“Ky fakt e bën Serbinë nervoz”/ Ish komandanti i UÇK-së tregon pse Serbia e ka të vështirë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë

Politika

“Ky fakt e bën Serbinë nervoz”/ Ish komandanti i UÇK-së tregon pse Serbia e ka të vështirë ndërhyrjen ushtarake në Kosovë

Nga: M.L. Më: 24 janar 2024 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Jave më parë Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

Më 11 janar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi Kongresin për shitjen e propozuar të armëve në Kosovë si pjesë e programit të SHBA-së për shitje ushtarake të huaja.

Përmes këtij programi të ushtrisë amerikane, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare për të ofruar ndihmë të sigurisë. Lajmi për pajisjen me raktetat Javelin u mirëprit në Kosovë. Kjo pasi shteti ynë vazhdon të jetë i kërcënuar nga Serbia me ndërhyrje ushtarake.

Ish komandanti i Njësitit Ushtarak Policor të UÇK-së, Hafir Hoxha ka treguar për gazetën “Bota sot” më shumë detaje në lidhje me funksionimin e raketave FGM-148 Javelin.

Image
Hafir Hoxha me bashkëluftëtarë

“Raketa bartëse e krahut FGM-148 Javelin, ose Advanced Anti-Tank Ëeapon System-Medium (AAËS-M), është një sistem anti-tank portativ i prodhuar në SHBA në shërbim që nga viti 1996 dhe i përmirësuar vazhdimisht. Ai zëvendësoi raketën anti-tank M47 Dragon në shërbimin amerikan. Dizajni i tij "zjarr dhe harro" përmban udhëzim automatik infra të kuqe, duke i lejuar përdoruesit të kërkojë mbulim, strehim menjëherë pas lëshimit, në kontrast me sistemet e drejtuara me tela, si sistemi i përdorur nga Dragon, të cilat kërkojnë që një përdorues të drejtojë armën gjatë gjithë angazhimit. Koka e predhës kundër tankeve (HEAT) me eksploziv të lartë të Javelin mund të mposhtë tanket moderne me sulm nga lart-poshtë, duke i goditur ato nga lart, ku muri metal i tyre është më e hollë dhe është gjithashtu e dobishme kundër fortifikimeve në një fluturim sulmi të drejtpërdrejtë”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se këto raketa përdoren nga ushtarët e këmbësorisë që janë në vijën e parë të forntit.

“Këto raketa (ky sistem anti-tanke) në veçanti, por edhe armë kundër mjeteve të tjera luftarake dhe transportuese është armë mbrojtëse, pra doktrinën dhe strategjinë luftarake këto raketa i përdorin ushtarët e gjinisë ushtarake të këmbësorisë pasi ata janë në vijën e parë të fronit në luftë dhe janë më së afërmi armikut i cili për sulm shfrytëzon tankëset e pas tyre vijnë fshehurazi ushtarët e këmbësorisë. Prandaj ushtria që mbrohet i pajis ushtarët në vijën e parë të frontit me këto raketa antitankës rregullisht duke i njohur mirë karakteristikat e tankeve të armikut, pastaj taktikën dhe strategjinë e tij se ku mundet në aspektin e pozitës gjeografike me sulmua me tanke dhe aspektin taktiko operativ, ku synon më së shumti dhe më së shpejti dhe në befasi të sulmojë. Aty pra përgatiten pozitat, vijat, istikamet për mbrojtje nga armiku e në zhargonin ushtarak thuhet mbrojtja më e mirë është sulmi”, ka nënvizuar Hoxha.

Sipas tij, doktrina dhe strategjia e Kosovës është të bëhet gati, të pajiset e të stërvitet për mbrojtje të një sulmi eventual nga Serbia.

“Kosova, me forcat e saja ushtarake dhe mbrojtëse në tërësi nuk pretendon të zhvillojë sulm apo shtrirje të territorit saj me fqinjët e saj, gjë që nuk është e njëjtë edhe me Serbinë e cila nuk dëshiron të pranojë realitetin faktik në terren dhe me siguri do të tentojë një moment të caktuar që ushtarakisht të futet në pjesën veriore të Kosovës, të pozicionohet aty dhe pastaj të mundohet me diplomaci që të ndërrohet vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne këto synime i kemi të qarta prandaj Doktrina dhe strategjia jonë është të bëhemi gati, të pajisemi, stërvitemi dhe të krijojmë pozicionet dhe infrastrukturën e nevojshme në terren për mbrojtje nga sulmi eventual nga Serbia”, ka potencuar ai.

Ish – ushtaraku ka theksuar po ashtu se pozita dhe reliefi gjeografik është shumë i favorshëm për Ushtrinë e Kosovës.

“Me këto raketa Kosova mund të mbrohet suksesshëm nga sulmet eventuale me mjete të blinduara nga veriu, saktësisht nga Serbia pasi pjesa malore dhe kodrinore nuk i jep shumë mundësi Serbisë të manovrojë me sulm. E në në ato drejtime ku ata munden me sulmua, me këtë raketë kemi mundësi me përgatit prita, kurthe më forma të ndryshme taktike ushtarake dhe nga afër me i zhdukë ato tanke dhe mjete tjera të blinduara”, ka potencuar ai.

Në fund Hoxha ka thënë se ky fakt e bën Serbinë nervoz dhe se për këtë arsye vështirë se jepet urdhi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

“Ky fakt e bën Serbinë nervoz dhe shumë vështirë e kanë të japin urdhër ushtarak të niset me tanke në Kosovë, kur e dinë fort mirë shkathtësinë tonë luftarake tani më edhe karakteristikat e këtyre raketave”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat