Mesazhet nga Samiti i Shkupit, analistët tregojnë se çfarë do të ndodhë me raportet Kosovë-Serbi 

Politika

Mesazhet nga Samiti i Shkupit, analistët tregojnë se çfarë do të ndodhë me raportet Kosovë-Serbi 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 janar 2024 Në ora: 07:56
Foto e përbashkët nga Samiti në Shkup

Të hënën në Shkup u takuan drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian që u ofron këtyre vendeve një fond prej gjashtë miliardë eurosh. 

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehën gatishmëri për t'i zhvilluar vendet e tyre sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian. 

Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që është mbajtur të hënën në Shkup të Maqedonisë Veriut. 

Përgjatë konferencës, liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t'i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen 

Në këtë samit mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. 

Ishte ngjarja e parë që morën pjesë liderët e dy vendeve, që pas tensioneve dhe ngjarjeve të shumta që ndodhën muaj e kaluar. 

Kjo gjë u cilësua si mundësi për ndryshim të raporteve mes dy vendeve. 

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të qartë se dialogu do vazhdoj në nivel të kryeneogciatorëve dhe se sa i përket ndonjë takimi të mundshëm me Vuçiqin potencoi s’ka diçka të re. 

“Tash për tash kjo zhvillohet në relacionin dialogu zhvillohet në nivel të kryenegociatorit dhe zëvëndësit tim, Besnik Bislimi dhe lehtësuesit evropianë, Miroslav Lajcak. Tash për tash ky është rrafshi ku do mund të përcaktohen hapat e ardhshëm. 

Derisa në nivel të takimit të liderëve për të cilin na vjen ftesa nga Josep Borell, s’ka diçka të re”, ka deklaruar Kurti. 

Se a do ketë ndryshim të raporteve Kosovë-Serbi pas mesazheve të fundit në Samitin e Shkupti, folën analistët për gazetë “Bota sot”. 

Shabani: Bashkëpunimi fqinjësor duhet të jetë primar në mënyrë që të tejkalohen sfidat dhe konfliktet ekzistenciale, duke mos minuar destabilizimin e Serbisë 

Image
Amir Shabani

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani. 

Së pari, ai përmendi disa nga marrëveshjet që u arritën gjatë këtij samite, përfshirë reformën dhe rritjen prej 6 miliardë euro për rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

“Liderët e Ballkanit Perëndimor janë takuar në Shkup për një samit të titulluar "Plani i Rritjes: Ballkani Perëndimor takohet me BE-në". Gjatë këtij samiti së bashku me diplomatët e SHBA-së dhe BE-së ata riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Planit të Rritjes së BE-së për rajonin, i cili u miratua në nëntor dhe vazhduan punën në tregun e përbashkët rajonal bazuar në standardet e BE-së. 

Komisioni Evropian miratuan një përkrahje të re për Reformën dhe Rritjen prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027 dhe këto mjete do të bëhen vetëm pas përmbushjes së reformave të dakorduara”. 

Krahas kësaj, Shabani tregoi përfitimet që vendet e Ballkanit Perëndimor marrin me planin për rritje, derisa tha se ato duhet të përqendrohen në përpjekjet e tyre për promovimin e integrimit ekonomik rajonal. 

“Ky plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të re për të promovuar konvergjencën ekonomike dhe sociale të rajonit me Bashkimin Evropian si një mjet për të avancuar në procesin e anëtarësimit dhe të përkushtuar për të kapur mundësitë e paraqitura nga Plani i Rritjes. 

Ballkani Perëndimor si rajon, do t'i përqendrojë përpjekjet e tij në promovimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, duke avancuar në të njëjtën kohë hapjen e tregut rajonal ndaj tregut të vetëm të BE-së”, u shpreh njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Ndër të tjera, ai, përmendi edhe mesazhet e O’Brien dhe Kopmann, të cilët ia dhanë vërejtjet e radhës Serbisë, ku ndër të tjera iu kërkua edhe njohja e Kosovës. 

“Sa i përket çështjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopmann, deklaruan njëzëri se bashkëpunimi fqinjësor duhet të jetë primar në mënyrë që të tejkalohen sfidat dhe konfliktet ekzistenciale, duke mos minuar destabilizimin e Serbisë, e cila mori vërejtjet e radhës nga SHBA-ja për ta njohur Kosovën dhe për ta ndaluar tërësisht konfliktin fqinjësor dhe atë të brendshëm që ngjau gjatë zgjedhjeve të fundit”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”. 

Qarri: Serbia keqpërdori në mënyrat më brutale edhe transportin e mallrave, për të futur armatim e municione 

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti politik, Gani Qarri tha se samiti i Shkupit tregoi se shtetet e Ballkanit mund të bisedojnë në mënyrë më të qetë kur nuk flitet për politikë, por për ekonomi. 

Megjithatë, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se situate nuk mund të jetë pa tension, kur flitet për Kosovën dhe Serbinë, ku dihet se kjo e fundi keqpërdori transportin e mallrave, për të futur armatim e municione. 

“Samiti i Shkupit, ku në fakt nuk mori pjesë Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhleyj, por përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Ndihmës Sekretari Shtetëror për Evropë dhe Euroazi James O’Brien, dëshmoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të bisedojnë në mënyrë shumë më të sh-tensionuar, përderisa nuk flitet direkt për politikën, e diskutohet për ekonomin dhe investimet e BE-së, në projektet ekonomike me rëndësi në rajon. 

Ndërsa, gjendja nuk është dhe as që mund të jetë, pa tensione, veçanërisht kur flitet lidhur me marrëdhëniet e tendosura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur dihet mirëfilli se Serbia keqpërdori në mënyrat më brutale edhe transportin e mallrave, për të futur armatim e municione dhe rrezikuar situatën e sigurisë në Kosovë, akt që po e avancon përditë e më tepër edhe në Bosnje e Mal të Zi, ku mund të shpërthejnë edhe luftimet”, deklaroi analisti. 

Qarri vlerësoi mbështetjen që O’Brien ia dha Kosovës në këtë samit. 

Mirëpo, ai tha se vendi ynë nuk po gjen qetësi me kërcënimet e Serbisë, as në tubime e samite rajonale, pasi shteti serb refuzon zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën dhe nuk e njeh integritetin e territorit të shtetit tonë. 

“Ndihmës Sekretari Shtetëror O’Brien në samitin e Shkupit, theksoi edhe njëherë se SHBA-të mbështesin fuqishëm marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe se të dyja shtetet duhet ta zbatojnë atë plotësisht, kurse sa i takon planit të Bashkimit Evropian, e quajti atë, një plan me një format më ndryshe, që pasi sipas tij, do të krijojë mundësi që qytetarët e këtij rajoni, së shpejti, të bëhen edhe pjesë e Bashkimit Evropian. 

Por, letra e qeverisë serbe drejtuar BE-së, se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha pjesët e marrëveshjes, nuk njeh integritetin territorial të Kosovës, dhe nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB as organizatat tjera ndërkombëtare, nuk mund ta lë Kosovën të qetë, as në samite dhe tubime rajonale, ngase bëhet fjalë drejtpërsëdrejti për shtetin tonë, i cili rrezikohet në vijimësi dhe seriozisht nga Serbia hegjemoniste, siç ndodhi vetëm 4 muaj më parë, me agresionin terrorist serb, të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku terroristët dhe armatimi, erdhën direkt nga Serbia”, nënvizoi ai. 

Më tej, analisti tha se nuk mund të ketë bashkëpunime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa Serbia vazhdon me qëndrime agresive dhe të rrezikshme ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi. 

“Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në Shkup, ku u fol, sipas konkluzioneve të Procesit të Berlinit dhe Deklaratës së Samitit BE-Ballkani Perëndimor për avancimin e shërbimeve dhe lirive të lëvizjes së qytetarëve, kapitalit dhe mallrave, që u tha se synim të përbashkët kishte përshpejtimin e procesit për integrim të vendeve të rajonit, në Bashkimin Evropian, nuk mund të vërtetohet, përderisa nuk ndalohen qëndrimet e rrezikshme agresive të Serbisë, me shtet më të vogla, që nga Bosnja e Mali i Zi, deri në Kosovë, ku në të tri rastet, shkaktare e problemeve është Serbia”, shpjegoi Qarri. 

Në fund, ai potencoi se ndryshimi i raporteve, ndërmjet të dy vendeve, varet nga sjelljet dhe qëndrimet e Serbisë 

“Prandaj ashtu siç u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, në samitin e BE-së në Shkup, duke pasur parasysh qëndrimet e rrezikshme të Serbisë dhe sulmin e armatosur terrorist kundër Kosovës, përkundër fjalëve të bukura që u thanë në samit, gjendja në vend na detyron, që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për ne, të mbetet siguria e shtetit dhe e qytetarëve të Kosovës, si dhe ruajtja e kufijve dhe territorit të Republikës së Kosovës, që Serbia vazhdon ti kontestojë publikisht edhe në letrën dërguar BE-së. 

Prandaj, duke qenë se Kosova nuk është shteti që sulmon askënd, por vend që në vijimësi, atakohet barbarisht nga fqinji i saj i parehatshëm verior, edhe ndryshimi i raporteve, ndërmjet të dy vendeve, varet nga sjelljet dhe qëndrimet e Serbisë, edhe pas këtij samiti, në raport me Kosovën”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat