Pas deklaratës së bujshme për zgjedhje në pranverë, Haradinajt i vjen një paralajmërim jo i mirë: Rrezikon këtë gjë!

Politika

Pas deklaratës së bujshme për zgjedhje në pranverë, Haradinajt i vjen një paralajmërim jo i mirë: Rrezikon këtë gjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 janar 2024 Në ora: 09:49
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Vendi po përballet me zhvillime dhe situata të ndryshme politike. 

Së fundi, një nga temat më të përfolura janë edhe zgjedhjet e parakohshme. 

Partitë opozitare, madje edhe analistë të ndryshëm kanë hedhur parashikimet e tyre për mundësinë që 2024-ta të jetë vit i zgjedhjeve. 

Kësisoj, një nga më të zëshmit në këtë temë ka qenë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj. 

Ky i fundit, ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë. 

Sipas tij, të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë. 

Madje, Haradinaj është shprehur AAK-ja qëndron dukshëm më mirë sesa në sondazhin e publikuar së fundmi, derisa shton se i njëjti ka qenë i porositur nga partia në pushtet me qëllim të ndikimit në perceptimin e qytetarëve. 

Haradinaj: Partitë po bëhen gati për zgjedhje, mund të mbahen në pranverë 

“Po hetohet që partitë politike po i ndjejnë zgjedhjet. Në mënyra të ndryshe po mundohen me pozicionuar vetën në mendjen e qytetarëve si opsion.... Nëse flasim për Aleancën, ne asnjëherë nuk jemi mërzitur për këto sondazhet apo rezultatet e porositura. Kësaj radhe nuk mërzitemi pasi e dimë gjendjen që është në vend dhe besimin e qytetarëve në secilin subjekt. (Zgjedhjet) Janë edhe ashtu në kalendar siç e dini ju, duhet mbajtur më së largu në janarit 2025. Kjo i bie se ne edhe ashtu në fund të vitit që vjen do t’i kemi zgjedhjet me kalendar të rregullta, por ato mund të mbahen më herët në pranverë. Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje... Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, thotë Haradinaj. 

Qarri: Zgjedhjet e reja, aktualisht nuk duken as në horizont 

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. 

Image
Gani Qarri

Së pari u shpreh se Kurti ka ardhur në pushtet me një përqindje shumë të lartë të votave dhe derisa është duke bërë disa punë, ndryshime e projekte të ndryshme, nuk mund të dëbohet prej partive opozitare, të cilat nuk i kanë as numrat e nevojshëm, për rrëzimin e tij nga qeverisja. 

“Përndryshe përderisa kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me më shumë se 50% të votave të qytetarëve të Kosovës, ka ndaluar organizatat terroriste serbe, si të ashtuquajturat "brigada e veriut" dhe "mbrojtja civile" që për dekada kanë vepruar lirshëm duke terrorizuar qytetarët në veri dhe mbarë Kosovën, ka dëbuar bandat kriminale serbe nga Kosova, dhe për herë të parë pas çlirimit, ka vendosur rendin e ligjin dhe shtrirë sovranitetin e plotë shtetëror të Republikës së Kosovës edhe në këtë pjesë të pandashme të shtetit të Kosovës, pa harruar këtu jetësimin e targave RKS edhe në veri të vendit, dhe pranimin e tyre, për qarkullim në Serbi, një politikan i tillë, nuk mund të dëbohet pikërisht prej partive të inkriminuara, të cilat nuk i kanë as numrat e nevojshëm, për rrëzimin e tij nga qeverisja”, deklaroi analisti. 

Krahas kësaj, Qarri potencoi se pavarësisht dëshirave të Haradinajt, Kurti nuk është politikan që bënë pazare për ndarjen e Kosovës. 

“Pathyeshmërinë e z. Kurti në ballafaqim me Vuçiqin dhe udhëheqësit e lartë të politikës së jashtme të BE-së, në Bruksel si Josep Borell dhe emisari i lartë Mirosllav Lajçak, dëshmon se përkundër dëshirave utopike të Ramush Haradinajt, Kurti nuk është njeri i cili edhe pas gjithë këtyre arritjeve, do t`ia lejonte vetes, që të largohej i mundur dhe kokëulur nga qeverisja, vetëm që forcat e inkriminuara politike të opozitës, të cilat ua falën tokat tona shteteve fqinje dhe bënë pazare edhe për ndarjen e Kosovës me Serbinë, serish të vijnë pa therr në këmbë, në pushtet”, shpjegoi ai. 

Më tej, analisti u shpreh i habitur me Haradinajt që thotë se partitë politike janë gati për zgjedhje të reja, madje edhe janë në fushatat zgjedhore. 

“Andaj habit shumë se si, në ëndërrimet apo dëshirat e fillim vitit të ri 2024, të Ramush Haradinajt, të gjitha partitë politike, ne qenkan bërë gati për zgjedhje dhe se vendi tashmë, qenka futur edhe në fushatë zgjedhore, ani pse kjo nuk vërtetohet nga asnjë parti tjetër dhe zgjedhjet e reja, aktualisht nuk duken as në horizont, pasi që sipas rregullave dhe normave ligjore, ato parashihen të mbahen, në fund të vitit 2024, apo fillim të vitit 2025”, theksoi Qarri. 

Ndër të tjera, ai tha se deklaratat e Haradinajt janë vetëm dëshira për vitin 2024, të cilat tingëllojnë qesharake. 

Madje, analisti parashikoi se në rast të zgjedhjeve, AAK mund të rrezikojë të bie nën prag zgjedhor, njësoj si NISMA. 

“Prandaj, deklaratat e habitshme të Ramush Haradinajt, mund të merren vetëm si formë dëshirash për Vitin e Ri, të cilat përveçse habitën mbarë opinionin me pa besueshmërinë e tyre, ato tingëllojnë edhe si lloj shakash të lëshuara pas dehjes me raki të fortë, në festat e fund - vitit 2023 dhe as që mund të merren seriozisht, përndryshe po të ishin vërtetë kaq afër zgjedhjet e parakohshme, do ta kishin marrë vesh edhe partitë tjera të opozitës të cilat qëndrojnë shumë më mirë, se AAK, në sondazhe dhe kanë, shumë më tepër arsye të shpërndajnë "lajme" të tilla "ekskluzive", për ta gëzuar elektoratin e vet më të madh në numër, e jo vetëm lideri i AAK-së, partia e të cilit edhe ashtu, rrezikon të bie nën pragun zgjedhor dhe rrëshqas në margjinat e historisë, njëjtë si Nisma dhe nga zhgënjimi i dështimit në politikë Haradinaj me Fatmir Limajn, do të mund t’i bashkohen vetëm Dardan Molliqajt, në shkuarjen e parullave anti-qeveritare nëpër rrugët e Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”. 

Mehmeti: Nuk pres të këtë zgjedhje, por edhe nëse ka tanimë dihet fituesi 

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti gjatë bashkëbisedimit të tij me “Bota sot’ u shpreh se Kurti po i “shkatërron” partitë opozitare. 

Sipas tij, kërkesa për zgjedhje të parakohshme është vetëm retorikë, pasi Ramushi dhe liderët tjeë janë në dijeni se në rast se mbahen me të vërtetë zgjedhjet do pësojnë “debakël”. 

“Opozita s’ka me çfarë të merret, Albini i shkatërron në çdo debat. Janë kapur pas zgjedhjeve të parakohshme vetëm si retorikë, në të vërtetë as Ramushi dhe as të tjerët nuk i duan zgjedhjet e parakohshme, e dinë se debakël më i madh se me 14 shkurt i pret”, u shpreh ai. 

Ndër të tjera, analisti potencoi se nuk pret që të ketë zgjedhje, por edhe në rast se ndodhë një gjë e tillë, atëherë vetëm se dihet fituesi. 

“Nuk pres të këtë zgjedhje, por edhe nëse ka tanimë dihet fituesi, ndaj dhe s’ka logjikë opozita të kërkojë zgjedhje kur dihet rezultati. Në veçanti, AAK pritet të pësojë debakël, mbase dikush e ka mashtru Ramushin se janë rritur në sondazhe, e vërteta është se zgjedhjet për opozitën janë tmerr i vërtetë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat