“Tendencë për krijimin e Donbaskut në Kosovë”/ Ferizi zbërthen qëllimet luftënxitëse të Serbisë dhe ka një thirrje për Kosovën

Politika

“Tendencë për krijimin e Donbaskut në Kosovë”/ Ferizi zbërthen qëllimet luftënxitëse të Serbisë dhe ka një thirrje për Kosovën

Nga: M.L. Më: 25 janar 2024 Në ora: 16:03
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Politikani Beanimir Nestoroviq, para disa ditëve bëri thirrje për luftë duke thënë se “Serbia duhet të bëhet gati për pushtim në një moment të përshtatshëm”.

Nestoroviq në deklaratën e tij skandaloze mes tjerash tha: “Kemi një ushtri, më shumë se 100 mijë ushtarë që ishin në ushtri e të cilët janë të përgatitur për të luftuar, të cilët me dëshirë do të merrnin pjesë në çlirimin e Kosovës”.

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, i cili ditë më parë vizitoi varrezat e Jasharajve në Prekaz, duke kërkuar falje për krimet serbe, ka thënë se Nestoroviq është një bashkëpunëtor i Aleksandër Vuçiqit dhe agjend i Vladimir Putinit.

Retorika luftënxitëse e politikanëve serbë ndaj Kosovës po vazhdon të bëhet hapur, ndërkohë që dialogu nuk po merr ndonjë epilog.

Duke komentuar këtë situatë, ish-ushtaraku dhe ish- kryetari i Degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi ka thënë se kjo është tendencë për krijimin e Donbaskut në Kosovë.

Image
Osman Ferizi

Sipas tij, çështja e thirrjeve publike për ta pushtuar Kosovën është pjesë e mbijetesës politike dhe populizmit të politikanëve serbë.

“Sot kemi përplasje të thella mesë blloqeve politike Lindje- Perëndim, të gjendur para dy luftërave Ukrainë -Rusi, Palestinë - Izrael, po ashtu një vullkan i fjetur siç është Jemeni ku ndërlidhen interesa strategjike dhe ekonomike i nxit dhe motivon Shtetet për të shfrytëzuar momentumin e tyre për të realizuar qëllimet e tyre pushtuese e agresive siç e kemi rastin në konfliktin Rusi - Ukrainë dhe Izrael - Palestinë.

Çështja e thirrjeve publike shoveniste e retorikave të zyrtarëve Serbë siç ishte rasti i Branimir Nestoroviq për ta pushtuar Kosovën është pjesë e mbijetesës politike, populizmit, janë pjesë e mendësisë shekullore që është ushqyer nga Memorandumet e projektet shoveniste të Garashaninit, Andriqit, Rankoviqit, Qubrilloviqit e Millosheviqit, mbështetur nga Kisha Ortodokse Serbe për ta realizuar ëndrrën për Boten Serbe”, ka thënë Gerizi.

Ai me këtë rast rikujtoi sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se kjo tregon qëllimin e fundit të Serbisë për shkëputjen e veriut të Kosovës.

“Vetë fakti që në shtator 2023, nga bandat terroriste të sponzorizuara e armatosur nga Serbia ku u bë agresion luftarak e terrorist në Bajnskë, ndaj rendit dhe sovranitetit të Kosovës, dhe kjo thotë shumë, kjo tregon qëllimin e fundit për shkëputjen e veriut të Kosovës, duke shtuar faktin që Serbia në qershor të vitit 1999 nënshkroi Marrëveshjen e Kumanovës pra kapitullimin dhe humbjen e së drejtës së kontrollit mbi të”, ka potencuar ai.

Ferizi ka theksuar po ashtu se armatosja e Serbisë tregon për pretendimet territoriale të saj bashkë me Rusinë.

“Gjithë kjo armatosje e Serbisë ku e ka kaluar nji miliard, ku vetëm për vitin 2024 para-sheh mbi 750milion$, tregon që Rusia dhe Serbia kanë pretendime dhe qëllime përmes destabilizimit, sulme kibernetike e hibride për të arritur qëllimet e tyre hegjemoniste për avantazhe strategjike, ekonomike e qëllime të ndikimit politik në rajone të caktuara”, ka nënvizuar ai.

Shembulli më i qartë, sipas Ferizit është aneksimi i gadishullit jugor të Krimesë në vitin 2014 dhe më pas shpallja e Donetskut e Lohanskut si të pavarura.

“Nxitja e konflikteve në Bosnje, Kosovë e Mal të Zi e ka mesazhin e një shpërqendrimi dhe vendosje për njohje deri në reciprocitet.

Kosova nuk guxon të bëjë vonesa në procesin politik të dialogut dhe forcimin e subjektivitetit të saj, po ashtu armatosjen dhe forcimin e FSK në partneritet më NATO-n si garanca e vetme, qëndrimi pezull në statuskuo i konvenon vetëm Serbisë e Rusisë për një moment të përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të tyre pushtuese”, ka përfunduar Ferizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat