Vjen “lajmi i keq” për Thaçin, Selimin e Veselin, paralajmëron juristi nga Belgjika: Pas këtij veprimi, do përballen me pasoja të mëdha!

Politika

Vjen “lajmi i keq” për Thaçin, Selimin e Veselin, paralajmëron juristi nga Belgjika: Pas këtij veprimi, do përballen me pasoja të mëdha!

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2023 Në ora: 08:32
Krerët e UÇK-së në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka bërë të ditur se pas një hetimi brenda Speciales, ka zbuluar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë thyer rregullat duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të fshehtë dhe duke ndarë prova konfidenciale.

Sipas Prokurorisë Speciale janë zbuluar prova të tentativave për të penguar drejtësinë, duke përfshirë udhëzime nga të akuzuarit për mënyrën se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe përpjekje për të ndikuar në qasjen ndaj dëshmitarëve.

Si rezultat i kësaj, Prokuroria ka kërkuar të ndalohet komunikimi mes të akuzuarve, e po ashtu pezullimin e të gjithë komunikimeve të jashtme, si dhe monitorimin e rreptë të komunikimeve të lejuara brenda Speciales.

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai u shpreh se anulimi i vizitave dhe komunikimeve për ish-krerët e UÇK-së, erdhi pasi ata zbuluan identitetin e dëshmitarëve, ku me këtë rast shkelën Urdhërat e Trupit Gjykues, që sanksionohen me ligj.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

“Ditë më parë, edhe pse disa familiarëve dhe miqve të të akuzuarve të Hagës iu kishin konfirmuar vizitat nga Njësia e Paraburgimit, Dhomat e Specializuara i anuluan të gjitha këto vizita. Këto anulime u bënë në bazë të parashtrimeve të Kryeprokurores së Specializuar, Kimberly Ëest, me pretendimin se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ua kishin zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidenciale personave që i kishin vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, me çka të akuzuarit kishin shkelur Urdhërat e Trupit Gjykues, që sanksionohen me ligj. Madje thuhet se Prokuroria Speciale, në bazë të hetimeve, ka zbuluar se ka patur përpjekje të vazhdueshme për t’i dhënë udhëzime vizitorëve se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët”, deklaroi ai.

Musliu mbështeti masat e Speciales që iu vendosen Thaçit dhe të tjerëve, pasi vlerëson se ata do ndikojnë në parandalimin e ndërhyrjeve të tjera.

“Në bazë të këtyre parashtresave të Prokurorisë, Trupi Gjykues ka urdhëruar të ndërmirren disa masa preventive dhe të përkohshme për kufizimin e vizitave dhe komunikimin e të akuzuarve, duke konsideruar se kjo është konform rrezikut për integritetin e proçesit gjyqësor. Gjykoj se, masat e vendosura nga Gjykata Speciale, janë të domosdoshme, proporcionale dhe ligjore që do të ndikojnë në parandalimin e ndërhyrjeve tjera të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të procedurave dhe procesit gjyqësor në vazhdim, si dhe sigurimin e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe materialeve konfidenciale.

E gjithë kjo u zbulua kur një nga dërshmitarët e mbrojtur ishte kontaktuar nga dy persona, që ia kishin dorëzuar mesazhin për t’a tërhequr dëshminë e tij, i cili rastin e kishte paraqitur në Prokurorinë Speciale, kurse kjo e fundit, me Urdhër të Gjykatës Speciale, të akuzuarit i kishte vendosur nën përgjim”, theksoi juristi nga Belgjika.

Sipas tij, janë disa faktorë të cilët ndikuan në vendimin e Prokurorisë Speciale.

Ai tha se ekzissojnë edhe detaje të reja por që Specialja refuzon t’i bëjë publike në këtë fazë të gjykimit.

“Por, në çka konsistojnë konkretisht këto pretendime të Prokurorisë Speciale?!  Gjatë inicizimeve të bisedave të akuzuarve me vizitorët, Prokuroria Speciale ka konstatuar se: të akuzuarit kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur; iu kanë shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale; kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të penguar procedimet duke iu dhënë udhëzime vizitorëve se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në favor të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit; që dëshmitarët t’i ndryshojnë deklaratat; Thaçi përmes vizitorëve ka kërkuar që dëshmitarët t’a minimizojnë lidhjen e tij me Shtabin e Përgjithshëm; që t’i mohojnë disa fakte që kanë të bëjnë me strukturën organizative të UÇK-ës ; që dëshmitarët të deklarohen me «nuk e di, nuk më kujtohet; të dëshmojnë më butë, t’i ndryshojnë dëshmitë në favor të akuzuarve; të mos dëshmojnë fare; për t’a shpallur Adem Demaçin si njeriun kryesor dhe bosin e UÇK-së; gjatë vizitave të akuzuarit kanë lëshuar muzikë për mos me iu deshifruar bisedat; sigurisht se ka edhe detaje tjera që Prokuroria Speciale në këtë fazë nuk i bënë publike, por gjatë procedurës në momentin e duhur do t’i përdorë si argumente shtesë”, vlerësoi Musliu.

Në vazhdim, juristi nga Belgjika kritikoi ashpër PDK-në dhe reagimet e saj kundër Gjykatës Speciale.

Derisa, potencoi faktin se përmes gjuhës populiste dhe pseudo-patriotike, vetëm se i bëjnë dëm të akuzuarve.

“Pas anulimit të këtyre vizitave, në Kosovë kishte shumë reagime, më e zëshme ishte PDK-ja, e sidomos garnituara e konsumuar dhe e inkriminuar, duke përdorur fjalë fyese për Gjykatën Speciale, e cila ishte edhe sponzoruese e kësaj gjykate. Këta politikan të papërgjegjshëm, për poena politik, përmes kësaj gjuhe populiste dhe pseudo-patriotike, vetëm se i bëjnë dëm të akuzuarve, sepse këto kritika të rënda, që nuk po i ceki, për Prokurorinë Speciale mund të paraqesin presion mbi proçesin gjyqësor, rrjedhimisht është një formë e ndërhyrjes në drejtësi, që po ashtu sanksionohet me ligj. Politikanët e inkriminuar duhet t’a dijnë se, edhe pse Dhomat e Specializuara janë nën jurisdiksionin e Drejtësisë së Kosovës dhe punojnë me legjislacionin e Kosovës, ajo në mënyrë të pakrahasueshme dallon nga gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, të cilat janë emëruar nga Pronto mafia dhe politikan të inkriminuar, që kanë qenë në shërbim të politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, shpjegoi ai.

Më tej, Musliu, paralajmëroi se Thaçi, Selimi dhe Veseli, mund të përballen me pasoja të mëdha në fund të gjykimit, pasi kanë lënë shumë gjurmë dhe dyshime me informatat që ia kanë përcjellë vizitorëve në lidhje me dëshmitarët.

“Porositë që të akuzuarit në fjalë, me përjashtim të Jakup Krasniqit, ia kanë përcjellë vizitorëve, për t’ia transmetuar dëshmitarëve ose familiarëve të tyre, paraqesin ndërhyrje të rëndë, direkte dhe shumë serioze në procesin gjyqësor, që sigurish do të ketë pasoja të mëdha gjatë marrjes së Aktgjykimit në fund të këtij procesi gjyqësor. Gjykoj se këto veprime të të akuzuarve, do të përforcojnë dyshimet për pretendimet e Prokurorisë Speciale, se ata vërtetë mund të jenë përfshirë në veprat penale për të cilat ata akuzohen. Personalisht, dyshoj se të akuzuarit, me këto veprime, prapa tyre kanë lënë shumë gjurmë dhe dyshime”, u shpreh juristi nga Belgjika.

Në fund, tha se ndërhyrjet që janë bërë te dëshmitarët e mbrojtur “kanë aq rëndësi të madhe, sa që do të zënë vend të rëndësishëm në arsyetimin eventual të Aktgjykimit definitive”

“Me keqardhje konstatoj se, ka avokat që nëpër televizione të ndryshme, këto ndërhyrje të akuzuarve tek dëshmitarët e mbrojtur, po i relativizojnë, që është një gabim profesional, sepse ata po e neglizhojnë faktin se bëhet fjalë për ndërhyrje flagrante në procesin gjyqësor që mund të ketë ndikim të madh në rezultatin përfundimtar në vendimmarrje. Prokuroria Speciale është në dijeni të plotë se edhe para paraburgimit të të akuzuarve, ka patur ndërhyrje tek dëshmitarët potencial, përmes presioneve, shantazheve madje edhe likuidimeve në rrethana misterioze të dëshmitarëve, prandaj ndërhyrjet në administrimin e proçesit gjyqësor do ta vështiërsojnë mbrojtjen e të akuzuarve.

Mendoj se, këto ndërhyrje tek dëshmitarët e mbrojtur dhe bërja publike e dokumenteve të klasifikuara kanë aq rëndësi të madhe, sa që do të zënë vend të rëndësishëm në arsyetimin eventual të Aktgjykimit definitiv”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat