“Dialog i dështuar”, BE dhe SHBA nuk arritën ta “gjejnë” formulën për paqe as në vitin 2023 – ja çka pritet të ndodhë në vitin 2024

Politika

“Dialog i dështuar”, BE dhe SHBA nuk arritën ta “gjejnë” formulën për paqe as në vitin 2023 – ja çka pritet të ndodhë në vitin 2024

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 janar 2024 Në ora: 18:00
Foto ilustrim, dialogu

Viti 2023 ishte me shumë dinamika, zhvillime, ku vëmendja më e madhe u orientua në raportet Kosovë-Serbi, më saktësisht në dialogun mes dy vendeve.

Në fillim të këtij viti, bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA intensifikuan përpjekjet e tyre dhe presionin tek palët për arritjen e një marrëveshjeje finale.

E për këtë ndërkombëtarët organizuan një takim në muajin mars për liderët e Kosovës e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.

Megjithatë, ishte Vuçiqi, ai që nuk pranoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke shprehur rezervat e tij, ku qartë kuptohej se nuk e kishte si qëllim përmirësimin e raporteve me Kosovën, aq më pak pranimin ej ndonjë marrëveshjeje.

Edhe pse kaluan dhjetë muaj nga pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, rezultate konkrete në zbatimin e saj nuk ka.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u ndërlikuan edhe më shumë pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh atje sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd.

Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

Pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve, ende nuk ka sinjale për sanksionim të Serbisë, apo ushtrim të trysnisë ndaj saj për ndaljen e provokimeve dhe kërcënimeve, me qëllim të fokusimit në dialogun për paqe.

Definitivisht, ky ishte një vit me plotë sfida dhe një ndër çështjet më të ndërlikuara ishte dialogun me Serbinë.

Mes paralajmërimeve për sulme të reja, kërcënimeve të ndryshme, mbetet të shihet nëse në vitin 2024, ndërkombëtarët do arrijnë ta gjejnë “formulën” për paqe dhe pse jo t’i bindin palët për nënshkrimin e një marrëveshjeje finale.

Ndonëse, me një person si Aleksandar Vuçiq, vështirë të besohet se mund të ketë zhvillime kyçe në këtë aspekt.

Bytyçi: Në fakt viti 2024 është më i favorshëm për Aleksandër Vuçiqin

E për këtë foli profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enverr Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Së pari, vlerësoi se fillimi i vitit 2023 ishte i suksesshëm në dialogun Kosovë-Serbi, derisa përmendi përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për arritjen e një marrëveshjeje, ku si zgjidhje e propozuan Marrëveshjen e Ohrit.

“Fillimi i këtij viti në shkuarje e sipër ishte i suksesshëm në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ishte koha kur SHBA-të dhe BE rritën presionin për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis të të dy vendeve prej dekadash në konflikt. Asokohe shihnim se si ndërmjetësit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe dy ndërmjetësit e Brukselit udhëtonin shpesh në Prishtinë e në Beograd, por edhe konsultoheshin midis tyre për të gjet një zgjidhje. Dhe e gjetën këtë zgjidhje të sintetizuar në atë që quhet Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit”, u shpreh ai

Gjithashtu, Bytyçi potencoi se në muajin shkurt u duk sikur dy vendet më në fund po arrinin paqe, por që ishte vetëm një gënjeshtër, pasi Vuçqi nuk e nënshkroi aneksin e Ohrit.

Përveç kësaj, ai përmendi edhe qasjen agresive të palës serbe në dialogu, ku përveç kësaj u organizuan veprime e sulme terroriste në veri nga bandat kriminale serb.

“Në shkurt nisi një epokë e re. U duk se Serbia dhe Kosova do të jetonin përfundimisht në paqe. Por ishte sërishmi një rrenë e madhe. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk nënshkroi. Lajçak dhe Borrell thanë se pavarësisht kësaj, angazhimi verbal është detyrim për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe aneksit të Ohrit. Në fakt, megjithëse kam lexuar literaturë pafund për të drejtën ndërkombëtare, megjithëse shfletova me kujdes gjithë tekstin universitar në gjermanisht “Einfuehrung in Voelkerrecht”, nuk munda të gjej asnjë rast analog, kur marrëveshjet gojore të konsiderohen si detyrim për palët në dialog. Pavarësisht kësaj, Borrell e dërgoi marrëveshjen e shkruar prej tij, palës gjermane e franceze në Këshillin e Europës dhe ajo marrëveshje u bë pjesë e kërkesave të BE-së për anëtarësimin dhe integrimin e Serbisë dhe Kosovës.

Presidenti i Serbisë nuk u shqetësua për këtë zhvillim. Tha se kishte të sëmurë dorën e djathtë, ndaj dhe nuk do të nënshkruante sa kohë do të ishte në krye të shtetit të Serbisë dhe e mbajti fjalën. Para pak javësh ai hodhi poshtë me shkrim obligimin e tij për ta njohur de facto pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa para disa muajsh organizoi aktin terrorist të Banjskës, akt në të cilin humbi jetën një polic i Kosovës. Të gjitha veprimet e Beogradit gjatë gjithë vitit shkuan në drejtimin e kundërt të përpjekjeve euro-amerikane për t’i dhënë fund konfliktit me Kosovën” – shpjegoi profesori.

Krahas kësaj, ai foli edhe për presionin që emisarët ndërkombëtar, bashkë me Edi Ramën i ushtronin Kurtit, madje edhe e akuzuan për bllokim të dialogut.

Duke nisur nga argumentet e lartpërmendura, Bytyçi u shpreh i rezervuar për një marrëveshje finale mes dy vendeve, duke potencuar se Vuçiq nuk do pranojë ta nënshkruaj Marrëveshjen e Ohrit.

“Megjithatë Borrell dhe Lajçak, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, fajësuan për bllokimin e dialogut e madje për “destabilizimin” e Kosovës, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin Ishte ky një skenar për ta joshur Aleksandër Vuçiq që të mos ndërmerrte akte kriminale për destabilizim. Por më 24 nëntor ai e nxori fytyrën e tij të vërtetë. Megjithatë Albin Kurti në mbledhjen e fundit ne tetor të Këshillit të Europës qe i gatshëm të nënshkruante si marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, madje dhe variantin europian të statutit të Asosacionit. Por këtë e refuzoi Aleksandër Vuçiq. Prapë ka diplomatë që thonë se “Serbia dhe Vuçiq duhen mirëkuptuar”! E ndërkohë presidenti i Serbisë i thellon marrëdhëniet e tij me Rusinë. Ka thirrur Kremlinin në mbrojtje t krimit të tij elektoral dhe konsultohet vetëm me ambasadorin rus në Beograd.

Nuk e di nëse këto rrethana mund të çojnë të mendosh se do të ketë dialog e aq më tepër se ky dialog do të çojë në firmosjen e marrëveshjes dhe aneksit të lartpërmendur. Vuçiq toleroi një marrëveshje nënshkruar që në vitin 2013 për njohjen e dokumenteve dhe targave të Republikës së Kosovës dhe ka thënë se nga 1 janari kjo marrëveshje do të zbatohet nga ana e tij. Në fakt ky është një karrem i tij për të zbutur qëndrimin refraktar të evropianëve sa i përket manipulimit dhe grabitjes së zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Asgjë më shumë. Që do të thotë se ai po bën një lëshim për t’u përgatitur për një shtrëngim më të madh. Mospranimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të aneksit të Ohrit”.

Më tej, profesori vitin 2024 e cilësoi si të favorshëm për Serbinë, derisa përmendi zgjedhjet në Europë dhe SHBA.

“Në fakt viti 2024 është më i favorshëm për Aleksandër Vuçiq. Në Europë dhe në SHBA do të ketë zgjedhje të përgjithshme dhe kjo mund të ndryshojë ekuilibrat në raport me Rusinë dhe Serbinë, duke pamundësuar presionin e mëtejshëm ndaj tyre. Milorad Dodik ka shpallur se do të iniciojë pavarësinë e Republikës Srpska në Bosnjë_hercegovinë dhe kjo mund të shërbejë që BE e SHBA ta kenë në plan B çështjen e dialogut dhe paqes midis Kosovës e Serbisë. Pra një iniciativë e tillë e Dodik i vjen në ndihmë presidentit të Serbisë edhe sa i përket kapërcimit të krizës zgjedhore, por edhe sa i përket dialogut me Kosovën”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Bytyçi paralajmëroi Kosovën që të përgatitet ë shumë për mbrojtjen e territorit, sovranitetit dhe pavarësisë së saj me anën e forcimit të ushtrisë, forcave të sigurisë.

Kjo pasi sipsa tij, Vuçiqi as këtë vit nuk do pranojë marrëveshje me Kosovën.

“Në këto kushte Kosova nuk duhet të besojë me eufori se dialogut do t’i shkohet në fund gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Është e vështirë të arrihet kjo, sepse Vuçiq nuk dëshiron të këmbejë ndryshimin e kursit të tij me integrimin në Bashkimin Europian. Në fakt këtë nuk e duan as bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe as protagonistët e Republikës Srpska e ata të Malit të Zi në projektin e “Botës serbe”! Kosova duhet të përgatitet më pak për zgjidhje paqësore të konfliktit me Serbinë dhe më shumë për mbrojtjen e territorit, sovranitetit dhe pavarësisë së saj me anën e forcimit të ushtrisë, forcave të sigurisë dhe rritjes së frymës patriotike brenda vendit. Kosova duhet që kësaj radhe të llogarisë, nëse ndodhë konflikti, thjesht në solidaritet me vende të ndryshme për të marrë armë dhe ndihmë logjistike. Madje edhe ndihma që mund të vijë nga Shqipëria nuk duhet llogaritur si ndihmë e shtetit, por si ndihmë vullnetare e qytetarëve të sa, përfshirë dhe radhëve të forcave të armatosura”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Kuçi: SHBA-ja është forca e cila mund të shtyjë palët të bëjnë hapa përpara

Image
Gurakuq Kuqi

Ndërsa, sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, qeveria e vendit në vitin 2023 nuk bëri diplomaci efektive.

Sipas tij, më e rëndësishme është ajo çka po bën Kosova në diplomacinë e saj, sesa Serbia.

Sikur të bëhej një diplomaci efektive ujëvarë me veprime konkrete nga Kosova, vetëm në dy vitet e fundit, Kosova do arrinte aq shumë në arenën ndërkombëtare sa nuk do kishte shumë nevojë për ndonjë miratim apo nënshkrim për asgjë nga Serbia.

Por Kosova duke pasur në krye një qeveri të kurthuar në premtimet e veta të cilat nuk po arrin të iu qëndroj prapa në asnjë mënyrë, atëherë veprimet e saj më shumë nën optikën e diplomacisë efektive i mori nën optikën e populizmit.

Pra nuk është shumë e rëndësishme ajo çka po bën Serbia, sa është e rëndësishme që të bëjë Kosova veprime të cilat do e kurthonin Serbinë në diplomacinë e saj. Nuk është që as Serbia ka pasur një diplomaci të thellë, por e ka pasur shumë efektive kundrejt Kosova që e ka pasur komplet të dështuar”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Po ashtu, tha se në vitin 2024, Perëndimi ose do izolojë dy palët ose do ketë destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se SHBA është forca e vetme që mund t’i shtyjë dy shtetet drejt një marrëveshje finale.

Andaj 2024 do të prodhoj atë çka bashkësia ndërkombëtare ose do izoloj të dy palët apo palën me dekonstruktive e tjetrën ta integroj ose do ketë destabilizim të Ballkanit Perëndimor nga lufta hibride e Serbisë me ndihmën e Rusisë.

SHBA-ja është forca e cila mund të shtyjë palët të bëjnë hapa përpara, ndërsa BE-ja si e vetme do ta prolongojë prapë çështjen sipas dëshirave gjeopolitike të Serbisë”, përmbylli Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat