Profesori zbulon arsyen e numrit të vogël të votuesve shqiptarë - mesazh Arifit pas deklaratës që bëri ndaj Kurtit!

Politika

Profesori zbulon arsyen e numrit të vogël të votuesve shqiptarë - mesazh Arifit pas deklaratës që bëri ndaj Kurtit!

Nga: M.Haziri Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 08:06
Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në zgjedhjet e 17 dhjetorit morën pjesë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon - Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar”.

Numri i votuesve shqiptarë ka qenë shumë i vogël.

Ky numër i vogël i votuesve arriti të sjellë reagime të mëdha duke mos e parë të arsyeshme.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Ai u shpreh se këto zgjedhje do të duhej të shfrytëzoheshin për ta rrit rolin dhe ndikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pasi të njëjtit ndjehen shumë shpesh edhe të kërcënuar.

Image
Enver Bytyçi

Zgjedhjet që u zhvilluan sot në Serbi për parlamentin e ri dhe disa komuna, janë njoftuar me kohë si zgjedhje të parakohshme. Ato duheshin shfrytëzuar për ta rrit rolin dhe ndikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë. Këtë e dikton regjimi autoritar i Aleksandër Vuçiç, sepse në kushtet e këtij autoritarizmi nacionalist shqiptarët ndjehen jo vetëm të persekutuar e diskriminuar, por edhe të kërcënuar.

Situata e të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë e dikton doemos homogjenizimin politik dhe social të shqiptarëve në këtë trevë etnike të tyre. Regjistrimi i popullsisë dëshmoi se shqiptarët janë mbi 120 mijë gjithsej, nga 60-70 mijë që pretendohej më parë. Kjo do të thotë se numri i shqiptarëve është i mjaftueshëm për votime për të nxjerrë së paku dy, por jo me vështirësi edhe tre deputetë”, thotë ai.

Votimet e djeshme u zhvilluan në një mjedis dhe atmosferë përçarëse e ndarëse

Profesori më tej thekson që votimet sot kanë qenë me një mjedis përçarës dhe të ndarë.

Por koalicioni i deputetit aktual, Shaip Kamberi, dhe ai i kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk u bashkuan. Për pasojë votimet e djeshme u zhvilluan në një mjedis dhe atmosferë përçarëse e ndarëse. Nuk është e para herë që shqiptarët përçahen. Beogradi ka mundur të investojë gjatë një shekulli përçarjen e politike në Shqipëri. Mundi të përçajë politikën e Kosovës pas çlirimit nga sundimi serb në vitin 1999. Vetëm periudha dhjetëvjeçare prej 1989-1999, kur Kosovën e drejtoi LDK dhe presidenti historik, Ibrahim Rugova, Kosova ishte homogjene si kurrë më parë dhe si asnjë popull e komb tjetër në Evropë”, shprehet profesori.

Duke vazhduar bisedën profesori përmend një kronologji të situatës që ka filluar përçarja e shqiptarëve, duke përmendur këtu bashkëpunëtorët e Serbisë.

Mirëpo profesori bënë edhe një krahasim mes Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.

Disa politikanë që erdhën pas Rugovës ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe afruan njerëz po ashtu bashkëpunëtorë të Serbisë. Këta futën përçarjen që në periudhën e luftës. Disa drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhuan fort kundër Rugovës. Fryma kritike e tyre ishte përçarëse, jo konstruktive. Madje shpallën dhe lista vrasjesh dhe ekzekutimesh me „argumentin“ se këta njerëz të shenjuar për ndëshkim me jetë „ishin tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë“! Në atë listë futën në fakt patriotët. Edhe Rugovën! Kjo histori do të shënohet si turpi ynë kolektiv.

E njëjta gjë po ndodh prej kohësh në Luginën e Preshevës. Kush është djalli dhe kush është engjëlli? Aty kemi të bëjmë me dy grupime politike, atë të Shaip Kamberit dhe atë të Shqiprim Arifit. Mua më duhet të bazohem te faktet. Fakti është se deputeti i parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, asnjë moment nuk ka dëshmuar devijim nga kursi, idetë dhe politika e tij kombëtare pro shqiptarëve në Luginë e madje edhe në mbrojtje të së drejtës së Kosovës në raport me Serbinë. Ndryshe ka ndodhur me Shqipërim Arifin, i cili në deklarimet e tij është kritik ndaj zotit Kamberi, madje edhe zotit Kurti etj, por asnjëherë nuk u prononcua me kritika për politikat anti-shqiptare të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Arifi është rreshtuar me të gjithë shqiptarët e tjerë bashkëpunëtorë të Vuçiç, si p.sh, Edi Ramën e të tjerë”, shpjegoi Bytyçi.

Kur politika përçahet, qytetarët nuk kanë aftësinë të orientohen si duhet

Sipas profesorit deklarata e Shqipërim Arifit sot në zgjedhje si dhe “sulmet” ndaj Kurtit dëshmon që i njëjti nuk po kërkon unitet ndaj qytetarëve.

“Kjo është sëmundja, të cilën shqiptarët në Luginë e vuajnë edhe në këto votime. Kur politika përçahet, qytetarët nuk kanë aftësinë të orientohen si duhet. Duke munguar përqendrimi në pozicionin që ata duhet të marrin, gjejnë „rrugën e mesit“! Thjesht nuk shkojnë në kutitë e votimit. Kjo do të thotë se përçarja është shkaku kryesor i pjesëmarrëjes së ulët në këto zgjedhje. Dhe për mua njeriu më i interesuar për këtë është koalicioni më i dobët, d.m.th. ai i Shqipërim Arifit. I dobëti ka gjithnjë për natyrë të sabotojë fitoren e kundërshtarit, kur shohin se nuk e arrijnë atë. Edhe deklaratat e zotit Arifi ditën e votimit, ku në vend të bënte thirrje për rritjen e pjesëmarrjes në kutitë e votimit, fajësoi Albin Kurtin se gjoja ai „mbështet përçarjen“!

Ishte një deklaratë e llojit „tia them sa smë kanë thënë“! Pra një deklaratë për të evituar akuzat që shqiptarët do tia bëjnë atij si faktordhe aktor përçarjeje. Gjothmonë kam vërejt se kryetari i komunës së Preshevës është aktor dhe faktor i sponsorizuar nga Serbia për të qenë në atë pozicion. Fakti se ai refuzon gjithnjë bashkëpunimin me politikanët patriotë, përfundimisht e përforcon këtë bindje. Nuk është as i pari, as i fundit që ai sponsorizohet për të fraksionuar faktorin shqiptar”, thekson ai.

Profesori në fund shton që përfitues i vetëm i kësaj situae është Vuçiqi, pasi po dëshiron ta largoj zërin e Shaip Kamberit.

Nga ana tjetër përfituesi i kësaj situate është Serbia. Aleksandër Vuçiç ka interesa të veçantë ta eliminojë zërin e Shaip Kamberit në parlament. Ai nuk do të dëshironte kurrë që të përballej me diskutimet e në debat parlamentar me deputetin shqiptar, Kamberi. Për ta arritur këtë e vetmja mundësi ishte përçarja e faktorit politik në Luginë. Ndërkohë shqiptarët jetojnë në ndonjë dilemë, që i bën të jenë indiferentë ndaj procesit”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat