“Dëshmitarët po zhduken”/ 21 vjet nga vrasja e Tahir, Enis e Hasan Zemajt – Zbardhja e rastit, peng i drejtësisë së kapur!

Politika

“Dëshmitarët po zhduken”/ 21 vjet nga vrasja e Tahir, Enis e Hasan Zemajt – Zbardhja e rastit, peng i drejtësisë së kapur!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 janar 2024 Në ora: 07:57
Tahir Zemaj

Sot janë bërë 21 vite që kur në një atentat mbeti i vrarë, kolonel Tahir Zemaj. Ishte 4 janari i vitit 2003, kur në hyrje të Pejës u vra koloneli Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

Edhe pse janë thënë shume gjëra deri më tani, kjo vrasje e trefishtë ka mbetur ende e pa zbuluar, ashtu siç ka ndodhur pothuajse me të gjitha vrasjet dhe atentatet politike që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë.

Nga analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, fajtor për mos zbulimin e kësaj vrasje po shihet drejtësia e kapur dhe mungesa e vullnetit politik, kurse si shpresë e vetme Gjykata Speciale.

Gazeta “Bota sot” ka provuar që të kontaktojë më familjen Zemaj, për të marr një qëndrim rreth asaj se a presin që Gjykata Speciale ta zbardh vrasjen e kolonel Zemajt, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Shpresa te Specialja

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, drejtësia e kapur në Kosovë ka bërë që vrasja e Tahir Zemajt të mbetet ende një enigmë e pa zbuluar.

“Drejtësia në Kosovë ka dështuar dhe pasojë e saj është themelimi i Speciales, edhe për të trajtuar të gjitha rastet e pasluftës. Ndër rastet më të dhimbshme është rasti i vrasjes së Tahir Zemajt me nipin dhe të birin, vrasje të cilat nuk janë zbardhur pasi drejtësia ka qenë e kapur”, shprehet Mehmeti, sipas të cilit, shpresa e vetme për zbardhjen e kësaj vrasje të trefishtë është Gjykata Speciale.

“Shpresa e vetme është Specialja, dhe me shumë mundësi do të zbardhën këto vrasje. Kriminelët që vranë Tahirin janë ata që i bënë atentat edhe Rugovës, mendoj janë prej një brumi, por ata kurrë nuk arritën të vrasin trimërinë dhe heroizmin e kolonelit”, thekson Mehmeti.

“Dua të besoj tek Specialja, duke qenë se vrasja e Tahirit është në mesin e shumë vrasjeve, ata që ishin në pushtët pas lufte janë në Hagë, mbase dinë diçka e do të jenë të detyruar të thonë diçka, kështu që vrasja e Tahirit pritet të zbardhet”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Zhdukja e dëshmitarëve

Image
Naim Miftari

E lidhur me këtë rast, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se mos zbardhja e kësaj vrasje të trefishtë, është rezultat i mungesës së vullnetit politik për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Mos zbardhja e rastit të vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasanit, është si rezultat i mungesës së vullnetit politik të ish pushtetarëve të PDK-së, LDK-së dhe sidomos të AAK-së”, shprehet Miftari për “Bota sot”.

“Mirëpo duke parë se gjykatat, prokuroritë dhe policia janë akoma të kapur nga krimi i organizuar politik i ish partive te pushtetit kjo vrasje vazhdon të jetë në harresë. Mos të harrojmë se për këtë rast janë vrarë edhe dy policë tjerë hetues Sebahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj”, shton Miftari.

Siç thotë ai, dita ditës po zhduken dëshmitarët e vrasjeve politike, kurse porositësit vazhdojnë të jenë gjallë.

“Në Kosovë akoma nuk kemi prokuror, gjyqtar dhe hetues që punojnë vetëm sipas ligjit, se me pas neutralitet në drejtësi, ky rast dhe rastet tjera, shumica ishin zbardh deri më sot, edhe pse akterët dhe vrasësit po vriten dhe po zhduken dëshmitarët, mirëpo porositësit e këtyre vrasjeve janë shumica gjallë, edhe sot dhe i takojnë klasës që sot janë multi milionerë të korrupsionit politik të Kosovës”, thekson Miftari.

“Drejtësia e mbushur me sekserë politik e të interesit nuk i ka duart e lira as sot, dhe nuk kanë neutralitet politik as guxim që ta zbatojnë vetëm ligjin dhe drejtësinë në shtetin e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, ish agjenti Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat