Me porosinë e kujt u vra kolonel Tahir Zemaj?

Politika

Me porosinë e kujt u vra kolonel Tahir Zemaj?

Nga: P.R Më: 4 janar 2024 Në ora: 14:14
Tahir Zemaj

Në 21 vjetorin e vrasjes së kolonel, Tahir Zemajt me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Latifi thotë se mos zbardhja e kësaj vrasje është dëshmi se kriminelët janë më të fortë se institucionet e drejtësisë së vendit.

“Zbulimi i së vërtetës rreth vrasjes së kolonelit, Tahir Zemaj bashkë me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin është një sfidë e vështirë, por do të ishte një moment, dhe hap i rëndësishëm drejt shtet ndërtimit ligjor. Edhe pas 21 viteve janë të njëjta pyetje, të njëjta përgjigje; pse nuk po zbardhen vrasja e tyre dhe e shumë vrasjeve të tjera, të cilat sipas deklaratave të familjeve të tyre dhe mediave hulumtuese nuk është e vështirë që kriminelët të identifikohen. Për fat të keq, siç po shihet zbulimi i tyre nuk do të ndodhë për faktin se kriminelët janë më të fortë se institucionet e drejtësisë së vendit”, shprehet Latifi.

Ai thotë se vrasja e Tahir Zemajt ishte vrasje me porosi.

Image
Haki Latifi

“21 vite heshtën institucionet e drejtësisë dhe duhet ta themi hapur se janë të turpëruar me pa aftësinë e tyre! Vrasja e kolonelit bashkë me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin ishte vrasje me porosi. Institucionet e drejtësisë duhet të turpërohet që gjer më sot nuk i gjetën dorasit”, thekson Latifi.

Më tej, siç thotë Latifi Kosova ka detyrim ligjor zbulimin e vrasjes së Tahir Zemajt.

“Andaj, derisa e rikujtojmë sot këtë humbje të madhe, nuk mjafton vetëm të bëjmë thirrje për drejtësi, por duhet t’ia kujtojmë vetes po ashtu se është detyrim yni që të bëjmë shtet ligjor, i cili i mbron qytetarët e vet dhe e vendos drejtësinë në vend për krimet e kryera, të çfarëdo kohe qofshin ato”, nënvizon Latifi.

Sipas Latifit, padyshim që Gjykata Speciale është shpresa e fundit për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Me plotë të drejtë tani shpresat e familjarëve dhe qytetarëve të Kosovës kanë mbetur tek Gjykata Speciale e cila sigurisht se do të merret me vrasjet e pa zbuluara dhe krimet që kanë të bëjnë me karakter politikë, në të cilën kanë „pushuar“ dhunshëm nga drejtësia e kapur nga klasa politike e pas luftës”, deklaron Latifi.

“Shpresojmë dhe kërkojmë, që ky rast dhe vrasjet tjera politike gjatë dhe pas luftës, më në fund të zbardhen dhe krimi i organizuar e kriminelët, të marrin dënimin e merituar. Ky do të ishte satisfakcioni i parë për familjarët, të afërmit, qytetarët, bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e tyre në njërën anë, kurse në anën tjetër drejtësia vendore të triumfojë ndaj krimit të organizuar dhe kriminelëve, të fillojë së funksionuari shteti i së drejtës”, përfundon për “Bota sot”, analisti Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat