“Lëvizjet interesante të Haradinajt”, zbardhen prapaskenat e kërkesës për zgjedhje të parakohshme – ja cilat parti synojnë koalicion me Kurtin!

Politika

“Lëvizjet interesante të Haradinajt”, zbardhen prapaskenat e kërkesës për zgjedhje të parakohshme – ja cilat parti synojnë koalicion me Kurtin!

Nga: A.M. Më: 8 janar 2024 Në ora: 11:35
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Një nga temat më të përfolura kohëve të fundit janë zgjedhjet e parakohshme.

Partitë opozitare, madje edhe analistë të ndryshëm kanë hedhur parashikimet e tyre për mundësinë që gjatë vitit 2024 të ketë zgjedhje.

Një nga më të zëshmit në këtë temë ka qenë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj.

Ky i fundit, ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë.

E për këtë temë, për gazetën “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Së pari, ai nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në pranverë, derisa tha se një gjë të tillë siç duket po e pëlqen edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Zgjedhjet e parakohshme për pranverën e ardhshme duket se janë një opsion. Mesa shoh këto zgjedhje i parapëlqen edhe mazhoranca. E kam fjalën për Vetëvendosjen. Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është në fushatë dhe e gatshme të konkurojë në këto zgjedhje. Unë besoj se LDK ka shanse të rritet, nëse ato zhvillohen së shpejti. Në kontekstin e zhvillimeve në rajon, ka mundësi që zgjedhjet të zhvillohen para kohe. Më 8 maj ato zhvillohen në Republikën e Maedonisë së veriut. Më 17 dhjetor të vitit që kaloi u zhvilluan në Serbi. Në Shqipëri gjithashtu pati një tentativë nga kryeministri Rama të shpallte zgjedhje të parakohshme, por nuk e lejuan ndërkombëtarët”.

Image
Enver Bytyçi.

Krahas kësaj, Bytyçi tha se në thirrjet për zgjedhjet e parakohshme, në front të parë është Haradinaj, për të cilin tha se po bën disa lëvizje interesante.

“Në fakt në Kosovë, pak muaj pas fitores së koalicionit Vetëvendosje dhe Lëvizjes Guxo partitë opozitare kanë kërkuar zgjedhje parlamentare. E kanë thënë këtë Memli Krasniqi e Vlora Çitaku, Lumir Abdixhiku e të tjerë. Ndërsa lideri i AAK-së është pozicionuar herë me agresivitet kundër qeverisjes së Kurtit dhe herë më ofertë për bashkëqeverisje. Në këto momente zoti Haradinaj është në frontin e parë të kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Përveç kësaj ai përpiqet të bëjë edhe profetin në ndonjë rast. Të parashikojë zhvillmet politike. Por në të shumtën e rasteve nuk qëllon në shenjë. Megjithatë janë interesante lëvizjet e zotit Haradinaj. Gjithnjë kanë qenë të tilla. P.sh kur u kthye nga Haga ai shkoi në zyrën e kryeministrit Thaçi dhe i kërkoi që vendin e kryeministrit ta merrte vetë Ramushi. Dukej madje se ishte i motivuar për atë post pa bërë zgjedhje”, theksoi ai.

Profesori u shpreh i befasuar me kërkesën e Haradinajt për zgjedhje, pasi nuk sheh rritje të AAK-së.

Po ashtu, ai kritikoi qeverisjen e Haradinajt në të kaluarën, derisa ia përmendi edhe disa dështime.

Sipas tij, Haradinaj thjesht dëshiron ta shesë veten dhe AAK-në si të sukseshme.

“Por le ta zemë se në pranverë do të bëhen zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Kosovë. Nuk e di se çfarë po mendon zoti Haradinaj të fitojë. Më shumë vende në parlament?! Mendoj se kjo do të jetë e pamundur. AAK dhe Haradinaj kanë pasur sukses në ruajtjen e tërësisë territorial të Kosovës me vendosjen e taksës për mallrat serbe që hynin në Kosovë. Kjo meritë duhet t’u njihet. Por kur kjo meritë nuk e rriti elektoratin e AAK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, zor të ndodhë kjo në një kohë më të largët, pra tani tri vjet pas zgjedhjeve të fundit.

Ndërkohë qytetarët mbajnë mend se qeverisja e zotit Haradinaj ishte jo profesionale dhe me problem të përfolura korrupsioni e gjobvënieje njëkohësisht. Ndoshta nuk ka asgjë nga këto, por i thonë fjalës “më mirë të daltë szni, sesa name”! Sa i përket qeverisjes vetë Ramushi thoshte disa herë p.sh se “Unë nuk jam i zoti për negociata me Serbinë” dhe e transferoi përgjegjësinë e tij te presidenti Hashim Thaçi. Kur Thaçi nisi pazaret e ndarjes së territorit, Haradinaj iu kundërvu atij. Dhe mirë bëri! Por ama dëshmoi paaftësi në ushtrimin e funksioneve shtetërore në politikën e jashtme. Ndërkaq qeverisja e tij ishte pa projekt, pa vision, pa parime në të cilat drejtohet shteti. Ishte rutinë e punëve ditore. Ka ikur koha kur Kosova të drejtohet kësisoj. Ndaj besoj se Haradinaj thjesht dëshiron ta shesë veten dhe AAK-në si të sukseshme. Por duhet testuar sa e besojnë qytetarët e Kosovës për këtë”, vlerësoi Bytyçi.

Kurse, sa i përket PDK-së, ai konsideroi se është dobësuar, dhe se atë e votojnë vetëm ata që e urrejnë Kurtin.

Gjithashtu përmendi edhe LDK-në, ku tha se Abdixhiku duhet të kishte reflektuar ose të reflektojë.

“Edhe PDK është dobësuar nga pikëpamja elektorale. Sigurisht që kjo parti, edhe pa udhëheqje e ruan një elektorat fanatik. Dmth mund të votohet vetëm prej atyre që “urrejnë” Albin Kurtin. Por nuk ka se çfarë ofron. Ose së paku deri më sot nuk ka ofruar diçka ndryshe nga qeverisjet e bashkëqeverisjet e saj 20 viçare. Ajo është thuajse për herë të parë në opozitë. E ka shijuar prestigjin e pushtetit më shumë se çdo parti tjetër. Pas saj vjen LDK. Por kur një mazhorancë del në minorancë, ajo duhet reformuar, duket të dëshmojë se nuk i bën gabimet dhe fajet e së kaluarës. Duhet ta bindë publikun se ka ndryshuar. Pra, duhet të japë shpresë.

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka bërë këtë reformë. Përkundrazi, nuk i ka pranuar gabimet e sa, sidomos lidhur me dialogun me Serbinë dhe mbështetjen që i ka dhënë ndarjes së Kosovës. Por nuk ka reflektuar publikisht as për grabitjet e pasurisë kombëtare të disa eksponentëve të saj. Të kërkosh zgjedhje pa u reformuar, është vetëvrasje politike. Të tilla problem mosreflektimi ka edhe LDK. Megjithëse përgjegjshmëria e Lidhjes Demokratike në qeverisje ka qenë më e madhe. Ajo ka dëshmuar edhe profesionalizëm. Por besoj se duhet edhe Abdixhiku të kishte reflektuar ose të reflektojë”, potencoi profesori.

Në fund, parashikoi edhe koalicione të LVV me LDK apo AAK-në, në rast se nuk merr 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme.

“Në këto kushte thirrjet e opozitarëve për zgjedhje të parakohshme i shoh si mburrjet e një mundësi të dobët në ring, që thërret me zë të lartë se është i fuqishëm, ndërkohë që humbet me nokaut që në raundin e parë. Kjo do të thotë se Vetëvendosja nuk humbë vota. Por druhem se ka njerëz në Vetëvendosje që shkojnë në zgjedhje me idenë e dobësimit të Lëvizjes Guxo. Në këtë mënyrë unë e shoh lëvizjen për zgjedhje të parakohshme të Haradinajt e deri diku të Abdixhikut si shans për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen. Sidomos Haradinaj e ka obsesion pushtetin. Nëse Kurti nuk merr bashkë me Lëvizjen Guxo 50 përqind të votive, atij i duhet të marrë në koalicion edhe një ose dy parti tjera. Kurti nuk bën koalicion me Listën Srpska. Mbetet Haradinaj ose Abdixhiku, ndoshta të dy bashkë në një koalicion të gjerë”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat