Mesazhi që përçoi Petritsch me deklaratën e tij – ky është parashikimi për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi!

Politika

Mesazhi që përçoi Petritsch me deklaratën e tij – ky është parashikimi për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 dhjetor 2023 Në ora: 09:31
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Dialogu Kosovë – Serbi po vazhdon ende pa një rezultat përfundimtar. 

Së fundmi, presidenti i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, është skeptik se do të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi edhe gjatë vitit 2024. 

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme të sivjetme në Serbi dhe zgjedhjet e rregullta gjatë vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se s’do të ketë përparim konkret në dialog, në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. 

Sipas tij, viti i ardhshëm më shumë do të fokusohet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve dhe në tërësi rajonit. 

Petritsch mirëpret shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë, për të parandaluar siç thotë ai incidente sikur ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. 

“Unë jam shumë skeptik për momentin. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se në Serbi ka zgjedhje, zgjedhjet janë pothuajse kohë të kontestimeve të forta dhe shkeljes së rregullave themelore demokratike. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ndër të tjera ai. 

Në lidhje me këtë deklaratë gazeta “Bota sot” diskutoi me analistët politikë.  

Mehazi: Viti 2024, do jetë vit i moratoriumit dialogues ndërkombëtar, e një pauze të përkohshme të SHBA-ve dhe BE-së të dialogut, Kosovë-Serbi 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi. 

Ai thotë që është e logjikshme shqetësimi që Petritsch shpreh për skepticizëm në dialogun Kosovë – Serbi. 

Sipas profesorit, viti 2024 do të jetë vetëm në mbrojtje të veriut të Kosovës. 

Image
Profesori Sulejman Mehazi. 

“Rrjedhat politike të shteteve ish-jugosllave dhe të Ballkanit Perëndimor në kontinuitet që nga Rambuje e 1999 e deri më tani më së miri i njeh Presidenti i tanishëm i Institutit Austrik për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, i cili gjatë intervistës shprehu një lloj skepticizmi dhe dyshimi marrëveshje se gjatë vitit të ardhshëm, 2024, nuk do ketë përparime dialoguese në mes Kosovës dhe Serbisë dhe se qëllimi parësor i BE-së dhe SHBA-së është që gjatë 2024 të ruhet paqja duke dërguar forca shtesë të KFOR-t në veri të Kosovës. 

Është e logjikshme se dialogu në mes Kosovës e Serbisë do zgjasë deri më 2025 dhe se qëllimi i 2024 për evropianët e amerikanët do jetë që veriu i Kosovës të mbrohet e sigurohet nga ekseset ekstremiste serbe dhe se përparimi i procesit dialogues, Kosovë-Serbi, mund të zgjas deri më 2025. 

Është më se e sigurt se përveç zgjedhjeve parlamentare që do mbahen në dhjetor të këtij viti në Serbi, në vitin e ardhshëm të 2024 do mbahen zgjedhjet presidenciale edhe në SHBA, po ashtu dhe zgjedhjet e BE-së, kështu që fuqitë e mëdha gjatë 2024 do jenë të koncetruara se kush do bëhet president i SHBA-ve dhe nga cilët do udhëhiqet BE-ja”, shpjegon profesori. 

Ndër të tjera ai shton se dialogu i mirëfilltë në mes Kurtit dhe Vuçiqit do të fillojë më 2025. 

“Kështu që zgjedhjet parlamentare në Serbi, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe zgjedhjet e parlamentit të BE-së gjatë 2024 do anashkalojnë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe se dialogu i mirëfiltë në mes Kurtit e Vuçiqit do fillojë më 2025. 

Me një fjalë viti, 2024, do jetë vit i moratoriumit dialogues ndërkombëtar, e një pauze të përkohshme të SHBA-ve dhe BE-së të dialogut, Kosovë-Serbi”, foli Mehazi për “Bota sot”. 

Burjani: Perëndimi nuk dëshiron ta njoh Serbinë që është raciste 

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Perëndimi nuk dëshiron ta njoh Serbinë që është raciste, por se ai nuk pret që sjelljet serbe të ndryshojnë. 

Image
Juristi Blerim Burjani

“Ka të drejtë në skepticizëm  duke njohur Serbinë dhe politikën  ndaj Kosovës mospranimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës. Perëndimi nuk dëshiron ta njoh Serbinë që është raciste, uzurpator i tokave, luftënxitëse, pra normal se as unë nuk pres që sjelljet serbe do të ndryshojnë. Kosovës duhet anëtarësim i shpejtë në NATO. Vetëm atëherë Serbia e  kuptojnë se Kosova për të është  humbur përgjithmonë”, shprehet juristi. 

Në fund, ai shton që Perëndimi duhet të gjej model imponues të përhershëm për Serbinë për zgjidhje të përhershme me Kosovën. 

“Serbisë i intereson si politikë afat shkurtër themelimi i asociacionit, pastaj me vazhdojë tutje. Perëndimi duhet të gjej model imponues të përhershëm për Serbinë për zgjidhje të përhershme, ndryshe është humbje kohe me organizu lojëra pa kufij të takimeve të kota pa zgjidhje”, përfundoi Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat