Biserko për “Bota sot”: Kujdes! Vuçiq e jep Kosovën, por kërkon këtë vend - ja si e vuri në dyshim Perëndimin me këtë lëvizje

Politika

Biserko për “Bota sot”: Kujdes! Vuçiq e jep Kosovën, por kërkon këtë vend - ja si e vuri në dyshim Perëndimin me këtë lëvizje

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 janar 2024 Në ora: 19:00
Sonja Biserko dhe Aleksandar Vuçiq

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur pas takimit të mbajtur dy ditë më parë me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajic, ka deklaruar se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është ende shumë e brishtë.

Ai ka thënë se ka potencial për tensione në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Duke e komentuar këtë palarajmërim të shefit të NATO-s, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se mundësia e konfliktit në Ballkan, varet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka përmendur çështjen e targave të Kosovës në Serbi, që sipas saj, më herët ishte burim tensionesh, ndërsa tani Vuçiq ka vënë “në dyshim” Perëndimin, duke i pranuar ato.

“Ka shumë deklarata nga analistë dhe politikanë perëndimorë që përmendin mundësinë e konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Rasti i Banjskës dhe zgjedhjet e mëvonshme, të cilat janë një lloj inxhinierie elektorale, varen si shpata e Damokleut mbi presidentin Aleksandar Vuçiq. Mashtrimi zgjedhor është dokumentuar si në nivel lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ndërkohë, Vuçiq ka paralajmëruar kalimin e lirë të targave të Kosovës përmes Serbisë, gjë që më herët ka qenë burim tensionesh dhe incidentesh të shumta, përfshirë edhe ato të armatosura. Me këtë gjest ai edhe një herë e ka vënë në dyshim Perëndimin, sepse siç dihet, në rrethanat e dhëna gjeopolitike, prioriteti i tyre është zgjidhja e çështjes së Kosovës, e jo demokracia në Serbi”, ka deklaruar Biserko.

Ndërsa, lidhur me vendimin që ndalon pagesat në dinar në territorin e Kosovës, ajo ka thekusar se ky është një hap drejt konsolidimit të pavarësisë së Kosovës. Biserko ka treguar për "Bota sot" edhe arysen se pse Vuçiq do të bëjë kompromise me ndërkombëtarët, në kuadër të marrëdhënieve me Kosovën.

“Transaksionet e pagesave në euro janë vendosur edhe në gjithë territorin e Kosovës, një hap drejt konsolidimit të pavarësisë së Kosovës. Duhet theksuar se Vuçiq do të bëjë kompromise aq sa është e nevojshme për të mbetur përfitues i fondeve dhe investimeve evropiane, veçanërisht atyre të shpallura në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor, në total 6 miliardë euro për reforma dhe stimulim të zhvillimit ekonomik, qoftë në donacione apo kredi të favorshme”, është shprehur më tej Sonja Biserko.

Megjithë këtë, ajo ka kërkuar kujdes, pasi nuk e ka përjashtuar mundësinë për incidente të reja nga Beogradi dhe Rusia në Bosnjë dhe në Kosovë.

“Nevojitet kujdes pasi çështja mbetet për pikëpamjen e Rusisë për këtë proces pasi Kosova është argumenti i saj më i fortë për ruajtjen e ndikimit në Ballkan. Kosova dhe Republika Srpska duhet të jenë të lidhura ngushtë, sepse Beogradi e jep Kosovën ndërsa kërkon Republikën Srpska. Sipas disa vlerësimeve, Dodik tashmë ka arritur ta bëjë Republikën Srpska gati 90% të pavarur nga Sarajeva. Duke marrë parasysh se komuniteti ndërkombëtar ende avokon për një Bosnjë të bashkuar dhe integrale, incidentet janë të mundshme pasi Beogradi është afër realizimit të qëllimit të tij”, ka thënë për gazetën, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Sipas saj, “e njëjta gjë vlen edhe për Malin e Zi, ku po zhvillohet një luftë politike identitare”.

“Megjithatë, fakti që Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe se EUFOR është praktikisht pjesë e NATO-s sugjeron se Perëndimi nuk do të lejojë përshkallëzimin dhe do të përdorë të gjitha mjetet për të neutralizuar ndikimin rus”, ka shtuar ajo për gazetën “Bota sot”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, e veçoi si problematike situatën në Kosovë.

“Stabiliteti mbetet i brishtë, gjerësisht në rajon. Shpërthimi i dhunës vitin e kaluar në Kosovë ishte i papranueshëm. NATO u përgjigj shpejt, duke vendosur mijëra trupa shtesë dhe makineri të rënda”, ka thënë ai./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat