“Situata afër shpërthimit”/ Komentohet deklarata e fundit e deputetit Qalaj – kjo është thirrja për Qeverinë e Kosovës!

Politika

“Situata afër shpërthimit”/ Komentohet deklarata e fundit e deputetit Qalaj – kjo është thirrja për Qeverinë e Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 janar 2024 Në ora: 10:12
Rashit Qalaj

Sulmi terrorist në Banjskë nga Serbia nuk është dënuar ende nga ndërkombëtarët, ani pse me deklarata e njëjta është bërë.

Mirëpo, djallëzia e serbëve vazhdon të jetë pengesë për qetësi në Kosovë dhe mbarë rajonin.

Serbia njihet tashmë me provokimet dhe tensionet që shkakton në çdo mundësi, e ndihmuar edhe nga Rusia.

E së fundmi, vëmendje mori deklarata e deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj.

Qalaj, ka thënë se situata e sigurisë në veri të vendit “është e tensionuar dhe para shpërthimit”.

Ai tha se tensionet në veri varen nga Serbia, por edhe nga Rusia.

“Mendimi im është se në dukje kemi situatë të qetë, por në brendi është e tensionuar dhe para shpërthimit. Nuk vartet nga rrethanat brenda, por situata në veri varet nga Serbia dhe nga Rusia”, tha ai.

Ai u shpreh se nga Serbia mund të presim sulme sikurse i 24 shtatorit në Banjskë, por edhe sulme të tjera.

“Në momentin që Serbia dëshiron të ketë tensione në veri, mund të presim incidente qoftë në përmasa siç ka qenë më 24 shtator, apo incidente sporadike që mund të dëmtojnë ndonjë polic të Kosovës”, tha ai.

Sa afër shpërthimit mund të jemi në këtë situatë që qëndron Kosova?

Shala: Institucionet e Kosovës janë duke marrë veprimet e duhura për të reaguar në afatin me optimal për të minimizuar dëmet kolateral në Republikë

Në lidhje me ketë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ai thotë që paralajmërimi që kreu i ushtrisë britanike ka bërë për qytetarët britanikë për një luftë të mundshme me Rusinë, lë të kuptoj që situata nuk është e qetë.

Image
Drizan Shala

“Do të duhet vetëm të bazohem të kreu i ushtrisë britanike i cili ka paralajmëruar qytetarët britanikë që të përgatiten për një luftë të mundshme me Rusinë, duke nënvizuar se ata vetë mund të kenë nevojë të mobilizohen. Ai paralajmëroi se të gjithë qytetarët duhet të jenë të përgatitur, jo për mobilizim të plotë por për një mobilizim civil, që nuk është parë në Evropë që prej vitit 1945”, thotë ai.

Më tej, eksperti i sigurisë përmend edhe deklaratat e të tjerëve për luftë, duke shtuar se situata është brizante.

“Zhvillimi vjen pas një retorike të ngjashme nga anëtarë të tjerë të NATO në Evropë, si ministri i Jashtëm gjerman, i cili bëri paralajmërime të njëjta për përgatitje lufte. Pra kjo situatë në nivel botëror po jep indikacionet që situata është brizante dhe mund të vihet në një efekt domino nga muaj qershor 2024 ku edhe është menduar që Rusia do t’i shpallë luftë Ukrainës një avancim më tutje nga ky operacion special që është duke zhvilluar”, tha eksperti i sigurisë.

Nga ana tjetër, ai tha se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndryshoj nëse ka ndryshime gjeopolitike.

“Kosova është në "luftë" hibride me Serbinë që nga 2021 por më e theksuar që nga korrik/gusht 2022 e tutje ku shpërthimin e patëm me 24 shtator 2023 dhe që një situatë e tillë do të na përsëritet nëse ka ndryshime gjeopolitike sikur është potencuar me lartë. Institucionet e Kosovës janë duke marrë veprimet e duhura për të reaguar në afatin me optimal për të minimizuar dëmet kolateral në Republikë”, foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Duhanaj: Një zë i një deputeti siç është z. Qalaj, duhet të merret seriozisht

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se siguria e vendit duhet të shikohet me kujdes.

Sipas tij, thirrja e deputetit Qalaj duhet të merret parasysh nga institucionet e sigurisë së vendit.

“Për sa i përket situatës së sigurisë, gjithandej, e posaçërisht në veri të vendit, nuk guxon assesi të neglizhohet apo të relaksohemi. Sepse çdo moment është i rëndësishëm, duke pasur parasysh potencialin e madh destabilizues që padyshim ekziston.

Shpesh dëgjohen zëra nga Qeveria për mundësinë e shpërthimit të luftës, si pasojë e ndërhyrjes nga shteti Serb.

Në anën tjetër, një zë i një deputeti siç është z. Qalaj, duhet të merret seriozisht, duke pasur parasysh ekspertizën dhe informacionet që ai mund t'i ketë. Kosova duhet të ketë kujdes, në radhë të parë, që të bëjë ç'mos, që të mos ndodhë asnjë ekses, dhe në radhë të dytë, qytetarët të kenë kujdes nga provokimet e mundshme”, thekson analisti.

Më tej, analisti tha që Serbinë e ndihmon Rusia pasi të dy shtetet kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.

Sipas tij, Qeveria duhet të vazhdojë punën me kujdes dhe maturi.

“Nuk guxojmë assesi, çfarëdo përpjekje që mund të ndodhë, ta marrim rolin negativ në ketë lojë nervash. Pasi Serbinë e ndihmon e Rusia, kjo sepse kanë interes madhor destabilizimin e rajonit, e ku Kosova shihet si vend i mundësive të tilla, nuk do koment fare. Por që kjo gjë të mos ndodhë dhe proceset të shkojnë në drejtimin e duhur, kërkohet maturi dhe sy çelësi maksimale nga qytetarët e posaçërisht nga Institucionet, përkatësisht qeveria”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat