Ndalimi i “dinarit” dhe ankesat e Vuçiqit te ndërkombëtarët: Kjo duhet të jetë kundërpërgjigjja e Kosovës!

Politika

Ndalimi i “dinarit” dhe ankesat e Vuçiqit te ndërkombëtarët: Kjo duhet të jetë kundërpërgjigjja e Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 janar 2024 Në ora: 20:29
Albin Kurti në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup. 

Plani i Rritjes i Komisionit Evropian ka qenë temë kryesore e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup. 

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar bashkëpunim dhe reforma për të përdorur paratë e siguruara nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian. 

Në këtë Samit të mbajtur në Shkup morën pjesë përfaqësues të Ballkanit, ndër ta edhe kryeministri Kurti dhe Vuçiq. 

Kur nga ky Samit kryeministri Kurti deklaroi, se vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare. 

Ndërsa Vuçiqit sikur nuk u mjaftua pa përmendur temën tashmë shumë të përfolur, ajo për dinarin. 

Ai ka thënë se ka folur për Ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, për çështjen e dinarit, duke pretenduar se institucionet e Republikës së Kosovës e kanë ndaluar për transaksione. 

“Fola me O’Brien për vendimin për të anuluar pagesat”, ka thënë Vuçiq. 

A ka thënë se për këtë çështje do të vazhdojë konsultimet me O’Brien. 

Vendimin për ndalimin e valutës “dinar” në Kosovë nuk e ka pritur mirë as Bashkimi Evropian.  

Nga BE-ja i është bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe, siç thanë nga blloku, mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.  

Kjo thirrje u bë edhe lidhur me rastin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme.  

Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro, vendim që nga Serbia është parë si ndalesë për pagesat me dinarë serbë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje. 

Haziri: Vendimi i BQK-së, është vendim i drejtë dhe shumë normal për së cilin shtet 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri. 

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se është i drejtë vendimi i BQK-së dhe është e drejtë e secilit shtet dhe se fushatat e Vuçiqit nuk duhet të merren parasysh. 

“Që nga vendimi i BQK-së për ndalimin e qarkullimit dhe të pagesave me dinar të Serbisë, kjo e fundit ka marrë fushatë siç thuhet nga vet presidenti serb Vuçiq për ta informuar bashkësinë ndërkombëtare gjoja për këtë presion të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës. Vendimi i BQK-së, është vendim i drejtë dhe shumë normal për së cilin shtet, pra edhe për Kosovën  për të pasur një sistem të unifikuar  për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro e që është valutë e vetme në vendin tonë”, u shpreh ai. 

Më tej, analisti thekson që do të ketë presion ndërkombëtar mirëpo Qeveria nuk duhet të tërhiqet pasi është vendim legjitim. 

“Kjo nuk ka të bëjë asgjë me politikën, por me një vendim më shumë ekonomik, për të parandaluar humbjet që i janë shkaktuar buxhetit të vendit me qarkullimin ilegal të dinarit të Serbisë në pjesën veriore të vendit por edhe në pjesë të tjera ku kanë jetuar komuniteti i serbëve kosovar. Andaj unë pres që do të ketë një lloj presioni nga faktori ndërkombëtar, por jo gjith aq i fuqishëm pasi ky vendim i BQK-së është vendim legjitim dhe që është marrë konform ligjeve të Kosovës që rregullojnë këtë fushë për të parandaluar humbjet në ekonomi dhe bugjet. Dhe mbi këtë aspekt , qeveria e Kosovës duhet ta mbrojë vendimin e BQK-së pa marrë parasysh presioneve nga jashtë”, tha Haziri për “Bota sot”. 

Burjani: Nuk  besoj se mund të ketë presion përveç fjalimit politik formal 

Ndërsa juristi Blerim Burjani për “Bota sot”, nuk beson që mund të ketë presion përveç fjalëve. 

Sipas tij, kjo çështje valutroe nuk duhet të shndërrohet në politikë ditore. 

Image
Blerim Burjani

“Nuk mund as BE  as SHBA të merren me një çështje të brendshme për valutë. Secili shtet  ka valutën  e vet ndërsa BE  ka valutë të përbashkët euro, SHBA  kanë dollarin. Nuk  besoj se mund të ketë  presion përveç fjalimit politik fomal dhe për të  mos mbajt anë mendoj se kjo çështje valutore  nuk duhet të politizohet dhe shndërrohet në politikë ditore”, thekson ai. 

Në fund, juristi shton që Kosova duhet ta përcjell këtë ngjarje në heshtje. 

“Kosova nuk ka nevojë të merret më së pari, duhet me heshtje përcjellje. Ju dini që nuk ka Kosova valutë zyrtare, pra valutë neutrale”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat