“Dora e zezë” e Vuçiq-it në aksion, nga sulmi terrorist në Banjskë tek keqtrajtimi i Sanduloviq-it/ Eksperti: Ai frymëzohet nga Millosheviçi

Politika

“Dora e zezë” e Vuçiq-it në aksion, nga sulmi terrorist në Banjskë tek keqtrajtimi i Sanduloviq-it/ Eksperti: Ai frymëzohet nga Millosheviçi

Nga: M.Lakna Më: 5 janar 2024 Në ora: 18:03
Aleksandar Vuçiq

Lideri i Partisë Republikane, Nikola Sanduloviq, u arrestua më 3 janar dhe, sipas avokatit të tij Çedomir Stojkoviq, u rrah brutalisht në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).

Sanduloviq u arrestua pak para orës 16:00, dhe më pas u dërgua në ambientet e BIA-s, ku pesëmbëdhjetë persona të maskuar e rrahën brutalisht për katër orë, sipas avokatit të tij.

Këtë rast dhe zhvillimet e tjera me pasojë sjelljen destruktive të Serbisë karshi Kosovës e ka komentuar njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Shabani ka thënë se, Vuçiqi është Putini i Ballkanit dhe ai frymëzohet nga idetë e Millosheviçit.

Sipas tij, destabilizimi në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë historisë, burimin e ka nga Serbia.

Image
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

“Regjimi i Vuçiqit ka kryer një sulm terrorist në Kosovë, ka destabilizuar BiH dhe Malin e Zi, ka bërë aleancë me regjimin e Putinit, ka manipuluar zgjedhjet, ka sulmuar opozitën dhe tani ata kanë rrahur plotësisht edhe liderin e opozitës serbe.

Pra, së fundmi regjimi i Vuçiqit e akuzon për krim liderin e opozitës serbe, Nikola Sanduloviq për vendosjen e luleve mbi varret e Jasharajve. Ai është rahur brutalisht nga BIA (Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë) mbi urdhrin e dyshimit për "nxitje të urrejtjes kombëtare".

Vuçiqi është Putini i Ballkanit dhe ai frymëzohet nga idetë e Millosheviçit. Destabilizimi në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë historisë, burimin e ka nga Serbia. Regjimi i Aleksandër Vuçiqit ka bërë dy gjëra për një dekadë:

1- krijon urrejtje kombëtare ndaj shqiptarëve (por edhe ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe malazezëve) dhe synon të ruajë energjinë për konfliktet e ardhshme;

2- parandalon dhe eliminon këdo që dëshiron dhe punon për pajtimin me Kosovën dhe me shqiptarët, sepse Aleksandar Vuçiq i paraqitet Perëndimit si i vetmi që e bën këtë në Serbi, edhe pse ka mijëra njerëz që janë të gatshëm ta bëjnë këtë dhe miliona që duan!”, ka thënë Shabani për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se popullit të Serbisë nuk i intereson vërtet Kosova.

“Ata janë të interesuar për një të ardhme të mirë fqinjësie dhe miqësi mes popujve! Aleksandar Vuçiq ka 12 vjet që gënjen Perëndimin se gjërat janë të kundërta, ndërsa në të njëjtën kohë është faktori kryesor i mbjelljes së urrejtjes dhe shkaktari kryesor i destabilitetit, në interesin krejtësisht të qartë të Vladimir Putinit!”, ka shtuar Shavani

Ai e konsideron si jo të rastësishme edhe vizitën e ish-kryeministrit britanik David Cameroon në Kosovë.

“Perëndimi duhet aktivizuar mekanizmat e tij diplomatik dhe ushtarak, duke shtuar nivelin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë. Sa i përket kësaj çështjeje, jo rastësisht ishte edhe vizita e ish-kryeministrit britanik, tani Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në Kosovë, i cili ju dha garancë dhe siguri krerëve të Republikës së Kosovës mbi çështjen e sigurisë, zhvillimit ekonomik, qeverisjes së mirë, luftimin e krimit dhe ngritjen e ligjit të së drejtës.

Shefi i diplomacisë britanike vizitoi edhe trupat e dërguar të ushtrisë britaneze në KFOR. Kontigjenti britanik u rrit nga 400 në 600 në tetor të vitit të kaluar, si përgjigje të incidentit të armatosur më 24 shtator. Cameron tha se Mbretëria e Bashkuar ishte një mbështetëse e madhe e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit të Kosovës dhe të drejtës së Kosovës për t'u njohur nga të tjerët si një vend i plotë sovran dhe një anëtar i familjes së kombeve”, ka potencuar ai.

Sipas Shabanit, për dekadën e fundit, Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar në bisedimet e nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim uljen e tensioneve të vazhdueshme mes të dyjave, por kjo nuk ka rezultuar në nivelin e duhur dhe thirrja për kyçjen e mekanizmave diplomatik dhe ushtarak duhet të shtohet në Kosovë nga Perëndimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat