Paralajmërimet për luftë, Elezi: Kosova seriozisht është në një situatë të rëndë të sigurisë – Ky duhet të jetë plani i saj!

Politika

Paralajmërimet për luftë, Elezi: Kosova seriozisht është në një situatë të rëndë të sigurisë – Ky duhet të jetë plani i saj!

Nga: A.SH Më: 28 janar 2024 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Rusia po vazhdon luftën mbi Ukrianën. Ajo madje, po kërcënon vendet tjera, përfshi edhe NATO-n.

Britania, Suedia e shtete të tjera kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të përgatiten për luftë.

Nga ana tjetër, nga situata e brishtë në Ballkan, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë se ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se paralajmërimet për luftë vijnë nga shërbimet inteligjente, duke shtuar se sinjae të tilla edhe Gjermania iu ka dërguar qytetarëve të saj, se një konflikt mund të ndodhë mes Rusisë dhe NATO-s.

“Ditëve të fundit realisht është duke u sqaruar mirëfilli nga udhëheqësit shtetëror nga shtete të ndryshme për rrezikun që i kanoset përgjithësi qoftë në BE-së qoftë shteteve të tjera.

Fillimisht reagimet e para kanë ardhur nga Britania e Madhe, ku kryeministri i tyre i ka paralajmëruar qytetarët britanezë se Rusia është një rrezik serioz dhe se mund të sfidohet nga përpjekjet e saj për destabilizimin e situatës së sigurisë në gjithë Evropën dhe më gjerë.

Këto paralajmërime i ka bërë madje duke i kujtuar të gjithë qytetarëve që duhet të përgatiten për luftë dhe duhet të jenë në gjendje të kuptojnë çdo udhëzim i cili vije nga institucionet. Të gjitha këto paralajmërime i kanë bërë bazuar në informatat që vijnë nga shërbimet inteligjente britaneze.

Njoftime të tilla janë bërë edhe për shtetasit gjermanë në mënyra të ndryshme nga institucionet e sigurisë së Gjermanisë, por edhe Suedia dhe vendet tjera nordike kanë filluar t’i paralajmërojnë qytetarët e tyre për një ballafaqim që mund të ndodh mes Rusisë dhe NATO-s”, shprehet Elezi.

Kurse, për rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës ai thotë se, aktualisht Kosova është në një situatë të rëndë të sigurisë, duke e lidhur njoftimin e Britanisë e cila ishte ajo që paralajmëroi Ukrainën, e të njejtën gjë e bëri edhe ministri i jashtëm britanez në Kosovë, duke paralajmëruar ushtarët e tij në Kosovë për një eskalim me Serbinë.

“Realisht edhe Kosova seriozisht është në një situatë të rëndë të sigurisë dhe kemi pasur paralajmërime edhe në Kosovë nga ministri jashtëm i Britanisë paralajmëroi ushtarët e tij të cilët janë në kuadër të NATO-s për një ballafaqim që mund të ndodhë me Serbinë dhe Serbia po bëhet edhe më tutje e rrezikshme referuar kërkesave që është e gatshme të zbatojë nga autoritetet ruse.

Britania ishte e para ajo që paralajmëroi për rrezikun në Ukrainë, tani po e bëjnë edhe me vende tjera, përfshirë këtu edhe Kosovën”, thekson ai.

Derisa, për institucionet e Kosovës, ai thotë se duhet ta rrisin vigjilencën, dhe të grumbullojnë informata për Serbinë dhe aktivitete e saj ndaj Kosovës.

“Institucionet e R. së Kosovës duhet të ngrisin sa më lartë vigjilencën e saj në institucionet e zbatimit të ligjit sidomos agjencitë e zbulimeve, në rastin konkret duhet të bashkëpunojmë seriozisht për grumbullimin e informacioneve të ndryshme për aktivitetet e Serbisë, ushtrisë së saj dhe mekanizave tjerë të sigurisë që veprojnë në drejtim të Kosovës, për të siguruar informacione për ndonjë mobilizim të qytetarëve serbë.

Andaj, këto veprime duke kuptuar si paralajmërime serioze dhe paralelisht duhet të bëhen përgatitje të duhura siç edhe ka filluar Kosova duke blerë armatime të rënda kryesisht në mbrojtje dhe e njejta gjë të vlejë edhe me përgatitjen e qytetarëve qoftë edhe përmes trajnimeve të ndryshme, qoftë në formën e organizimit të tubimit të tyre në vende të caktuara, bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit, KFOR-in, ushtrinë e Kosovës dhe Policinë, si dhe mënyrat apo udhëzimet e duhura për të vepruar qytetarët në rast të një situate të rëndë të sigurisë. Kosova padyshim se duhet të udhtrojnë edhe një partneritet të fuqishëm me vendet përreth siç janë: Shqipëria, Maqedonia dhe vendet të tjera me të cilat ka marrëdhënie të fuqishme e sidomos me shqiptarët që është një lidhje natyrale për të organizuar aktivitete të përbashkëta në rast të përshkallëzimit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat