Zeqiri tregon çka po ndodh me grupet kriminale serbe që po financohen nga Serbia: Po kërkohen nga Policia e Kosovës

Politika

Zeqiri tregon çka po ndodh me grupet kriminale serbe që po financohen nga Serbia: Po kërkohen nga Policia e Kosovës

Nga: A.M. Më: 25 janar 2024 Në ora: 22:30
Fotografi ilustruese

Situata në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar.

Provokimet, kërcënimet dhe sulmet që Serbia në vazhdimësi i realizon në këtë pjesë të vendit, vijnë nga grupet kriminale që ajo i udhëheq.

Grupet kriminale serbe janë një pjesë që institucionet e Kosovës po i luftojnë në vazhdimësi dhe tentojnë t’i shkatërrojë ato.

E për kërcënimet dhe sulmet e mundshme që shteti serb mund t’ia bëjë Kosovës foli kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një bashkëbisedim me “Bota sot”.

Së pari, ai tha se dihet tash e sa kohë çfarë synimesh ka Serbia ndaj Kosovës dhe përmes grupeve kriminale dëshiron ta destabilizojë situtatën në Kosovë.

Image
Izmir Zeqiri

Megjithatë, vlerëson se këto përpjekje do jenë të dështuara.

“Dihet se ky është një agresion që ka ndodhur gjatë gjitha dekadave të mëparshme, por edhe në kohët e fundit, më 24 shtator, e pamë se çfarë synimesh ka Serbia, dhe mund të ketë në qoftë se gjen akterë. Ajo ka bërë dhe do të bëjë përpjekje të investojë në grupe kriminale për t’i hapur problem Kosovës. Këtë e quaj si agresion të një shteti që po i bën Kosovës dhe këtë e kam cilësuar gjithmonë kështu, pasi është agresion i hapur, mirëpo nuk besoj në sukseset e këtyre përpjekjeve, kështu që besoj që dita ditës po tkurren, zvogëlohen ato grupe kriminale”, tha kryetari i Zubin Potokut.

Gjithashtu, zvogëlimin e grupeve kriminale e ndërlidhi me punën e policisë sonë dhe beson që në vazhdim ato do të shuhen, gjë që ka filluar të ndodhë sipas tij.

“Kjo pasi, një pjesë e madhe e tyre janë të kërkuar nga Policia e Kosovës, por edhe Interpoli me siguri për veprimtari kriminale.

Unë besoj që organet e sigurisë së Republikës së Kosovës do të arrijnë ta mbajnë rendin dhe qetësinë në gjithë territorin e vendit, ku dita-ditës do të shuhen këto grupe kriminale që po i financon Serbia.

Mirëpo, unë shoh një zvogëlim të grupacioneve dhe rënie të ndikimit të këtyre grupeve në territorin e Republikës së Kosovës”, përfundoi Izmir Zeqiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat