Heshtje totale në Kosovë e Maqedoni, asnjë reagim ndaj arrestit të Sali Berishës

Politika

Heshtje totale në Kosovë e Maqedoni, asnjë reagim ndaj arrestit të Sali Berishës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 janar 2024 Në ora: 17:17
Sali Berisha

Ish kryeministri shqiptar Sali Berisha po vazhdon të qëndrojë në arrest shtëpiak. Këtë vendim ndaj tij e komentojnë çdo ditë njerëzit e politikës në Shqipëri. Derisa disa e shohin si të padrejtë këtë vendim, në Kosovë nuk po merren me këtë çështje.

Gazeta ka kontaktuar njohës të politikës në Kosovë se përse po heshtet kjo gjë nga politikanët e Kosovës? Ata nuk po solidarizohen me Berishën pavarësisht kontributit të tij për Kosovën.

Çka tregon kjo për ndikimin e pushtetit të Ramës në Kosovë? Nuk pati reagim as nga LDK si parti e djathtë, pse ndodhi kjo?

Për këto pyetje ka dhënë përgjigje, profesori Sulejman Mehazi. Ai thotë se është turpi i madh botëror për Prokurorinë e posaçme SPAK-un dhe qeverinë e Shqipërisë që politikanin më me përvojë Sali Berishën në moshën 80 vjeçare e dënojnë me burg shtëpiak vetëm për shkak veprimeve të tij politike opozitare.

Mehazi: Heshtja totale e mos solidarizimi i partive në Kosovë dhe Maqedoni është e frikshme aq sa edhe vendimi për arrest shtëpiak

Image
Sulejman Mehazi.

“Burgosje të ngjashme kanë ndodhur edhe gjatë sistemit monist të Enver Hoxhës që kanë burgosur personalitete të moshuar që me një këmbë kanë qenë në këtë botë e me këmbën tjetër buzë varrit kjo ndodh dhe me pasardhësin e Enverit, Edi Ramën, i cili pa farë etike politike nën patronazhin e SPAK-ut ia dhurojnë Berishës së moshuar arrestin shtëpiak për t'ia shterur zërin partisë opozitare PD-së. Arresti shtëpiak ndaj Sali Berishës e ka kuptimin e burgosjes së gjithë partive opozitare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e RMV”, vlerëson Mehazi.

Profesori thotë më tutje se edhe heshtja totale e mos solidarizimi i partive në Kosovë dhe Maqedoni është e frikshme aq sa edhe vendimi për arrest shtëpiak.

"Se sa e frikshme është arresti shtëpiak i Sali Berishës tregon heshtja totale dhe mos solidarizimi i të gjitha partive opozitare në Kosovë dhe RMV, asnjë deklaratë përkrahje e solidarizimi nga kryetari i partisë djathtiste opozitare të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili është duke heshtur sikurse miu në birë nga frika e të pushtetshmit Edi Rama, i cili dita ditës po kapardeiset me pushtetin kundër politikanëve që e kritikojnë me kërcënime burgosjesh e arrestesh shtepiake”, thekson ai.

Ai vlerëson se rasti i arrestit shtëpiak i Sali Berishës mund të krahasohet me arrestimet, izolimet dhe robërimet e qytetarëve të Gazës në Palestinë nga frika ndaj izraeliteve, heshtjen botërore që e bën Netanjahu propalestinezëve, të njëjtin veprim e bën dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndaj partive opozitare që janë kundër tij dhe pro Sali Berishës.

“Natanjahu ka heshtur opozitën botërore pro-palestineze, kurse Edi Rama ka heshtur të gjitha partitë shqiptare në Shqipëri, Kosovë e RMV pro-Sali Berishës”, nënvizoi profesor Mehazi për ‘Bota sot’.

Mulliqi: Të gjitha akuzat ndaj tij per korrupsion janë të fabrikuara

Image
Skender Mulliqi.

Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe analisti politik, Skender Mulliqi. Ai thotë se arrestimi shtëpiak i liderit të demokracisë, ish kryeministrit dhe presidentit të Shqipërisë, Sali Berishës është mëkati më i madh, dhe padrejtësia më e madhe që i është bërë dikujt, pas rënies të komunizmit.

“Kryetarii PD është njeriu i cili ka bërë shumë për kombin. Është njeriu më meritori, për rrëzimin e regjimit diktatoral të Enver Hoxhës. E ka inkuadruar Shqipërinë në NATO, ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera më botën perëndimore dhe më Amerikën. Rruga e Kombit është një tjetër vepër madhore, që është meritë e Sali Berishës. Është vargu shumë i gjatë i veprave të mira, të cilat Berisha i ka lënë mbrapa. Nuk mbahet mend që një personalitet i formatit të Berishës të jetë linquar politikisht, dhe tash edhe më arrest shtëpiak. Të gjitha akuzat ndaj tij per korrupsion janë të fabrikuara, për të vetmin qëllim të largimit të tij nga jeta politike”, thekson Mulliqi.

Ai thotë se, dihet pse i përgatiten një skenar të tillë. Pse për Sali Berishën nuk u ngrit ndonjë akuzë sa ai ishte larguar nga politika, duke ja lënë në dorë PD, Luzlim Bashës, i cili tërë kohën ka koketuar me pushtetin e Edi Ramës?

“Berishën e shpallen non grata Sorosi, më argatët e tij në Shqipëri dhe më nënsekretarin amerikan të shtetit, Blinken një sorosist i thekur, si hakmarrje ndaj Berishës, pse sa ishte në pushtet e kishte përzën Sorosin nga Shqipëria, duke i refuzuar idetë dhe planet kontrolluese e nënshtruese të tipit ekstrem majtist. Një rol shumë negativ në këtë proces montues i takon edhe ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Kthimi i tij në PD ishte kthim triumfalist dhe ishte nevojë së opozita kishte rënë përtokë. Sali Berisha është zëri i shumicës të shqiptarëve kudo që janë. Është njeriu i cili kishte bërë thirrje për bashkim kombëtar, midis Brukseli e gjetiu. SPAK u tregua shumë e njëanshëm, kur vendosi të arrestoj Berishën, ndërsa abrogon njerëzit e pushtetit, si Arber Ahmetaj, duke e larguar nga vendi, në vend që të burgoset, më shumë pushtetarë të tjerë si bartës të korrupsionit-inceneratorët në Shqipëri.

Ai ndër të tjera thotë se, është shumë e çuditshme dhe e pa justifikueshme mos reagimi i politikanëve të Kosovës, më rastin e arrestit shtëpiak të Berishës.

“Ky mos reagim më duket së duhet shikuar edhe nga këndi ideologjik i orientimit të partive tona të paprofilizuara politike. Partitë e krahut që veti po I thonë që I takojnë djathtizmit në fakt janë të krahut të majtë. LDK sa ka qenë gjallë Rugova, i ka takuar krahut të djathtë perëndimor. LDK e Isa Mustafës dhe kjo e tanishmja më duket së vetëm në letër ka mbetur parti e djathtë. Është pritur që të reagohet ndaj këtij arresti të padrejtë të Berishës, së është bërë kryekëput për qëllime të caktuara politike”, vlerëson ai.

Mulliqi thotë tutje se nuk ka asnjë justifikim që asnjë politikan nga Kosova mos ti dalë zot Berishës, duke mos bërë as deklarimin më të vogël.

“Berisha gjithmonë i ka dalë për Zot lirisë dhe pavarësisë të Kosovës nga Serbia hegjemoniste. Po i del zot edhe sot në kushtet të paqes. Është njeriu të cilit ja kanë frikën armiqtë serbosllav. Mos reagimi lidhet edhe më atë së disa liderë opozitarë i kanë sforcuar lidhjet politike më Edi Ramën, për faktin që mos kanë mundësi më rrëzuar Albin Kurtin më lehtë nga pushteti. Shumë shqiptarë dhe ekspertë të Ballkanit besojnë se SHBA-ja e detyroi Ramën të padiste Berishën, për ta justifikuar shpalljen person non grata . Arresti shtëpiak nuk e rrëzon Sali Berishën, përkundrazi e lartëson edhe më shumë”, thekson ai.

Ndryshe, Berisha dyshohet si pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.

Për të njëjtën çështje ishte arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe “pastrim parash”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat