Perëndimor

Nga: Naile Ejupi Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 12:16
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor, por vetëm në territorin e tyre dhe jo në Kosovë, këtë e ka konfirmuar komisioni për zgjedhje në Serbi.

Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviq, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë do të mund të votojnë në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Turin më 17 dhjetor.

Ai ka shtuar se kanë marrë një njoftim se “nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë që do të ishte në përputhje me rregulloret ligjore”.

Ka qenë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ditë më parë ka thënë se që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve serbe duhet kërkesë nga Beogradi dhe marrëveshje në mes të dyja shteteve.

Ndërsa, të martën Kurti ishte takuar me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, derisa këtij të fundit ia ka bërë të qartë se pa marrëveshje ndërshtetërore nuk mund të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në një njoftim për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, ata diskutuan për progresin në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend.

Gjersa zgjedhjet e reja parlamentare u shpallën më 1 nëntor, këto janë të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.

Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. 

"Bota sot", ka pyetur ekspertin e Çështjeve për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben- Meir nëse ka “shpresë” për qeveri të re në Serbi pa Vuçiqin, qeveri kjo që do t’i hapte rrugë një marrëveshjeje me Kosovën.

Ai nuk shpreh optimizëm për ndryshim.

Sipas tij, Vuçiq mund të fitojë në zgjedhjet dhe të formojë një qeveri të re.

“Mjerisht, nuk ka asnjë udhëheqës popullor të opozitës që në fakt mund të konkurrojë me Vuçiqin. Është e vërtetë që Vuçiq ka probleme të rëndësishme të brendshme, veçanërisht në lidhje me ekonominë dhe ndjenjën e përgjithshme të publikut për tensionin e vazhdueshëm me Kosovën, për të mos folur për luftën e furishme në Ukrainë. Vuçiç mund të fitojë zgjedhjet dhe të formojë një qeveri të re. Nëse një qeveri e re do të jetë apo jo më e përshtatshme për të ndryshuar politikën e saj ndaj Kosovës, mbetet për t'u parë”, deklaron Meir.

Image
Alon Ben- Meir

Tutje, sipas tij, një ndryshim në qeveri, qoftë edhe me të njëjtin lidership do të tregonte një zbutje të konfliktit me Kosovën.

“Megjithatë, dihet mirë se një ndryshim në qeveri, qoftë edhe me të njëjtin lidership, mund të tregojë njëfarë fleksibiliteti drejt zbutjes së konfliktit me Kosovën. Vuçiq e di se Kosova është një fakt i jetës dhe përderisa ai ende aspiron anëtarësimin në BE, nuk besoj se ai do të kërkojë qëllimisht të përkeqësojë marrëdhëniet me Kosovën sapo të formojë një qeveri të re”, shton Meir.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat