“Prokuroria t’i hetojë këto fakte”, Bytyçi flet për lidhjet e Radoiçiqit me qeveritë e kaluara, hedh disa dyshime të forta!

Politika

“Prokuroria t’i hetojë këto fakte”, Bytyçi flet për lidhjet e Radoiçiqit me qeveritë e kaluara, hedh disa dyshime të forta!

Nga: A.M. Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 11:31
Milan Radoiçiq

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Megjithatë, ka dyshime mbi faktin se a do pranojë Serbia ta dorëzoj kryekriminelin Radoiçiq.

Dihet se, Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Së pari, ai u shpreh se shteti serb tentoi ta mbrojë me çdo kusht liderin e terrorit në Kosovë, derisa përgëzoi qasjen e liderëve dhe policisë së Kosovës.

“Milan Radoiçiq ishte organizatori i aktit terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveqanit. Këtë e ka pohuar dy ditë pas ngjarjes vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi kishte patur një takim me Radoiçiq. Vuçiç, edhe pse e pranoi pjesëmarrjen (kuptohet drejtimin) e grupit terrorist në Banjskë të tij, sërishmi e mori në mbrojtje. Kur presidenti i dha mbrojtje e përkrahje, atëherë edhe gjykata e Beogradit i dha lirinë. Kësisoj Serbia u përpoq të mbrojë liderin e krimit terrorist në Kosovë, Radoiçiq.

Por nuk ndodhi kësaj here kështu edhe me Kosovën. Drejtuesit e shtetit në Kosovë, veçmas presidentja dhe kryeministri Kurti, e treguan me gisht kryekriminelin e veriut të vendit. E ngritën zërin fuqishëm në të gjitha panelet dhe mediet ndërkombëtare. I dhanë prova pa fund bashkësisë euro-atlantike për rolin e Radoiçiq në aktin terrorist të 24 shtatorit. Ndërsa policia e Kosovës me profesionalizëm të lartë e identifikoi që ditën e parë rolin e tij”, deklaroi profesori.

Image
Profesori Enver Bytyçi.

Po ashtu, Bytyçi tregoi arsyjen kryesore të dështimit të planit terrorist të Radoiçiqit dhe Vuçiqit.

Krahas kësaj, ai kërkoi që opozita të reflektojë dhe t’i pranojë sukseset e qeverisë dhe policisë, sidomos në agresionin e 24 shtatorit.

“Ky zhvillim, profesionalizmi dhe përgjegjësia e lartë e policisë dhe qeverisë së Kosvës në rastin e këtij akti, mbetet arsyeja kryesore pse Vuçiç dhe vegla e tij, Radoiçiq pësuan humbje dhe dështim të plotë në planin e tyre për destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e rrethanave të vështira për të, me synim ndarjen e vendit. Disa duan të vlerësojnë vetëm profesionalizmin e policisë. E bëjnë këtë veçmas opozitarët. Por unë mendoj se edhe opozita i rrit kredencialet e saj, nëse dëshmon pjekuri, objektivitet e maturi, deri në atë pikë sa ta vlerësojë edhe qëndrimin e qeverisë në raste të tilla. Sepse puna e qeverisë dhe e policisë janë të lidhura. Në fund të fundit ministri i Brendshëm është anëtar i kabinetit të Kosovës. Por është fakt se edhe kryeministri ka qenë gjithnjë në krye të situatës. Nëse do të dështonte aksioni kundër terrorizmit serb në Kosovë më 24 shtator, kjo opozitë do bënte fajtore qeverinë dhe jo vetëm policinë. Atëherë duhet njoftë edhe merita, jo vetëm dështimi”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori krahasoi raportet e Radoiçiqit me qeveritë e kaluara dhe qeverinë e tashme të Kurtit.

Sipas tij, ka qëndrime të kundërta, derisa kërkoi edhe hetime nga prokuroria për disa fakte të së kaluarës.

“Por le të kalojmë te Radoiçiq. Sërishmi, nëse i krahasojmë raportet e qeverisë së sotme dhe qeverive të kaluara me këtë kriminel tipik, do të shohim se qëndrimet janë krejt të ndryshme, madje të kundërta. Radoiçiq në kohën që vendin e ka qeverisur opozita kritike e mosvlerësuese edhe pse u akuzua dhe për të u lëshua një fletë arresti, që kishte të bënte me vrasjen e Oliver Ivanoviç, me të u bënë pakte, u bënë marrëveshje poshtëruese për Kosovën. Iu hoq edhe fletë arresti. Madje ai u thoshte bashkëpunëtorëve të tij se “prokurori Sylë Hoxha do të dalë në pension dhe menjëherë pas kësaj do t’i hiqej fletë arresti”! E njëjta ndodhi. Sapo Sylë Hoxha e la detyrën.

Këto janë fakte për të cilat vetë prokuroria duhej të kishte hetuar. Pse iu hoq fletë arresti? Kush urdhëroi? A interferoi politika dhe cili politikan bëri presion? Kosova ka nevojë për transparencë jo vetëm të kësaj qeverie, por edhe të qeverive të mëparshme. Kanë ndodhur çudira pro-serbe të mahnitshme. Ndërkaq askush nuk shqetësohet. Vetë opozita duhet të qartësojë pozicionin e saj në raport me Radoiçiq e më pas të rikërkojë votën për të ardhur në pushtet. Pa reflektim nuk duhet të ketë moral për rikthim”, shpjegoi Bytyçi.

Më tej, tha se urdhër-arresti ndaj Radoiçiqit u lëshua nga INTERPOL-i pas këmbënguljes së Kurtit të për t’u ndëshkuar pjesëmarrësit e agresionit të 24 shtatorit.

“Urdhëri i arrestit për Radoiçiq dhe 11 pjesmarrës të tjerë në aktin terrorist të Banjskës lëshuar nga ana Interpolit është pra kryesisht pasojë e këmbënguljes për të ndëshkuar autorët. Autori kryesor i kësaj këmbngulje është qeveria dhe kryeministri Kurti. Nuk e ka bërë këtë as opozita në Kosovë sa duhet, dhe nuk e ka bërë aspak qeveria e Tiranës. Ishte Kurti dhe Osmani që bindën kancelaritë europiane për fajësinë e Serbisë dhe për pasojë edhe Europolin e Interpolin për fajësinë e autorëve të atij akti. Por besoj se ka të bëjë edhe me njëlloj qëndrimi pak ndryshe ndaj Beogradit nga ana e Europës dhe SHBA-ve. Urdhëri i arrestit për këta eksponentë të krimit në Kosovë ka për qëllim që ti bëjë me dije presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se ora e ndryshimit të kursit të tij e vendit të tij ka ardhur. Dhe se duhet respektuar pikërisht kjo kohë. Shkurt që ai të firmosë marrëveshjen e Brukselit të shkurtit dhe aneksit të saj të Ohrit të marsit të këtij viti në mbyllje”, nënvizoi profesori.

Ndër të tjera, tha se fletarresti i INTERPOL-it është paralajmërim për Beogradin dhe dorëzimi i Radoiçiqit është test për shtetin e Vuçiqit.

“Pra, këtë urdhër arresti e shoh si përpjekje për të ndëshkuar krimin. E shoh si masë parandaluese për ngjarje të tjera të ngjashme. Po e shoh edhe si paralajmërim për qeverinë e Beogradit, për të ndryshuar qasjen dhe kursin pro-rus dhe për të përqafuar përfundimisht kursin e reformave demokratike pro euro-atlantike. Që do të thotë për të pranuar edhe realitetet politike në rajon, duke pranuar më së pari shtetësinë e Kosovës. Dorëzimi i Radoiçiq dhe të tjerëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar është test për Beogradin. Nuk pres se do ketë ndonjë veprim para 17 dhjetorit. Por pas kësaj date, kur do të votohet për parlamentin e ri dhe komunat, do të duhet të ndodhë dorëzimi i tyre”.

Ai tha se në rast se nuk dorëzohet Radoiçiqi, Serbinë e presin sanksione të ashpra.

“Nëse nuk ndodh dorëzimi, atëherë unë besoj se do të ketë sanksione ndaj Serbisë, sepse ajo është anëtare e Europolit e njëkohësisht Interpolit. A do t’i dorëzojë këta kriminelë Serbia në Kosovë. Këtë nuk di ta them. Ndoshta gjendet ndonjë formulë tjetër që përmes një vendi të tretë ata të shkojnë në Prishtinë. Por zgjidhja duhet dhënë. Serbia duhet të dorëzojë Radoiçiq-in dhe bashkë me të duhet të dorëzohet edhe vetë. Pas kësaj ajo vila e këtij krimineli në breg të Ujmanit bëhet lehtësisht një stacion policor modern”, përmbylli profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat