Veprimtari nga Gjermania zbulon si u pasurua Lista Serbe në veri: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me bandat e tyre, bënin makro-kontrabandën me kriminelët, Radoiçiq e Veselinoviq

Politika

Veprimtari nga Gjermania zbulon si u pasurua Lista Serbe në veri: Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me bandat e tyre, bënin makro-kontrabandën me kriminelët, Radoiçiq e Veselinoviq

Nga: H.O. Më: 4 janar 2024 Në ora: 19:01
Lista Serbe

Publicisti dhe veprimtari në Gjermani, Idriz Zeqiraj në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se opozita në vend se të bashkohej më pozitën, në këtë rast Lëvizjen vetëvendosje për të shpëtuar Kosovën, iu bashkua Aleksandër Vuҫiqit, Edi ramës, Hashim Thaҫit.

“Çuditërisht, opozita e tmerruar nga humbja e pushtetit të dhunshëm, në zgjedhjet e shkurtit 2021, në vend që t`i bashkohet pozitës, LVV, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej, nga pretendimet pushtuese fashizoide, iu bashkua Vuçiqit, Edvin Ramës, Hashimit dhe ndërkombëtarëve, me të vetmin qëllim: "Rrafsh Kosova, vetëm ta rrëzojmë Albin Kurtin dhe ta marrim pushteti!" Këtë herë jo me dhunë e përgjakje, por me konspiracione, në koordinim me armiken Serbi dhe aleatët e saj brenda dhe jashtë Kosovës”, vlerëson ai.

Sipas Zeqirajt, destruktiviteti i kësaj opozite kundërmonë tërbueshëm, e këtë e ilustronë “vetëm me dy kushtëzimet idioteske dhe thellësisht rrugaçërore”.

“1) PDK: "Pa e caktuar datën e zgjedhjeve, nuk votojmë asnjë ligj dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare; 2) AAK: "Pa i futë në pagën minimale, 340 euro mujore, të 40.000 veteranët e rrejshëm, nuk votojmë asnjë nga ligjet e propozuara nga pozita në Parlament, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare!

Fatmirësisht, lidërshipi, gjysmë i reformuar, i LDK-së, bëri përjashtim nga PAN-i, rrast i inkriminuar, duke mos bojkotuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ndërsa dërgimi i disa vendimeve të qeverisë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duhet parë me rezerva”, vlerëson ai.

Image
Publicisti dhe veprimtari në Gjermani, Idriz Zeqiraj

Zeqiraj thotë se opinioni gjithëshqiptar e vlerëson si sukses shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, pas 24 vitësh, si "mollë e ndaluar". Por, opozita, falsifikueshëm e mohon këtë, duke pretenduar se qeveritë e kaluara kishin ligjësuar shtrirjen e sovranitetit në veri, kurse LVV e humbi përsëri atë!?

“Përveç PAN-it, të zëshme në këtë gënjeshtër groteske, janë edhe disa zonja të LDK-së, dikur, koxha, të afërta me klanin Mustafa. Nuk po i përmend me emër, sepse, dikur, i kam lavdëruar pa doganë fare dhe tani sikur po e demantoj vetën. Realisht, kurrëfarë pushteti nuk kishin qeveritë paraprake, në veriun e Kosovës. Këtë e thonë dhe e përsërisin përfaqësuesit e opozitës serbe, gazetarët, si Mirosllav Kërstiç, me kolegë; intelektualë të shquar nga Kosova dhe Serbia; Shoqëria Civile serbe. Ata janë të njëzëshëm se ish-qeveritë e Kosovës, me emër etiketojnë Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj, me bandat e tyre, bënin makro-kontrabandën me kriminelët, Radoiçiq e Veselinoviq, me shokë. Rrjedhimisht, qeveritë e shkuara kishin kontrabanduar me "Listën Serbe" dhe krerët e saj kriminelë dhe, assesi nuk kishin sunduar veriun e Kosovës. Nga kjo kontrabandë, "Lista Serbe" u pasurua shumë, krijoi bandat, për ta nënshtruar, përdheshëm, opozitën serbe dhe pakicat joserbe në veriun e Kosovës. Nuk ka kontrabandë pa treg shitjeje. Andaj, banditërit kontrabandistë, partnerë serioz i kishin disa komandantë mujëshorë, fuqiplotë, të babëzitur për pasuri, nga Drenica, Dukagjini, Llapi dhe treva tjera”, thekson Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Ai thotë më tutje se, citi 2023 shënon çmontimin faktik të strukturave paralele në veriun e Kosovës. Sipas tij, ‘çdo e keqe ka edhe ndonjë të mirë. Bandat e harlisura të "Listës Serbe", "Brigada e Veriut", e ashtuquajtura "Shoqëria Civile", këto dy të fundit, Qeverisa Kurti, guximshëm, i shpalli të jashtëligjshme, u revanshuan Policisë të Kosovës. Filluan provokimet e vrazhdëta me protesta e barrikada. E pabesueshme, por krejt e vërtetë, bandat gëzuan aprovimin dhe mbështetjen e hapur të Borrell dhe Lajçak, madje edhe të disa ndërkombëtarëve të pushtetshëm’.

Ai thekson se si personalisht, presidentja Vjosë Osmani i reagoi shefit të NATO-paktit, në kërkesat e tij për lëvizjet e kufizuara të policisë dhe të Forcës të Sigurisë. "Mbrojtës i parë i kufirit është Policia e Kosovës, e dyta, Policia e EULEX-it, e treta KFOR-i, - potencoi Komandatja Supreme e Kosovës, Vjosë Osmani. Ky qëndrim këndelli edhe miqtë amerikanë.

“Stupcat, gurët dhe plumbat e 29 majit, të turmës bandite serbe, turpëruan KFOR-in dhe ndërkombëtarët, mbrojtës të bandave kriminale serbe, të cilat vepronin e shantazhonin shtetin e Kosovës dhe vet BE-në. Qeveria e Kosovës, me Presidentën, kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, ministrën e Jashtme, me ekipin qeverisës, dinjitetshëm dhe me integritetin e plotë, përballuan suksesshëm sulmin koral -en bloc-, jo vetëm të Serbisë, por edhe të ndërkombëtarëve, të Edvin Ramës me batonët e buzhalët e tij; mediat e blera nga SHIK-u i PAN-it; e, mbi të gjitha, të opozitës PAN-iste, skajshëm, destruktive, me elemente të bollshme kriminale. Pamëdyshje, 24 shtatori i këtij moti, ishte fitorja më spektakulare. Kupolë e fitorës, është rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, Hero i Kosovës, flijimi i të cilit, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, frymëzoi kolegët e tij policë, në përballjen e suksesshme, me bandat kriminale të Vuçiqit, duke e shpaguar shumëfish gjakun e Afrimit”, thekson më tutje ai.

Veprimtari Zeqiraj thotë se, ‘përpjekja e opozitës dështake dhe fort të çoroditur, që fitorën në Banjskë të Zveçanit, ta reduktojnë si meritë, kryesisht, e policisë, është tendencioze, jo reale dhe, skajshëm, jo serioze. Për veriun problematik, me një ndjeshmëri të veçantë, çdo nismë, aksion, është studiuar dhe vendosur nga politika dhe urdhëruar nga ministria përkatëse. Këtë e pranojnë edhe krerët e policisë. Natyrshëm, lavdinë e parë e gëzojnë policia, me përgaditjen e lartë profesionale luftarake’.

“Liberalizimi i vizave, është "një fitore si ajo e Pirros" të Epirit! Pranimi i këmbimit të territorit tokësor, nga Çakorri në Kullën e Zhlepit, në këmbim të liberalizimin e vizave, sikur shqiptarët e Kosovës të ishin "me bythë në prush", do të mbetet njollë e zezë e përjetshme, jo vetëm për krerët batakçinj, qeveritarë e pushtetarë të shantazhuar, të asaj kohe, por edhe për shqiptarët e Kosovës, në përgjithësi. Mbi të gjitha, për mungesën faktike të patriotizmit, të atdhedashurisë. Rrjedhimisht, është një fitore e ndotur, e përbaltur, që zvetnon, natyrshëm, gëzimin normal. Pritja disa vjeçare, për liberalizimin e vizave, zbuloi hipokrizinë, falsitetin dhe gënjeshtrën e madhe të shtetarëve, pushtetarëve, të të gjitha qeverive me radhë, duke filluar nga viti 2014 e këtej, kur thonin se "Kosova i ka plotësuar, madje edhe tejkaluar kushtet e përcaktuara në formularin përkatës". Kësaj rrene të kulluar, iu bashkuan edhe ndërkombëtarët, të cilët kur vinin në Kosovë, për bërje qejfi, thonin se "Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave". Dhe kur ktheheshin në vendet e tyre, e thonin të vërtetën: "Duhet të punohet më shumë në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar", nënvizoi ai.

Ai thotë se, përjashtim bënë ministrja Donikë Gërvalla, bija krenare e heroit Jusuf Gërvalla, e cila në një mbledhje ndërkombëtare, të organizuar nga BE-ja, deklaroi se "Kosova nuk duhet të akuzojë Evropën për vizat, por ne duhet t`i bëjmë detyrat e shtëpisë".

“Pisanjozët e opozitës shpërthyen në akuza ndaj ministrës Gërvalla, se "na bëri përrallë, po i nxjerrë të palarat e shtëpisë, po akuzon Kosovën!" Edhe sot vazhdojnë ta akuzojnë për sinqeritetin e saj unik, madje për të gjitha çështjet, përfshirë edhe për emërtimin e krimit dhe të kriminelëve, ndërkohë që PAN-istët vazhdojnë t`i hymnizojnë, për luftën e pabërë! Deklaroj me bindjen e plotë dhe përgjegjësinë morale, se Kosova as sot e kësaj dite, as për së afërmi, nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret bazë, për liberalizimin e vizave, për datën 1 janar 2023. Të gjithë ata që mendojnë dhe pohojnë të kundërtën, gënjejnë vetën dhe opinionin shqiptar e botëror. Kosova penalizohet për dy veprimtaritë me rrezikshmëri për shtetin dhe më gjerë: korrupsionin dhe krimin e organizuar, me theks të veçantë krimin vrastar politik. Me korrupsionin industrial prijnë pushtetarët e lartë. Është denoncuar makro-hajnia zyrare, madje me emër dhe mbiemër, por askush prej tyre nuk është prangosur, nuk është gjykuar dhe as dënuar. Janë shumë qindra vrasje politike, kryesisht, kundërshtarë politikë. Disa janë hetuar dhe penalizuar për krime serike faktike. Disa kanë paguar lirinë, ndoca të tjerë janë dënuar simbolikisht dhe shokët e tyre, kryekriminelë pushtetarë, i kanë liruar ende pa bërë as gjysmën e dënimit”, vlerëson ai.

Ai tha poashtu se, rrjedhimisht, liberalizimi i vizave për Kosovën është mëshirë dhe karrem, për dialogun në vazhdim. Megjithatë, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës është pozitive. Qytetarët e Kosovës kanë lëvizur pa viza në Evropë dhe në një pjesë të botës, 55 vjetë më parë. Stopimi kësaj lëvizjeje ka ndodhur në vitet `90-a.

“Vazhdim i suksesit qeveritar, tashmë, i pranuar, edhe gjatë vitit 2023, ka qenë ndërprerja e kontrabandës, korrupsionit, hajnisë zyrtare. Ishte një premtim elektoral, i LVV dhe e realizoi. Mbizotëron bindja se pushtetarët aktual nuk abuzojnë me paranë publike dhe nuk i lejojnë as vartësit e tyre të abuzojnë, siç kanë abuzuar qeveritë mujëshore e hajnore PAN-iste, repektivisht, të komandantëve pa ushtarë, por me banda të fuqishme. Në tre vitet e qeverisjes të LVV, arka e shtetit është begatuar nga viti në vit. Rasti i ambasadorit Martin Berisha, është një shpifje e radhës e opozitës. Bizneset e tij, pasuria e tij, nuk ka të bëjë fare me Kosovën. Nëse do të kishte paligjshmëri, në veprimtarinë e tij, shtetet tjera nuk do ta kursenin. Profesor Berisha është një personalitet i shquar, i cili ka kontribut të dëshmuar për Kosovën. Është ambasador meritor dhe vlerë e shtuar në diplomacinë e re të Kosovës, sepse ai menaxhon shkëlqyeshëm marrëdhëniet Kosovë-Kroaci dhe kjo është mjaft domëthënëse. Vetëm trutharët nuk e kuptojnë këtë”, thekson ai.

Publicisti Zeqiraj ka një përgjigje për këshilltarin special, Gani Jakupin, për të cilin thotë se, ‘nuk paguhet për ndarjen e Kosovës, siç ka bërë opozita PAN-iste, kur ishte në pushtet’.

“Vazhdon të bëhet shumë zhurmë, për pagën e një këshilltari special, Jakupi, të Ministrisë së Jashtme! Jo gjithçka mund të publikohet për opinionin. Ndoshta është shërbim ekipor dhe kjo shumë do të ishte simbolike? Një gjë mund të garantoj, se ata që e kanë bërë "pazarin" në fjalë, janë larg më të mençur, më kursimtarë dhe më atdhetarë, se sa thashethamexhinjtë e opozitës. Madje, ju siguroj se këshilltari i lakuar, nuk paguhet për ndarjen e Kosovës, siç ka bërë opozita PAN-iste, kur ishte në pushtet”, vlerëson Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat