Koalicioni i mbijetesës/ Ja frika që i bëri përsëri bashkë Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn

Politika

Koalicioni i mbijetesës/ Ja frika që i bëri përsëri bashkë Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 janar 2024 Në ora: 12:00
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë bërë përsëri bashkë. Këtë herë ata po synojnë që ta rrëzojnë nga pushteti kryeministrin aktual të Kosovës, liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. 

E për këtë qëllim, Kryetari i AAK-së dhe ai i Nismës Socialdemokrate e kanë nënshkruar koalicionin e tyre parazgjedhor. 

“AAK dhe NISMA kemi arritur marrëveshje parazgjedhore. Ne bashkë në diskutimet disa mujore, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i vetëm dhe në raste të caktuara edhe i luftuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kurti. Pozita e t’parit është e sigurt, atë e dinë vetëm sovrani, votuesi. Votuesi i para këtyre zgjedhjeve po e ka shpallë VV-në të parin, por mundet edhe me ia marrë atë pozitë. Ne aspirojmë pozitën e parë në tabelën subjekteve politike, në opsionet qeverisëse që ofrohen”, ka deklaruar Haradinaj pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor. 

Por analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, këtë koalicion e shohin më shumë si një koalicion i mbijetesës, se sa një koalicion që mund ta rrezikojë kryeministrin Kurti. 

Koalicion i mbijetesës 

Image
Nexhat Haziri

Së paku kështu thotë njohësi i zhvillimeve politike,  Nexhat Haziri. 

“Është koalicion për mbijetesë në skenën politike si për z, Haradinaj dhe AAK-në, po ashtu edhe për z. Limaj dhe subjektin e tij politik që shpresojnë të  përfaqësohen në kuvendin e Kosovës, edhe eventualisht të bëhen pjesë e një koalicioni qeverisës në të ardhmen”, shprehet Haziri. 

Sipas tij, Haradinaj dhe Limaj po synojnë që përmes një koalicioni pas zgjedhor të jenë edhe pjesë e qeverisë së ardhshme.  

“Ky koalicion ndërmjet AAK-së dhe NISMA-s, nuk do të ketë të ashtuquajturat vija të kuqe, por do t'i bashkëngjitet së cilit koalicion që do t'i ofrohet, pra koalicionit pas zgjedhor që mund t'i bëjë pjesë e qeverisë së ardhme”, shprehet Haziri për “Bota sot”. 

“Ajo që dihet është se ky koalicion nuk përbën rrezik për asnjë nga tri partitë e mëdha politike, siç është VV, LDK apo edhe PDK”, përfundon Nexhat Haziri. 

Koalicion i zorit 

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti Faton Mehmeti thekson se AAK dhe Nisma u bënë bashkë nga frika e mos kalimit të pragut zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme. 

“Koalicion i zorit, imponuar nga frika e mos kalimit të pragut zgjedhor. Edhe AAK ka frikën e pragut, ndaj kërkojnë të bëhen bashkë për të kaluar pragun”, thotë Mehmeti. 

Sipas tij, koalicionit AAK-NISMA, mund t’i bashkohen edhe AKR dhe PSD. 

“Nuk pres rritje as të AAK-së dhe as të Nismës. Edhe bashkë me shumë pikëpyetje në mes a mund apo jo të kalojnë pragun. Frika është aq e madhe sa do kërkojnë edhe AKR-në e Pacollit dhe PSD-në në koalicion, sepse e dinë se çfarë i pret në zgjedhje”, deklaron Faton Mehmeti. 

Për fund, ashtu si Haziri, edhe Mehmeti thotë se këto dy parti synimin kryesor e kanë që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. 

“Nuk është koalicion i parimeve, interesat e ngushta dhe halli i përbashkët i ka lidhur të dy partitë në opozitë. Qëllimi kryesor i tyre është pragu me bindjen dhe lutjen që VV mos të arrijë 50% të votave e mos i merr në koalicion. E dyta përjashtohet derisa tek e para shumë pikëpyetje janë”, përfundon analisti Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat