Motivet e vrasjeve që tronditën Kosovën gjatë vitit 2023, avokati flet për ekzekutimin tinëzar të Liridonës – ka një thirrje për institucionet e vendit

Politika

Motivet e vrasjeve që tronditën Kosovën gjatë vitit 2023, avokati flet për ekzekutimin tinëzar të Liridonës – ka një thirrje për institucionet e vendit

Nga: A.M. Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Gjatë vitit 2023, Kosova është tronditur me vrasje të shumta, e një nga më të rëndat ka qenë vrasja e Liridona Ademajt.

Më të rëndë, e bën fakti se e ndjera Liridona u vra me urdhër të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, ku ky i fundit kishte planifikuar dhe paguar vrasjen e saj.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja tronditëse, një nga elementet më të diskutuara të kësaj vrasje mizore ka qenë motivi që ka shtyrë Naimin për ta planifikuar vrasjen e gruas së tij.

Në lidhje me vrasjet e shumta që ndodhën gjatë këtij viti në vendin tonë foli avokati Skënder Musa.

Ai ndër të tjera tregoi se çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet e vendit për t’i parandaluar vrasjet.

Image
Skënder Musa.

“Sa i përket vrasjeve që kanë ndodhur kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë ndaj grave dhe femrave në Kosovë, por edhe vrasjet tjera, nuk mjaftojnë vetëm sanksionet penale.

Pasi, sanksionet penale në Kosovë janë jashtëzakonisht të larta dhe dënimet e shqiptuara për vrasje janë të rënda, nuk janë të lehta.

Mirëpo, duhet të shikohen edhe faktorët sociologjikë, duhet të bëhet edhe një fushatë më e madhe nga institucionet e vendit, që të vetëdijësohen qytetarët, për shkak se nga të gjitha veprat penale, vepra më e rëndë dhe më e liga është vrasja, qoftë e femrave, qoftë edhe e meshkujve. Po ashtu, tek të gjitha veprat tjera mund të dëmshpërblehet pasoja, mund të evitohen pasojat deri-diku, ndërkaq te vrasja nuk mund të evitohet pasoja, pasi kemi të bëjmë me humbjen e jetës së individit dhe ai pavarësisht dënimeve dhe dëmshpërblimeve njeriu që humb jetën nga kryerja e veprës penale, nuk kthehet në jetë”, deklaroi avokati.

Madje, Musa tha se në Kosovë u realizuan disa vrasje në mënyra që nuk kanë ndodhur më herët, derisa tha se mënyrat ishin shumë dinake.

Sa i përket vrasjes së Liridonës, ai tha se ekzekutimit i saj u realizua me një plan të detajuar dhe jashtëzakonisht tinëzar.

“Fatkeqësisht, është rritur numri i vrasjeve dhe po ndodhin disa vrasje që më herët nuk kanë ndodhur në Kosovë, por kanë ndërruar edhe motivet, kanë ndryshuar edhe mënyrat e kryerjes së vrasjes për shkak se në vendin tonë nuk ka pasur vrasje të shumta dinake apo tinëzare, siç ndodhën kohët e fundit.

Me të vërtetë ka qenë tronditëse vrasja e Liridona Ademajt, për shkak të mënyrës, organizimit dhe ekzekutimit të saj, me një plan të detajuar. Edhe pse në aspektin penal, juridik dhe kriminalistik, nuk ka qenë një përgatitje profesionale, mirëpo mënyra se si është marrë në shtëpi, është dërguar për darkë, pastaj është përcjellur vazhdimisht nga personi që është porositur për ta ekzekutar, aq sa dihet në këtë fazë të procedurës, ka qenë jashtëzakonisht dinake dhe tinëzare. Ka qenë vrasje në makinë ku kanë qenë fëmijët, edhe pse fëmijët nuk kanë qenë prezentë në momentin e ekzekutimit”, shpejgoi ai.

Ndër të tjera, avokati shtoi se nëse vërtetohen elementet e deritashme që dihen mbi vrasjen e Liridonës, padyshim që dënimi për të dyshuarit do të jetë kapital.

“Megjithatë, ka qenë vrasje që e ka tronditur Kosovën, dhe këtu pa asnjë dyshim, pavarësisht masave tjera që mund të merren nga institucionet për vetëdijësimin, këto vrasje duhet të ndëshkohen në bazë të dispozitave ligjore me dënime kapitale.

Duhet të presim, se çka do të vërtetojë prokuroria dhe policia deri në ngritje të aktakuzave, pastaj çfarë vendimi do të marrë trupi gjykues. Nëse vërtetohen elementet e deritashme që dihen, padyshim që dënimi do të jetë capital”, përfundoi Skënder Musa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat