Ndarja e procesit të integrimeve evropiane nga dialogu me Serbinë, komentohet kërkesa e Kurtit – kritikohet BE-ja

Politika

Ndarja e procesit të integrimeve evropiane nga dialogu me Serbinë, komentohet kërkesa e Kurtit – kritikohet BE-ja

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 janar 2024 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e tij pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup, ka thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh.

Pasi ne jemi shtet normal e demokratik që duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me një shtet që nuk është demokratik, dhe sipas organizatave më prestigjioze ndërkombëtare vlerësohet regjim hibrid. Nuk duhet të penalizohemi. Më 15 dhjetor të vitit 2022 kemi dorëzuar aplikimin zyrtar për anëtarësim në BE. Presim nga Komisioni Evropian pyetësorin me mijëra pyetje e do të jemi të durueshëm e vëmendshëm t’u përgjigjemi të gjithave. Por, nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind e mbetet prapa nesh sa i përket sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë’, ka thënë Kurti.

Mirëpo, kjo ide e Kurtit, e cila është përsëritur edhe nga zyrtarë të tjerë, po konsiderohet në parim e palogjikshme dhe e pamundur nga shumë diplomatë në selinë e Bashkimit Evropian.

Kësisoj, sipas diplomatëve evropianë, dialogu është mjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi është kusht për të dyja vendet për progresin e tyre në procesin e integrimeve evropiane. Prandaj, thonë këto burime, është e pamundur dhe do të ishte në kundërshtim me logjikën e procesit të zgjerimit sikur ky kusht të hiqet.

Mirëpo, sa është e drejtë një gjë e tillë, që procesi i integrimeve të vazhdojë të kushtëzohet nga dialogu me Serbinë dhe ecuria e tij, kur dihet qasja dhe pengesat e vazhdueshme që po i bëhen Kosovës nga udhëheqësit serbë.

Hasani: Serbia është favorizuar në integrime evropiane në raport me Kosovën

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Refik Hasani.

Image
Refik Hasani

Së pari, tha se procesi per integrime është duke u zgjatur shumë, madje tha se kjo gjë nuk duhet kushtëzuar me dialogun me Serbinë.

Pasi, Kosova nuk është fajtore për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë negociatave, por Serbia.

Procesi i integrimeve evropiane, është duke u stërzgjatur, përveç që ndodhi liberalizimi i vizava nga 1 janari i këtij viti, por që po ashtu ësht i vonuar tej mase. Serbia, vetëm ka pranuar të jetë pjesë e dialogut me Kosovën në prezencën ndërkombëtare, por nga gjithë ato 33 marrëveshje, të arritura vetëm tri nga ato janë duke zbatuar nga Serbia.

Në dialog Serbia, është fajtore në zbatim të marrëveshjes me Kosovën. Por, në anën tjerër edhe pse Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet me shtetin tonë, në një farë mënyre është favorizuar në integrime evropiane në raport me Republikën e Kosovës”, u shpreh profesori.

Krahas kësaj, Hasani tha se është e vështirë që dialogu dhe integrimi evropian, janë procese jo të lehta dhe nuk mund të ‘lëvizin’ në të njëjtën kohë.

Në këtë kontekst Kosova në dialogun me Serbin, që nga fillimi i bisedimeve ishte korrekt dhe konstruktiv, si me ndërkombëtarët ashtu në raport me plotësimin e të drejtava të pakicave, duke i diskriminuar pozitivisht pakicën serbe në Kosovë.

Në asnjë shtet të botës, nuk gëzojnë të drejta pakicat, sikurse pakica Serbe në Kosovë.

është provuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, por kjo nuk ka reflektuar të jetë e suksesshme.

Procesi i integrimeve evropiane, dhe procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë, janë dy procese jo që mund të lëvizin në të njëjtë kohë e shumë lehtë.

Duhet kërkuar e plotësuar modalitete nga BE-ja, që të ecin këto dy procese jo të lehta, edhe ndaras nëse janë, por duhet shtuar vullnetin dhe intesitetin, për të avancuar”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se shteti serb do vazhdojë me kushtëzimet ndaj dialogut me Kosovën, ku përmes kësaj gjëje do tentojë të përfitoj investime nga BE.

Serbia, që nga fillimi i bisedimeve me Kosovën, ka paraqitur kushtëzime nga më të ndryshmet, por jo vetëm që ka ecur më shumë se Kosova në integrime evropiane, por BE-ja, ka investuar në mjete financiare më shumë në Serbi, të shprehur për kokë banori, se në Kosovë.

Serbia, ashtu si ishte do të vazhdoj të kushtëzoj me dialog Kosovën, vetëm do të mundohet të marrë pjesë në dialogun me Kosovën, të përfitoj investime e donacione nga BE-ja, por jo edhe të pranojë Kosovën shtet.

Serbia, nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, dhe prapë vazhdon të luan lojën se gjoja është për integrime evropiane, e në të vërtetë Serbia është më Rusinë!

BE-ja, fillimisht do të duhej të kërkon që Serbia, të vendos sanksione kundër Rusisë, e tek atëherë të fillojë bisedimet për integrime evopiane.

Nëse nuk kërkon BE-ja, nga Serbia të sanksionohet Rusia, nëse nuk kërkon që nga preambulla e Kushtetutës së Serbisë të hiqet Republika e Kosovës, si ka mundësi të kërkojë bisedime Kosovë-Serbi dhe integrime evopiane.

Po, kjo mund të konsiderohet si padrejtësi ndaj Kosovës, sepse BE-ja ndaj Serbisë ka qëndrim më të butë”, përfundoi Refik Hasani për “Bota sot”.

Kelmendi: Serbia ndalet vetëm nga frika!

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se integrimi evropian është një çështje shumë e rëndësishme për Kosovën.

Mirëpo, ai nuk u pajtua që integrimet të ndahen nga raportet me shtetin serb.

Integrimi është çështje shumë e rëndësishme për Kosovën. Anëtarësimi në BE, në Këshillin e Evropës, në NATO, deri në OKB, është jetike për ekzistencën e shtetit.

Kërkesa e paraqitur nga Kosova për të ndarë integrimet nga raportet me shtetin serb e shoh jo të analizuar mirë.

Është kërkesë e rrezikshme për këtë anë të Evropës Juglindore”, deklaroi ai

Sipas tij, nuk ka mundësi që të vazhdohet kërkesa që integrimet evropiane të ndahen nga dialogu me Serbinë, pasi ai është një mjet presioni për Serbinë, pasi kjo e fundit ndryshe nuk “dëgjon”.

Une nuk shoh ndonjë mundësi të integrimit, pa i ndërlidhur çështjet me raportet Kosovë-Serbi.

Edhe liberalizimini vizave ishte i tillë. U liberalizuan vizat sepse u bë i tepërt bllokimi i liberalizimit dhe BE nuk kishte më fare asnjë bazë. Ishte humbje për BE.

Integrimi do të shkon krahas raporteve të Kosovës me Serbinë. Nuk i ndanë as BE dhe as SHBA.

Integrimi është mjet i presionit për të pranuar palët propozimet që bëhen. Pa këtë presion nuk ndalet Serbia. Ndoshta Republika e Kosovës dëgjon! Serbia nuk dëgjon.

Serbia e njeh vetëm presionin ekonomik, financiar, politik, diplomatik dhe ushtarake. Këto e ndalin Brogradin nga veprimet kriminale dhe terroriste, mundet edhe nga lufta sllavomadhe për botën serbe”, theksoi profesori.

Në fund, potencoi se shteti serb ndalet vetëm nga presioni dhe forca ekonomike, diplomatike, financiare dhe ushtarake.

Dhe, natyrisht se ndarja e Kosovës për integrime nga raportet me Serbinë e nënkupton edhe pavarësinë e Serbisë në integrime ne BE etj.

Këtë e do e shteti serb. Por, mu këtej është kërkesa e Kosovës shumë e paanalizuar, me presion dhe mezi po ndalet shteti serb. Po pa presion!

Nuk ka çka e ndalon. Vetëm forca e ndalon shtetin serb nga veprimet serbo-mëdha në hapësirën e Ballkanit.

Serbia ndalet vetëm nga presioni dhe forca ekonomike, diplomatike, financiare dhe ushtarake.

Këtu ka frikë shteti serb. Dhe, këtu është edhe ndërlidhja e integrimit të shtetit të Kosovës me raportet me Serbinë fashiste”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat