“Akt shumë i rrezikshëm”, analisti kërkon të merren masa ndaj Serbisë pas këtij veprimi ndaj Kosovës!

Politika

“Akt shumë i rrezikshëm”, analisti kërkon të merren masa ndaj Serbisë pas këtij veprimi ndaj Kosovës!

Nga: A.M. Më: 29 janar 2024 Në ora: 14:11
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Sipas diplomatëve evropianë, dialogu është mjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi është kusht për të dyja vendet për progresin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.

Megjithatë, ky kushtëzim i diplomatëve evropianë po cilësohet si i padrejtë duke parë qasjen e Serbisë në dialogun me Kosovën.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar hapur se nuk do t'i zbatoj të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.

Nisur nga kjo, si mund të pritet normalizim i raportetve mes dy vendeve, duke marrë parasysh këtë qasje të Serbisë.

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Kosova ka nevojë për zgjerimin e BE-së.

Ai përmendi problemet që Serbia po ia shkakton Kosovës, duke provokuar dhe duke deklarauar se shteti serb nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel.

“Përndryshe është e ditur botërisht, se edhe Kosova si shtet i ri, ka nevojë urgjente për zgjerim të BE-së, sikur mos të kishte probleme të hapura me Serbinë, pasi që në kohën sa vazhdon agresioni rus në Ukrainë, edhe Kosova vazhdon të përballet me problemet që Serbia, përpiqet t’i shkaktojë në Kosovë, duke grumbulluar forcat ushtarake në kufijtë verior të vendit tonë, ndërhyrë pareshtur në çështjet e brendshme të shtetit të Kosovës dhe deklaruar publikisht edhe me letrën e fundit të Qeverisë serbe drejtuar BE-së, se Serbia përveçse nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, nuk njeh as integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi analisti.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Sipas Qarrit, letra e fundit e Serbisë drejtuar Bashkimit Evropian është një akt shumë i rrezikshëm.

Madje, deklaron në vazhdimësi se do e pengojë Kosovën dhe synimet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kështu që, Serbia me përsëritjen e deklaratave edhe në letrën qeveritare drejtuar BE-së, se nuk e njeh integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kjo përbën një akt shumë të rrezikshëm, që dëshmon publikisht, se ajo ka pretendime të hapura territoriale ndaj tokave të Kosovës, si dhe deklarata se ajo do të vazhdojë, ta pengojë edhe në të ardhmen, inkuadrimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, nuk na lejon neve si vend i atakuar në vijimësi prej saj, të besojmë se me gjithë thirrjet nëpër samite, do t’i kalojmë shpejtë as lehtë, këto probleme, të cilat nuk vijnë, me porosinë as dëshirën e Kosovës”, theksoi ai.

Më tej, analisti kërkoi që BE dhe SHBA të marrin masa ndaj Serbisë, ku tha se veprimet e fundit të shtetit serb përbëjnë rrezik serioz për vendin tonë.

“Prandaj, në mënyrë që edhe rajoni të jetojë më i qetë, BE dhe SHBA, nuk duhet t’i kalojnë në heshtje të gjitha këto dhe t’i lejohet Serbisë fashiste, që Kosovën, ajo ta kontestojë edhe si shtet të pavarur, ngase deklarata të tilla nuk mund të pranohen më, as ta lënë të qetë Kosovën, përderisa përbëjnë rrezik serioz për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tone”, nënvizoi Qarri.

Në fund, shtoi se duhet të ndërpritet agresioni serb, derisa përmendi opsionin më të mire dhe më me interes për Kosovën.

“Dhe nëse nuk ndërpritet urgjentisht kjo formë agresioni e konglomeratit serb, që nga Vuçiqi, Vulini, Daçiqi,e deri te Millorad Dodiku në Bosnjë, bashkimi i Kosovës në një federatë apo konfederatë me Shqipërinë, mbetet opsioni i vetëm, më i mirë e më i sigurtë dhe me interes jetik për Kosovën, siç do të ishte edhe përgjigja më e duhur, ndaj qëndrimeve kontroverse të BE-së dhe SHBA-ve, sa u takon qëndrimeve gjithnjë e më agresive të Serbisë, në raport me Republikën e pavarur dhe shtetin e lirë të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat