Vuçeviqi provokoi nga baza ushtarake në Medvegjë, Stradner alarmoi për luftë: A mund të rezultojë një luftë si në vitet e ’90?

Politika

Vuçeviqi provokoi nga baza ushtarake në Medvegjë, Stradner alarmoi për luftë: A mund të rezultojë një luftë si në vitet e ’90?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 8 janar 2024 Në ora: 15:00
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Gjatë ditës së djeshme ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili nga Medvegja ka provokuar shqiptarët.

Ai gjatë kësaj vizite ishte edhe në një bazë ushtarake ku edhe përmendi Kosovën.

“Kjo është arsyeja pse zemra ime është plot. Jam shumë i privilegjuar dhe i nderuar që, së bashku me gjeneralët, komandantët dhe oficerët, mund ta kaloj mëngjesin e Krishtlindjeve me pjesëtarët e Brigadës së Tretë në bazën ‘Medevce’, në rrethin Jablanicki, në Zonën e Sigurisë Tokësore, pranë të kryqëzuarve tanë dhe Kosovës së Shenjtë, dhe në emër të të gjithëve qytetarëve të Serbisë, ju uroj pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe i falënderoj për gjithçka që bënë dhe po bëjnë për atdheun e tyre”, tha Vuçeviq.

Ndërsa, sot ishte Ivana Stradner, këshilltare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD) dhe bashkëpunëtore kërkimore në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve (AEI) nga Uashingtoni ku ka folur për situatën në Kosovë, duke paralajmëruar se situata aktuale është shumë e keqe dhe mund të priten përshkallëzime të mëtejshme.

“...Aktualisht, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë është shumë e keqe dhe mund të priten përshkallëzime të mëtejshme. A mund të rezultojë kjo në një luftë siç e pamë në vitet ’90? Nuk e di. Por kjo nuk është as e nevojshme sot për të arritur qëllimet e tjera të Moskës dhe Beogradit. Lufta në zonën gri, e cila është pak nën pragun e konfliktit të armatosur, është çelësi i Ballkanit dhe Putin dhe Vuçiq e dinë mirë këtë”, deklaroi ajo.

Liderët politik serbë, pothuajse çdo ditë kërcëojnë dhe provokojnë Kosovën, duke ngjallur kështu frymën nacionaliste serbe për një sulm tjetër në veri të vendit, pas atij të Banjskës.

Për këtë, profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi thotë se pas debaklit të terroristëve serbë në Banjskë, Serbia ka humbur forcat për të sulmuar Kosovën, 3-4 brigadat përgjatë kufirit me Kosovën me 48 baza të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë vetëm provokime inatesh për shkak humbjes së turpshme të terroristëve serbë në Banjskë.

“E nga inati i humbjes së terroristit Radoiçiqit qeveria dhe policia e fshehtë serbe kanë nisur të sulmojnë, plagosin e burgosin politikanët e partive opozitare serbe sikurse ndodhi me Nikola Sanduloviqin”, thotë Mehazi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, edhe më parë forcat e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë instaluar përreth Kosovës, “por janë kthyer bythëprapë në drejtim të Beogradit”.

“Shenjat politike e diplomatike tregojnë se këto brigada ushtarake serbe në kufi të Kosovës janë provokimet e fundit të Vuçiqit, ushtrisë dhe policisë serbe ndaj Kosovës, forcat shtesë të KFOR-it në veri të Kosovës, njohja e targave të Kosovës nga Serbia, njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja dhe deklarata e fundit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, se BE-ja e SHBA-të këmbëngulin që Kosova të njihet nga Serbia, na japin të drejtë të shprehemi se jo që nuk do sulmohet Kosova nga ushtria e xhandarmëria serbe, por Vuçiqi dhe qeveria serbe do ta pranojë mëvetësinë dhe qeverinë e Kosovës”, thotë ai.

Ai shprehet se, më shumë është e rrezikuar Bosnjë-Herrcegovina me "Srpska republikën serbe" sesa Kosova që është e mbrojtur nga pesë forcat mbrojtëse: KFOR-i, EULEX-i, Bonstili, ushtria dhe policia e Kosovës.

“Pas Banjskës, Serbia është dorëzuar para Kosovës dhe fitilin e luftës Serbia e ka drejtuar në drejtim të Dodikut dhe Vulinit në Bosnjë-Hercegovinë, poashtu dhe në Mal të Zi. Forcat ushtarake e policore serbe sa janë afër Kosovës aq janë edhe afër Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi në Novi Pazar të Sanxhakut. Ballkani Perëndimor më lehtë mund të rrezikohet nga Serbia në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi sesa në Kosovë”, përfundon profesori Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat