Dje në Serbi, sot në Kosovë/ Bytyçi flet për vizitën e Lajçakut: Ja çka do të kërkojë nga kryeministri Kurti!

Politika

Dje në Serbi, sot në Kosovë/ Bytyçi flet për vizitën e Lajçakut: Ja çka do të kërkojë nga kryeministri Kurti!

Nga: A.M. Më: 30 janar 2024 Në ora: 08:02
Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak, do të vizitojë sot Kosovën pasi që dje ishte në Beograd.

Miroslav Lajçak në Prishtinë pritet të takohet me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

Ende nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Vlen të theksohet se kjo është vizita e parë e Lakçakut në Kosovë për vitin 2024, derisa mandatit të tij po i afrohet fundi.

E këtë vizitë të Lajçakut e ka komentuar profesori Enver Bytyçi.

Së pari, ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se këto vizita janë të zakonshme, derisa tha se Lajçak erdhi për të marrë mendimet e Kurtit dhe Vuçiqi në ldihje me negociatat e zhvilluara ndërmjet Bislimit dhe Petkoviqit.

"Ecejaket e Miroslav Lajçak në Kosovë dhe në Serbi janë rutinë e punës së tij. Ai është ndërmjetës i Bashkimit Europian në dialogun midis këtyre dy vendeve dhe për këtë shkak ka detyrë funksionale të udhëtojë vazhdimisht në kryeqytetet përkatrëse për të afruar qëndrimet e palëve në bisedime. Sigurisht që udhëtimet e tij kushtëzohen ose diktohen nga bisedimet që bëjnë dy përfaqësueshit në dialog të Kosovës dhe të Serbisë, në të cilat duhen rekordime në nivelin më të lartë.

Shkurt Miroslav Lajçak ishte në Beograd dhe vjen në Kosovë për të marrë mendimin e Aleksandër Vuçiq dhe të Albin Kurtit lidhur me dialogun e zhviluar prej disa javësh në Bruksel midis zotit Bislimi dhe kreut të delegacionit serb. Me siguri që të deleguarit nuk kanë marrë përsipër të mbajnë qëndrim lidhur me disa çështje të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”, deklaroi profesori.

Bytyçi komentoi edhe takimin Lajçak-Vuçiq, derisa përmendi edhe “ankesat” e presidentit serb për Kosovën.

Image
Enver Bytyçi.

“Në Beograd presidenti i Serbisë zbuloi se çfarë Beogradi la në axhendën e tij në procesin e dialogut. Ai tha se kërkon të formohen asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të mos krijohen “provokime” nga ana e qeverisë së Kosovës. D.m.th se Lajçak dhe Vuçiq kanë diskutuar në këtë frymë.

Por ne nuk e dimë nëse ata të dy janë në të njëjtën valë mirëkuptimi. Nuk e dimë, nëse Lajçak e Vuçiq mendojnë së bashku se “Albin Kurti provokon”, dhe se kryeministri i Kosovës “është pengesë” për asociacionin. Me siguri që Vuçiq i është ankuar zotit Lajçak për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, siç edhe e shkruan kushtetuta e vendit. Nuk e dimë pra, sa kryenegociatori europian është karikuar në Beograd me kasetën e “fajeve” të Kosovës në këtë dialog”, theksoi ai.

Më tej, profesori vlerëson se Lajçak në Kosovë do vjen i ndikuar nga Beogradi, dhe udhëzimet që i ka marrë të Vuçiqi, do i prezantojë si “rekomandime” të Brukselit.

“Por duket qartë se ai vjen në Kosovë me një axhendë të ndikuar nga Beogradi. Kjo ka ndodhur vazhdimisht në diplomacinë lëvizëse të Lajçak. Ai ka marrë “kasetën e zezë” te Vuçiq e madje edhe te Radoiçiq i Listës Serbi para një ose dy vitesh dhe pastaj ka shkuar në zyrën e zotit Kurti për t’i zbrazur në formën e një opsioni të mendimit të BE-së. Ajo që unë kam vënë re pra ka të bëjë me faktin se Lajçak i merr udhëzimet në Beograd dhe i sjell në Prishtinë si “rekomandime” të Brukselit. A do ta bëjë këtë truk edhe kësaj radhe? Të shohim! Por jam i sigurt se ndikimi i sindromit serb të Vuçiqit do të shfaqet në bisedimet me kryeministrin e Kosovës”.

Krahas kësaj Bytyçi bëri të ditur edhe çështjet të cilat pritet të diskutohen mes Lajçakut dhe udhëheqësve të vendit tonë, ku natyrisht në qendër të diskutimeve do jetë edhe Asociacioni dhe aneksi i Ohrit.

Madje, ai përmendi disa kërkesa që Lajçak pritet t’ia parashtrojë Kurtit e Bislimit.

“Zoti Lajçak do të takojë sërishmi zotin Bislimi, por edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të diskutojë si gjithnjë rreth dialogut. Do të kërkojë implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Do të kërkojë që Kosova të krijojë asociacionin dhe të heq dorë nga vendimi i Bankës Qendrore për të larguar nga qarkullimi në tregti dhe banka të dinarit të Serbisë. Mund të bëjë dhe kërkesa të tjera lidhur me organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës, etj. Të gjitha këto janë në rend dite dhe sigurisht që janë edhe në axhendën e shefit të dialogut Kosovë-Serbi”, potencoi profesori.

Ndër të tjera, ai shtoi se Lajçak do të tentojë me çdo kusht ta bindë Kurtin që t’i pranojë kërkesat e tij.

Mirëpo, Bytyçi vlerësoi se është në cilësinë e diplomatëve të gënjejnë për të kapë ndonjë “trofe të pamundur”, por që sipas tij është detyrë e Kurtit që të mos bie pre e mashtrimit të Lajçakut.

“Problemi mbetet se si do të reagojë pala e Kosovës. Çfarë do të thotë e do të bëjë kryeministri Kurti! A do të tërhiqet një ditë para nga anulimi i vendimit për dinarin serb? A do t’i përvishet punës për të krijuar asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë? A do të pranojë që t’i shkarkojë kryetarët jo serbë të zgjedhur në katër komunat e veriut? Pra, si do të pozicionohet zyrtarisht zoti Kurti pikërisht për këto çështje? Lajçak do të përpiqet ta bindë zotin Kurti të pranojë zbatimin e përpiktë e sa më shpejt të të gjitha pikave që thashë më lart. Do të përdorë rrezikun rus dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit si kusht dhe detyrim për të pranuar lëshimet e kërkuara nga Beogradi.

Por cili është ose do të ishte interesi i Kosovës? Interesi i Kosovës është e duhet të mbetet nënshkrimi dhe zbatimi nga ana e Beogradit të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Por këtë e refuzon presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, Lajçak do të përpiqet që ta bindë Kurtin, duke i thënë se nga Vuçiq ka garanci për zbatimin e marrëveshjes. Sepse është në cilësinë e diplomatëve të gënjejnë për të kapë ndonjë trofe të pamundur. Premtojnë gjëra që nuk janë as në tagrin, as në dorën e tyre. Por ata atë detyrë kanë, të të mashtrojnë, siç mashtruan p.sh Hashim Thaçin. Është detyrë e kryeministrit Kurti të mos mashtrohet. Dhe unë besoj shumë se ai nuk mashtrohet. Nëse Albin Kurti bën diçka, kjo do të thotë se është i vetëdijshëm për atë që bën. Nuk bën asgjë nga naiviteti”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat