Vendimet e fundit mbi targat: Sinjal pozitiv nga Kosova, “kurth” strategjik nga Serbia – ja çka mund të pritet në ditët në vijim!

Politika

Vendimet e fundit mbi targat: Sinjal pozitiv nga Kosova, “kurth” strategjik nga Serbia – ja çka mund të pritet në ditët në vijim!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 janar 2024 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten vonë se ka vendosur ta shfuqizojë vendimin për vendosjen e letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe.

“Heqja e regjimit të letër ngjitësve/stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë, transmeton “Bota sot”.

Vendimi i qeverisë Kurti vjen pasi Serbia vendosi t’i lejoi automjetet me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.

Kujtojmë se, që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë.

Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje së pari më 2011, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Këto dy vendime, u mirëpriten nga ndërkombëtarët, derisa analistët parashikojnë se ky është një fillim për zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura kohë më parë mes dy vendeve.

Azemi: Qeveria e Kosovës bashkë me spektrin politik, duhet të përqëndrohet në dy linja veprimi

Image
Emin Azemi

E për këtë temë për gazetën “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.

Së pari, ai u shpreh se vendimet e fundit të qeverive të Kosovës dhe Serbisë për target janë sinjal i mirë, që ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Qarkullimi i automjeteve të Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas, siç qarkullojnë gjithkund në Evropë, pa pasur nevojë për korrigjim të targave, është një sinjal i mirë për të dyja vendet dhe një vullnet politik që kërkon inkurajim edhe më të madh në mënyrë që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës de Serbisë të jetë i plot dhe në interest ë qytetarëve të të dyja vendeve.

Lidershipi serb në Beograd ende nuk e ka pranuar realitetin politik pas vitit 1999, atëherë kur iu mor e drejta të ketë kontrollë mbi Kosovën. Që nga ajo kohë e deri sot, Serbia është munduar të rikthejë pozicionet e humbura, duke i bërë obstruksion procesit të dialogut”, u shpreh publicisti.

Sipas Azemit, në të kaluarën politikanët e Kosovës kanë bërë lëshime të panvojshme në raport me dialogun me Serbinë, derisa kërkoi nga qeveria aktuale të përqëndrohet në dy linja veprimi.

“Klasa politike e Kosovës, në anën tjetër, në periudha të caktuara i është qasur procesit të dialogut, me një fare hezitimi, me njëfarë doze faji, prandaj edhe janë bërë lëshime të panevojshme me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të caktuara me Serbinë.

Por, koha e ikur nuk mund të kthehet, kurse Qeveria e Kosovës bashkë me spektrin politik, duhet të përqëndrohet në dy linja veprimi: në mbajtjen e aleatëve strategjikë, të cilët kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës dhe në forcimin e kapaciteteve shtetndërtuese, që nënkupton edhe një qasje më të unifikuar ndaj Beogradit” theksoi ai.

Më tej, publicisti vlerëson se qeveria e Serbisë është në presion nga ndërkombëtarët, pasi menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve u detyruan ta implementojnë marrëveshjen për targat.

Madje, bazuar në këtë ai parashikoi se në ditët dhe javët në vazhdim mund të implementohen edhe disa marrëveshje të arritura më parë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Implementimi i marrëveshjes për targat, që erdhi menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, është një sinjal se lidershipi serb është para presioneve ndërkombëtare që të mos vazhdojë me obstruimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, andaj e logjikshme do të ishte që në ditët dhe javët në vijim të presim implementimin edhe të marrëveshjeve të tjera, siç janë, bie fjala, marrëveshja për regjistrin e plotë kadastral për Kosovën, e firmosur më 02.09.2011, pastaj marrëveshja për pranimin reciprok të diplomave universitare, e firmosur më 02.09.2011, por edhe marrëveshja për telekomunikacionin (08.09.2013 ), marrëveshja për vizitat zyrtare (14.11.2014) etj” – shpjegoi Azemi.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe disa çështje që Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje, e siç është në këtë rast, çështja e kthimit të trupave të pagjetur.

“Fatkeqësisht, janë edhe disa çështje të hapura me Serbinë, të cilat për arsye iracionale kanë mbetur jashta marrëveshjeve, siç është, bie fjala, çështja e kthimit të trupave të pagjetur, që ishin viktimë e terrorit shtetëror seb mbi shqiptarët, ose një marrëveshje që obligon Serbinë të kompensojë dëmet e shkatuar gjatë luftës në Kosovë.

Bashkësia nërkombëtate mund të mos e detyrojë Serbinë që ta njohë shtetin e Kosovës, por ka mekanizma që e detyrojnë atë t’i identifikojë vend-ndodhjet e trupave të pagjetur të shqiptarëve, si dhe kompenzimin e dëmeve si pasojë e pushtimit serb në Kosovë”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Zogaj: Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka shfuqizuar vendim e përdorimit të letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicisti tjetër, Skënder Zogaj vendimin e qeverisë serbe për targat RKS, e cilësoi si një “kurth” strategjik.

“Vendimi i Serbisë për t'i lejuar automjetet e Kosovës me targën RKS që të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave është "kurthi" i ri strategjik për mosrealizimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar e që me vite nuk janë realizuar! Mosrealizimi është qëllimi i lëshimit që ndodhi nga ana serbe, e cila luan lojën e strucit, duke futur kokën nën plafin e BE-së, e duke e lënë prapanicën e zbuluar në liri, për të ruajtur statusin e vendit paqëdashës që muk po mirëkuptohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe që pa të drejtë po dënohet sepse Kosoca është penguesja e jo Serbia!” – potencoi ai.

Ndërsa, publicisti mirëpriti vendimin e qeverisë Kurti, ku potencoi se lëvizja e lirë e automjeteve serbe nuk e dëmton lirinë e Kosovës.

Mirëpo, kërkoi që të ketë kontrolle më të shtuara, për t’i parandaluar keqpërdorimet e mundshme.

“Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka shfuqizuar vendim e përdorimit të letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe. Lëvizja e tyre e lirë nuk e dëmton lirinë e Kosovës, nëse funksionon vigjilenca shtetërore e kontrollit ligjor që duhet të jetë gjithsesi më i shtuar, për t'ua siguruar lëvizjen e lirë dhe për t'ua pamundësuar lëvizjen e shfrenuar dhe çdo lloj keqpërdorimi të mundshëm me e pa qëllim, çdo shkelje të ketë kriterin ligjor”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat