Pezullimi i vizitave për Thaçin, Veselin dhe Selimin, flasin analistët - vendimin e ndërlidhin me arrestimet e reja!

Politika

Pezullimi i vizitave për Thaçin, Veselin dhe Selimin, flasin analistët - vendimin e ndërlidhin me arrestimet e reja!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 nëntor 2023 Në ora: 10:07
Thaçi dhe të tjerët

Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit i është pezulluar çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar, pasi sipas Speciales, tre të akuzuarit kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidencialet tek personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi (“Tre të akuzuarit”) kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në parashtrimet e Kimberly West.

Shantazh ndaj Speciales

Image
Gani Qarri

E sipas analistit Gani Qarri, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë provuar që ta shantazhojnë Gjykatën Speciale ashtu siç kishin vepruar edhe me gjykatat në Kosovë.

“Meqenëse në parim thuhet, që Gjykata Speciale funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, duket se e kanë keqkuptuar plotësisht qasjen dhe konceptin e funksionimit të saj, duke menduar se edhe Gjykata Speciale në Hagë, njëjtë si gjykatat e shantazhuara nga ata në Kosovë, për ligj të veprimit, kanë urdhrat e tyre dhe jo parimet juridike, që parasheh ligji shtetëror për veprim të gjykatave në një vend evropian. Madje sipas informatave të konfirmuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale në Hagë, bëhet e ditur se pas një hetimi të brendshëm, është dëshmuar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë thyer edhe rregullat e kësaj gjykate, duke shpërndarë provat konfidenciale dhe zbuluar identitetin e dëshmitarëve të fshehtë, përmes atyre që i kanë vizituar ata në burg”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Qarri thotë se veprimet e tre të akuzuarve, quan edhe në arrestimet e fundit që ndodhën në Kosovë, krejt kjo për shkak të frikësimit të dëshmitarëve.

“Ç'është e vërteta, pikërisht kjo ishte edhe arsyeja, që vetëm para pak kohe, fillimisht nisi konfiskimi i telefonave celular e më pastaj ndodhi edhe arrestimi i një numri personash të caktuar, në anë të ndryshme të Kosovës, të lidhur drejtpërsëdrejti me grupin e të burgosurve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në Hagë. Sapo të arrestuarit, u akuzuan për kërcënim shantazhim dhe frikësim të dëshmitarëve, emrat e të cilëve, duket se ata i paskan mësuar nga vet të akuzuarit e burgosur nga Gjykata Speciale në Hagë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi etj, të cilëve sipas Gjykatës, po për këtë shkak, iu ndaluan përkohësisht edhe komunikimet dhe vizitat në Hagë”, thekson Qarri.

“Nga Gjykata kjo duket se po konsiderohet edhe si dëshmi që Hashim Thaçi dhe të tjerët janë fajtor, për ato që akuzohen, prandaj edhe po tentojnë të ndikojnë me çdo mjet e mundësi tek dëshmitarët, kështu që trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të pezullojë, çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar për të tre-të arrestuarit nga Gjykata Speciale”, shton Qarri.

Por a janë në rrezik dëshmitarët në Kosovë?

“Marrë parasysh konfiskimin e telefonave, kompjuterëve disqeve të kompjuterëve smartofonëve etj si dhe arrestimin e disa personave, pikërisht me akuzën për frikësim, kërcënim dhe shantazhim të dëshmitarëve, si dhe vendimin e Gjykatës për ndalimin e përkohshëm të vizitave dhe komunikimeve, të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kjo masë duket se u ndërmor për evitimin e ndikimit në dëshmitar, rrezik që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë konsiderojnë se edhe më tej ekziston, përndryshe nuk do të kishte arsye të ndodhnin arrestimet e personave të lidhur me ta dhe as nevojë tu ndaloheshin vet Thaçit, Veselit e Selimit vizitat, e madje edhe komunikimet, me persona nga jashtë”, përfundon analisti Gani Qarri.

Ndikimi te dëshmitarët

Kurse njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri thekson se tre të akuzuarit provuan që përmes njerëzve të tyre të ndikojnë tek dëshmitarët.

Image
Nexhat Haziri

“E kam thëne edhe më parë se ka përpjekje për t’i identifikuar dëshmitarët dhe për të ndikuar ne dëshmitë e tyre nga njerëz të afërt me të akuzuarit në Hagë dhe mbi bazën këtyre veprimeve për të ndikuar në këtë proces, Gjykata Speciale ka marrë vendim për ta aprovuar kërkesën e prokurorisë për ta bërë selektimin e vizitave për Thaçin, Veselin dhe Selimin”, thotë Haziri.

“Këto veprime nga palët e akuzuar në drejtim të dëshmitarëve janë tregues se kjo gjykatë nuk është ngritur mbi pretendime e dëshmi te rrejshme siç po pretendohet të paraqitet në opinion. Por, se a janë fajtorë apo jo, këtë e vendos gjykata”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat