“Ftohje” e raporteve Kurti-Rama, analisti nxjerr “fajtorin” dhe përmend edhe Haradinajn

Politika

“Ftohje” e raporteve Kurti-Rama, analisti nxjerr “fajtorin” dhe përmend edhe Haradinajn

Nga: H.O. Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 20:09
Ramush Haradinaj/ Edi Rama

Qani Nuhiu, politolog nga Maqedonia në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka komentuar raportet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Nuhiu thotë se, është në favor të Kosovës që të ketë raporte të mira me qeverinë e Shqipërisë, pasi Shqipëria është si faktor diplomatik rajonal.

Tutje, ai e sheh mjaftë shqetësuese raportet mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij, ‘plasaritja’ filloi që nga mandati i ish kryeministrit Haradinaj.

Image
Qani Nuhiu

“Pa dyshim se do të ishte në favor të Kosovës që të ketë relacione të mira me qeverinë e Shqipërisë, pasi Shqipëria paraqitet si faktor diplomatik rajonal që gjithsesi mund të ndikojë në tejkalimin e vështirësive të Kosovës me Serbinë. Shqipëria, pra, është shtet anëtar fuqiplotë në NATO, pastaj anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (dy herë ka kryesuar me Këshillin e Sigurimit), paraprakisht në vitin 2020, Shqipëria pati mundësinë të kryesonte me shumë sukses OSBE-në. Më tej, më 11 tetor 2023 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026. Shqipëria gjithashtu, në datë 9 nëntor 2023 ka fituar statusin e shtetit kandidat për hyrje në Bordin Ekzekutiv të UNESCO. Pra siç shihet të gjitha këto janë organizata me shumë relevancë dhe duke marrë për bazë faktin se Shqipëria ka një klasë diplomatësh shumë të përgatitur dhe me mjaft përvojë, ajo mund të ndihmojë shumë edhe me lobim ndërkombëtar në interes të Kosovës”.

“Çështje mjaft shqetësuese janë raportet në mes të kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës që në kuptimin institucional pati “plasaritje” që nga fundi i mandatit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, e cila rezultoi me padi gjyqësore të Ramës kundër Haradinajt”, vlerëson Nuhiu.

Ai thotë më tutje se, aktualisht edhe raportet në mes të kryeministrave Rama e Kurti janë “të ftohta”, por duhet potencuar edhe diçka, se gjendja e këtillë e pa-lakmueshme e raporteve në mes të dy kryeministrave, nuk është vetëm çështje e egos personale dhe protagonizmit të tyre, por është edhe e natyrës të divergjencave parimore edhe konceptuale politike.

E them këtë, pasi në mes të Ramës dhe Kurtit ka dallime për raportet me Serbinë, qoftë për mënyrën e udhëheqjes së dialogut aktualisht, qoftë për marrëdhëniet për në të ardhmen në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Ka pra, disa situata konkrete që kanë “kontribuar” që raportet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë të jenë të tilla, edhe duke filluar nga përkrahja e Edi Ramës për korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, pastaj qasja e Ramës për “Ballkanin e hapur” dhe kundërshtimi kategorik i Kurtit për këtë, më pas erdhi propozimi i draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa i njoftuar fare paraprakisht udhëheqësit e Kosovës. Ndodhi edhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila pritej të mbahet më 14 qershor 2023 në Gjakovë u anulua një ditë para mbajtjes. Pastaj ka pasur edhe disa deklarata e momente tjera nga të dyja anët që nuk shkonte në favor të bashkëpunimit në mes të Ramës dhe Kurtit dhe qeverive të tyre. Pra fajtor për këtë “ftohje” të raporteve, pikësëpari janë dallimet politike dhe konceptuale, por pa u përjashtuar edhe animozitetet personale në mes tyre. Këto divergjenca dhe mosmarrëveshje, në interes të Kosovës e Shqipërisë gjithsesi se duhet të tejkalohen sa më pare”, vlerëson ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat