“Zhgënjim i madh për Serbinë”, eksperti flet për dy lajme të mira për Kosovën

Politika

“Zhgënjim i madh për Serbinë”, eksperti flet për dy lajme të mira për Kosovën

Nga: A.Zh Më: 26 janar 2024 Në ora: 12:06
FSK, foto ilustrim

Eksperti i çështjeve të sigurisë Arben Dashevci, e ka quajtur “lajm të mirë” porositjen e 246 raketave anti-tanke “Javelin” nga Kosova.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se këto armë kanë karakter mbrojtjës, pasi ushtria e Kosovës po vazhdon ta mbrojë shtetin tonë, duke mos sulmuar askënd.

“Raketat e porositura “Javelin” janë lajm i mirë për shtetin e Kosovës. Ushtria e Kosovës po forcohet dhe po furnizohet me armë që kanë karakter mbrojtës, sepse ne tek e fundit nuk e kemi sulmuar askënd në histori, por jemi mbrojtur dhe vazhdojmë ta bëjmë atë si shtet në 24/7”, ka deklaruar eksperti.

Image
Arben Dashevci

Ai ka paralajmëruar se “ky proces i armatimit nuk do të ndalet deri në aritjen e kapaciteteve të plota mbrojtëse dhe vetëm mbrojtëse”.

Një ndihmë ushtarake për Kosovën, mund të vijë edhe nga Shqipëria. Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, dorëzoi në Kuvend një amendament për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit, pasi kërkoi rialokim të rreth 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Kosovën.

E sipas ekspertit Dashevci, kjo nismë ka një rëndësi të veçantë.

“Nisma e kryetarit të Partisë Demokratike, është e rëndësisë së veçantë dhe duhet përshëndetur si ndihmë e vëllaut për vëllanë kur paraqitet nevoja, pasi ne kemi nevojë për ndihmë. Andaj, është një lajm i mirë dhe shpresoj aprovohet në Kuvendin e Shqipërisë”, ka theksuar ai për gazetën “Bota sot”.

Armatosja e Kosovës, po i pengon presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur këtë lajm “zhgënjim të madh për Serbinë”.

Vuçiç paralajmëroi se po mendon të nisë një hetim, mbi armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë qëllim në kundërshtim me rezolutën1244.

“Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e OKB dhe si guxuan ta bëjnë këtë. Po mendoj si të mos e vendos vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave “Javelin” për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh. Sipas DASH-it, shitja e armatimeve nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë”, thuhej në njoftimin e DASH-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat