Liberalizimi i vizave/ Me hapa të sigurt drejt BE-së, ky do të jetë caku i radhës për Kosovën

Politika

Liberalizimi i vizave/ Me hapa të sigurt drejt BE-së, ky do të jetë caku i radhës për Kosovën

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 3 janar 2024 Në ora: 20:00
Udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" më 1 janar, në ditën kur hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo që qytetarët e Kosovës e pritën me vite e që nga politikanët u festua para kohe, më në fund u realizua.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, tashmë ka hyrë në fuqi. Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët janë të lirë të udhëtojnë në zonën Shengen, në Evropë.

Për të arritur deri te kjo, Kosova ka luftuar e fituar shumë procese politike e ekonomike, andaj edhe e meritonte këtë të drejtë.

Por, ky proces solli edhe shqetësime për ndikimin që mund ta ketë liberalizimi i vizave te migrimi i të rinjve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi.

“E këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin”, thuhet në deklaratën e kryeministrit.

Liberalizimin e vizave e ka mirëpritur edhe Bashkimi Evropian.

Bajqinovci: Kosova është duke shkuar me Qeverinë Kurti në hapa të sigurt drejt bashkimit Evropian

Image
Mefail Bajqinovci

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se liberalizimi i vizave është një lehtësim për qytetarët e vendit tonë, si në aspektin ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm, po ashtu edhe në çështjen e shkollimit dhe në shumë fusha tjera.

Derisa për integrimet e mëtutjeshme, thotë se viti 2024 do të jetë vit sfidues, por që Kosova do t’i arrijë si liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës, liberalizimi i vizave do t’i ndihmojë shumë në aspektin ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm, po ashtu edhe në çështjen e shkollimit dhe shumë fusha tjera ku tashmë nuk kenë nevojë qytetarët e Kosovës të presin në rend pa marrë parasysh në cilën ambasadë do të kenë nevojë të presin.

Sa i përket procesit të integrimeve edhe këto ndërlidhen por unë mendoj që duhet të plotësohen kushtet që në rend është në Këshillin e Evropës, por edhe këtë vit do të jetë sfidues por që të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimet evropiane duke filluar nga pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës e shumë procese tjera, unë besoj që Kosova do t’i mbërrij ashtu siç e ka arritur liberalizimin e vizave”, thotë ai.

Më tej, Bajqinovci nënvizon se Kosova në krye me Kurtin, po shkon me hapa të sigurt drejt Këshillit të Evropës, duke asgjësuar krimin dhe korrupsionin në vend.

“Gjasat janë shumë të mëdha që e të jemi pjesë e Këshillit të Evropës po ashtu edhe të shumë mekanizmave tjerë dhe tashmë Kosova është bërë gati, i ka plotësuar gjitha standardet këtë e tregoi edhe vet me liberalizimin e vizave gjë të cilën Bashkimi Evropian e mirëpriti. Besoj shumë që edhe në struktura tjera të BE-së, do të anëtarësohemi ngadalë ashtu e ka ky proces.

Kosova është duke shkuar me Qeverinë Kurti në hapa të sigurt drejt bashkimit Evropian sepse BE edhe ashtu çdoherë në raportet e saj ka cilësuar se problem kryesor ka qenë krimi i organizuar dhe korrupsioni që tash në çdo raport ndërkombëtar e sidomos në ato evropiane ne dolëm si shtet i cili ka bërë më së shumti progres në fushat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, po edhe shumë reforma ekonomike, arsimore dhe në digastere tjera”, përfundon ai.

Tahiraj: Ky do jetë edhe një test shumë i rëndësishëm për vet integrimet Evropiane të shtetit dhe popullit tonë

Image
Saim Tahiraj

Në lidhje me këtë temë analisti Saim Tahiraj, deklaron se me liberalizimin e vizave populli i Kosovës do të ketë lehtësira, që nga vizitat familjare deri te punësimin, duke shtuar se shumë sportistë, artistë e studiues të ndryshëm për shkak të vizave kanë mbetur pa i realizuar synimet e tyre.

“Fillimisht i uroj popullit të Kosovës liberalizimin e Vizave duke shpresuar që nuk do i keqpërdorin që në fillim. Mendoj se janë disa lehtësira nga të cilat do përfitoj populli i Kosovës; vizitat familjare që do i realizojnë lehtësisht pa pritur në radhë të gjata pranë ambasadave të huaja dhe pa shpenzime të shumta. Do përfitojnë sportistët e të gjitha fushave të cilët shpesh nuk mund të merrnin pjesë në gara ndërkombëtare për shkak të vizave. Në aspektin arsimorë do përfitojnë studentët dhe studiuesit e ndryshëm, gjithashtu edhe në aspektin kulturor, ku vizat ishin pengesë kryesor për realizimin e synimeve të tyre”, shprehet ai.

Edhe për çështje ekonomike, ai thotë se është një mundësi e mirë sepse kontaktet me kompanitë jashtë vendit do jenë shumë më të lehta dhe realizimi i bashkëpunimit do jetë shumë më i shpejt.

Por, Tahiraj, bënë thirrje që qytetarët e Kosovës duhet ta respektojnë ligjin e secilit shtet.

"Në aspektin ekonomik do përfitojnë kompanitë e ndryshme sepse kontaktet me kompanitë jashtë vendit do jenë shumë më të lehta dhe realizimi i bashkëpunimit do jetë shumë më i shpejt. Çështja e punësimit të punëtorëve jashtë Kosovës do jetë më i favorshëm, sepse kontaktet direkte me kompanitë do jua mundësojnë punësim sipas kërkesave të profileve profesional të kompanive.

Një gjë që qytetarët e Kosovës duhet ta respektojnë është respektimi i ligjit të secilit shtet që rregullon realizimin e vizave turistike. Çdo keqpërdorim i tyre do jetë e dëmshme për vet qytetarët e Kosovës sepse do sanksionohen me masa ndëshkuese nga shtetet përkatëse. Ky do jetë edhe një test shumë i rëndësishëm për vet integrimet Evropiane të shtetit dhe popullit tonë. Respektoni ligjet e secilit shtet dhe tregoni se vërtet kemi një kulturë dhe traditë Evropiane”, përmbylli ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat