Vizita historike e Cameron-it, mesazh “kërcënues” për Serbinë – vjen mbështetja e madhe për Kosovën

Politika

Vizita historike e Cameron-it, mesazh “kërcënues” për Serbinë – vjen mbështetja e madhe për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 janar 2024 Në ora: 08:02
 Sekretari i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në Kosovë

Gjatë javës së kaluar, Kosovën e vizitoi një politikan me rëndëi të madhe në Evropë, dhe jo vetëm. 

Ishte Sekretari i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron që zbarkoi në Prishtinë, ku edhe zhvilloi takime të rëndësishme me krerët e shtetit tonë. 

Ai në deklarimet e tij për media konfirmoi edhe një herë mbështetjen e madhe që Britania e Madhe ka për Kosovën. 

Në një nga paraqitjet e tij për media, Cameron njoftoi se shteti i tij po investon 45 milionë paund këtë vit për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. 

Cameron tha se po jetojmë në një botë të pasigurt dhe se Mbretëria e Bashkuar dëshiron t’i mbështesë miqtë dhe të punojë ngushtë me aleatët. Këtë tha se po e bëjnë në Kosovë. 

“Mendoj se një nga gjërat që kam dëgjuar se është kaq e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën Britania po investon me 45 milionë paund këtë vit. Është diçka shumë e rëndësishme për interesin tonë kombëtar. Dhe unë mendoj se diskutimet që kemi pasur përshtaten në një model më të gjerë që është siç shohim sot në lajme. Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është koha kur vende si Britania duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në fusha që kanë qenë stabilitet dhe progres dhe kjo është arsyeja pse ne duan të vazhdojmë dhe kjo që po bëjmë në Kosovë do të vazhdojë”, tha ai. 

Përveç kësaj, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar potencoi se Britania e Madhe vazhdon ta mbështesë, ndihmojë dhe promovojë Kosovën, në të gjitha mënyrat që munden. 

Cameron theksoi se Britania do të ndihmojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga shtetet mos njohëse. 

“Jemi këtu që t’iu suportojmë, t’iu promovojmë dhe t’iu ndihmojmë në çdo mënyrë që ne mundemi. Keni pasur sfida të forta në korrupsion, por sfida kryesore është për të ndërtuar një shtet i cili është i sigurt për të gjitha komunitetet. Faleminderit për të gjitha diskutimet, do të ndihmojmë juve për njohjen e juaj në të gjitha shtetet. Ne ju suportojmë juve”, tha ai. 

Kjo vizitë dhe mbështetje e madhe e sekretarit britanik, ‘zemëroi’ Serbinë, pasi në mënyrë indirekte ia bëri të qartë se mbështet Kosovën dhe se do punojë fortë që të ketë siguri dhe paqe, gjë të cilat shteti serb nuk i dëshiron, pasi synim ka vetëm trazira, provokime e konflikte. 

Shala: Deklarimi i Cameronit në Kosovë është një mesazh i veçantë 

E mbi rëndësinë e mbështetjes së Britanisë për vendin tonë, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

Së pari, ai komentoi situatën politike dhe të sigurisë dhe ndryshimet e mëdha brenda BE-së. 

Image
Drizan Shala. 

“Situata politike por edhe ajo sigurisë tani ka filluar që në vitin 2024 të marr ndryshime të pritura në raport më avancimin e rrugëtimit të politikave të BE brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor duke krijuar një ndarje më të theksuar në mes frymës lindje dhe perëndim. 

Kosova në raport me sigurinë që nga 2021 e tutje e me theks të veçantë shtator 2023 ka paraparë shumë skenarë që mund të cenohet siguria nacionale në vend përmes formave të ngjashme sikur që i ka zhvilluar Serbia në sulmin e fundit terrorist në Kosovë”. 

Krahas kësaj, Shala përmendi edhe një krizë të mundshme të sigurisë, derisa tregoi se si mund të tensionohet situata. 

“Organet ligj-zbatuese tani në koordinim me faktorin ndërkombëtar i kanë paraparë që gjendja e sigurisë mund të tensionohet dhe kështu mund të gjendemi para një krize në formatin ku do të përdoreshin nga ana e Beogradit formacionet paraushtarake, ushtarake për të zbatuar planet e saj në Kosovë për të bere një ndërhyrje brenda territorit të Kosovës”, vlerësoi ai. 

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë potencoi se mesazhi i Cameronit është një kërcënim për Serbinë e Vuçiqit. 

“Deklarimi i Cameronit në Kosovë është një mesazh i veçantë por edhe një kërcënim i drejtpërdrejt për Serbinë dhe Vuçiqin nëse tenton të ndërhysh në Kosovë do të përballesh me sulmin edhe të forcave britanike në terren dhe kjo në përkthim i bie që do të pushtohet Beogradi nga forcat speciale britanike që ishin ndalur në vitin 99 në pikën kufitare në Merdarë dhe nuk shkuan tutje”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”. 

Kelmendi: Për shtetin e Kosovës mbrojtja nga Mbretëeia e Bashkuar është e rëndësisë jetike 

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi e vlerësoi jashtëzakonisht shumë mbështetjen e Britanisë, derisa tregoi edhe rëndësinë e madhe që ka pasur për Kosovën. 

Image
Muhamet Kelmendi

“Britania e Madhe është shtet shumë i rëndësishëm në Evropë dhe në botë. Edhe gjatë historisë ka pasur rëndësi të madhe. 

Tash, pas vizitës së Sekretarit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, në Prishtinë, doli se më shumë po interesohet Mbretëria e Bashkuar për Ballkanin dhe kryesisht për Kosovën kundruall shtetit racist serbomadh. 

Në qendër të paqes Mbretëria e Bashkuar e ka vendosur Kosovën. Këtu po del se është rreziku i luftës terratiste serbe. Pa paqe dhe siguri në Kosovë nuk ka paqe në Ballkan dhe me gjerë”, u shpreh ai. 

Gjithashtu, ai citoi edhe një deklaratë të Cameron-it, derisa shtoi se qëndrimet e Britanisë kanë një rëndësi të madhe dhe luajnë rol kyç për Kosovën. 

“Z. Cameron tha: "Britania e Madhe po i mbështet miqtë dhe po punon ngushtë me aleatët për të ruajtur gjendjen në Kosovë ....! Kosova është shtet i pavarur dhe këtu nuk ka çka të diskutohet (...)". 

Ky qëndrim është shumë i rëndësishëm për Republikën e re, për Kosovën. Si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht, është ndihmë dhe siguri e madhe për Kosovën. 

Britania e Madhe i ka 600 ushtarë në Kosovë. Të gjithë janë në kufi me shtetin serb. Edhe në NATO ka rol vendimtar”, shpjegoi Kelmendi. 

Në fund, profesori tha se Britania luan rol të madh edhe në sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, ku ndër të tjera paralajmëroi se në shtetet ku ka ushtarë britanikë vështirë të futet dikush në luftë. 

“Tërë kohën sa Mbretëria e Bashkuar qëndron afër Kosovës priten edhe njohje të reja. Këtë e premtoi sekretari i shtetit z. Cameron. 

Por, shumë e rëndësishme është mbrojtja e Republikës. Sigurisht edhe ndihma të ndryshme ushtarake për FSK-në do të ndahen nga Mbretëria e Bashkuar. 

Sa kohë që Mbretëria e Bashkuar është e vendosur për ta ruajtur shtetin e Kosovës edhe siguria është shumë e madhe. 

Aty ku është Londra prezente me ushtri është shumë vështirë të futet ndokush në luftë. Nëse futet, futet në konflikt me vetë Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ka rëndësi për Kosovën”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat