Profesori amerikan ‘jep detaje’ se çka parasheh asociacioni, tregon nëse duhet të pranohet pa njohje nga Serbia

Politika

Profesori amerikan ‘jep detaje’ se çka parasheh asociacioni, tregon nëse duhet të pranohet pa njohje nga Serbia

Nga: Naile Ejupi Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 21:04
Charles Kupchan

Kanë mbajtur pak takime gjatë këtij viti, e shumë tensione në mes palëve, por dialogu Kosovë – Serbi vazhdon të jetë kryetema e bisedave të zyrtarëve perëndimorë në takimet e tyre si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Të hënën kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, zhvilloi një vizitë në Beograd nga ka thënë se Roma e mbështet fort procesin e dialogut.

“E di se Serbia do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive në dialogun me Kosovën. Italia e mbështet fort këtë proces dhe ne po punojmë që të vijë deri te realizimi i të gjitha obligimeve që palët kanë marrë mbi vete” ka thënë ajo. 

Sa i përket dialogut Kosovë- Serbi dhe pritshmërive për të pas sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe takimit të fundit në Bruksel pa marrëveshje, ka folur edhe profesori në universitetin Georgetoën dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, i cili thotë se Perëndimi do të vazhdojë t'i bëjë presion Prishtinës dhe Beogradit për të marrë vendimet e vështira të nevojshme për zbatimin e planit të BE-së.

Sipas tij, edhe gatishmëria e NATO-s për të rritur përmasat e misionit të saj në Kosovë është një shenjë e vendosmërisë dhe vullnetit të Perëndimit

“Udhërrëfyesi i BE-së mbetet loja më e mirë dhe e vetme në qytet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht pengesave të fundit, Perëndimi do të vazhdojë t'i bëjë presion Prishtinës dhe Beogradit për të marrë vendimet e vështira të nevojshme për zbatimin e planit të BE-së. Gatishmëria e NATO-s për të rritur përmasat e misionit të saj në Kosovë është një shenjë e vendosmërisë dhe vullnetit të Perëndimit për të rritur praninë e tij në shërbim të parandalimit të dhunës së mëtejshme dhe avancimit të kushteve të qëndrueshme që nevojiten për Prishtinën dhe Beogradin për të ecur përpara”, shprehet Kupchan për “Bota sot”.

Nëse ndalemi të takimi i Melonisë dhe Vuçiqit, kujtojmë se Italia si vend i është bashkuar Francës e Gjermanisë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këto tri shtete kanë propozuar një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në takimet që Kryeministri Kurti dhe Aleksandar Vuçiq kanë pasur me tre liderët evropianë Meloni, Macron dhe Sholz janë zotuar se do ta zbatojnë propozimin e tyre.

Marrëveshja e asociacionit po kërkohet urgjentisht që të formohet, ndërsa, profesori Kupchan, thotë se kjo marrëveshje parasheh “normalizim” të marrëdhënieve.

I pyetur nëse do të duhej të pranohej asociacioni pa njohje nga Serbia, ai shprehet se njohja vjen në fazat e mëvonshme.

“Plani i BE-së parasheh një sekuencë hapash, me gatishmërinë e Kosovës për të miratuar asociacionin e komunave serbe që çon në gatishmërinë e Serbisë për të "normalizuar" marrëdhëniet me Kosovën. Njohja formale e Kosovës nga Beogradi ka të ngjarë të vijë në një fazë të mëvonshme, përpara pranimit të Serbisë në BE. Nëse Gjykata Kushtetuese do ta konsideronte të papranueshme projekt-marrëveshjen, ky konstatim do të zmbrapste dhe do të vononte përparimin në dialogun Kosovë-Serbi”, shton Kupchan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat