Letra e Serbisë dërguar BE-së/ Analisti parashikon: Kosovës përfundimisht po i ofrohet mundësia e artë, kjo është arsyeja

Politika

Letra e Serbisë dërguar BE-së/ Analisti parashikon: Kosovës përfundimisht po i ofrohet mundësia e artë, kjo është arsyeja

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 janar 2024 Në ora: 20:52
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Duke pasur parasysh letrën e udhëheqjes shtetërore serbe, dërguar BE-së, se Serbia nuk i pranon disa pika të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, nuk njeh pavarësinë as integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Serbia nuk pajtohet as me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, dhe kjo dëshmon se Serbia, as që është njëmend e interesuar për asnjë lloj asociacioni të minoritetit serb, por për gllabërimin e tokave më jetike të Kosovës dhe shkatërrimin e shtetit tonë të lirë e të pavarur.

Kështu është shprehur analisti politik Gani Qarri, i cili shton se, vet ky akt i trishtë publik, flet hapur se pas (grabitjes) fitores së Vuçiqit në Serbi, procesi i dialogut ndërmjet të dy vendeve, pritet të jetë edhe më sfidues dhe mund të shënojë, sërish ngecje edhe më të mëdha.

“Shto kësaj deklaratat e fundit të emisarit të BE-së Mirosllav Lajçak se draft-statuti i asociacionit, është çështje e brendshme e Kosovës dhe se BE është në pritje të propozimeve të Kosovës, për modifikimin e draft-statutit, besoj se Kosovës, përfundimisht po i ofrohet mundësia e artë dhe hapet rruga njëkahëshe, që pa asnjë shtyrje të mëtejme, të fillojë dialogun e brendshëm me pakicën serbe, për rregullimin me mirëkuptim të nevojave dhe kërkesave të arsyeshme të tyre, pa prishur ekuilibrin politik as rregullimin e brendshëm shtetëror në Kosovë, duke mbajtur jashtë dhe sa më larg, çfarëdo involvimi, të Serbisë hegjemoniste”, thotë Qarri.

Andaj, sipas tij, me të filluar viti kalendarik 2024, edhe Kosova doemos, duhet ta ndryshojë qasjen e saj të deritanishme dhe të mendojë seriozisht për nisjen urgjente të dialogut me serbët lokalë, për arritjen e një marrëveshjeje të brendshme me ata, dhe dakordimin për marrjen e një vendimi substancial, përndryshe zgjedhjet e vitit të ardhshëm, në BE dhe ShBA, do ta komplikojnë çdo gjë edhe në dialogun me Serbinë.

“Me fitoren e grabitur, të Vuçiqit në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, Kosova nuk mund të presë një rezultat përfundimtar në dialogun mes dy vendeve, as në vitin 2024, siç u cek edhe për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në disa vende të Bashkimit Evropian, si dhe atyre që në nëntor, pritet të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj dialogu me serbët lokal në Kosovë, mbetet rruga e vetme për pajtimin e brendshëm, i cili mund të kthehet në çelës të marrëveshjes së përhershme dhe argument të pazëvendësueshëm, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate edhe me Serbinë”, thekson ai.

Qarri potencon se, rivendosja e rendit dhe e ligjit si dhe pranimi i targave legjitime të Republikës së Kosovës në veri, ka dëshmuar se problem për Kosovën përbën Serbia dhe jo serbët lokalë.

“Andaj dialogu i brendshëm me serbët lokalë, duhet të fillojë sa më parë dhe të kthehet në bazën kryesore për marrëveshje të brendshme me pjesëtarët luajalë të pakicës serbe, si dhe të shndërrohet në argument pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke mos lejuar në asnjë mënyrë, përzierjen e Serbisë, në çështjet ligjore as rregullimin e brendshëm shtetëror e juridik, të Republikës së Kosovës”, potencon ai.

Analisti shton se, çdo zvarritje e dialogut të brendshëm me serbët lokalë, pa shqyrtimin e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe adekuate për ta, pa përzierjen e Serbisë, gjendja në veri, nuk mund të kurohet me deklarata për rritje të vigjilencës dhe ngritje të shkallës së sigurisë, ngase me kohë, mund të akumulohet vakum i tillë, i cili mund të rrezikojë drejtpërsëdrejti përkeqësimin e situatës politike, ngritjen e tensioneve dhe përsëritjen e incidenteve, si sulmi terrorist serb, i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Kështu që duke pasur parasysh se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ky vit, që po e lëmë pas, ishte viti më sfiduesi, qysh nga shpallja e Pavarësisë, për integritetin territorial dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, pas letrës së udhëheqjes shtetërore serbe, dërguar BE-së, se Serbia nuk i pranon disa pika të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, nuk njeh pavarësinë as integritetin territorial të Republikës së Kosovës, procesi i marrëveshjes duhet të përqendrohet në brendësi të shtetit tonë, duke i dhënë përparësi dialogut të brendshëm me serbët lokal, ngase në rast të arritjes eventuale të dakordimit me serbët lokal, dialogu me Serbinë, do të zbriste në rang të dytë dhe binte tërësisht pesha e tij, për tu bërë përfundimisht edhe i parëndësishëm, nëse jo edhe i panevojshëm në tërësi, që rrjedhimisht do ta krijonte bazën, për pajtim ndërmjet dy popujve dhe arritjen e një marrëveshje të përgjithshme në vitin 2024, e cila dhe do të përmbyllte gjithçka mes Kosovës e Serbisë”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat