Kosova përball presionit ndërkombëtar/ Vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit në përputhje me Kushtetutën

Politika

Kosova përball presionit ndërkombëtar/ Vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit në përputhje me Kushtetutën

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 janar 2024 Në ora: 20:16
Foto ilustrim

Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës lëshoi një rregullore, e cila kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë, të bëhen me euro.

Rregullorja e miratuar nga BQK-ja, që nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin, është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar vendeve të QUINT-it ta respektojnë vendimin e Bankës Qendrore, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës të premten vonë.

“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.

Kurse, nga ana tjetër ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Ata përmes një deklarate të përbashkët, thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik".

"Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Statovci: Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë këtë çështje

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se euro është valuta e vetme për Kosovë dhe se kjo nuk duhet të interpretohet nga askush si cenim i të drejtave të pakicave.

Image
Jeta Statovci

“Kosova mban lidhje të vazhdueshme komunikimi me vendet e QUINT-it, dhe ka raste kur palët nuk janë të të njëjtit mendim. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë këtë çështje dhe unë si deputete e Kosovës nuk mund të them diçka jashtë përcaktimeve kushtetuese.

Euro është valuta e vetme për Kosovë. Kjo nuk duhet të interpretohet nga askush si cenim i të drejtave të pakicave. Politikat nga BQK për të ruajtur integritetin financiarë në vend dhe kontrollin mbi qarkullim e parasë, janë detyrime me ligj për institucionin përgjegjës”, deklaron ajo.

Bellaqa: Nuk duhet të qarkullojnë kartëmonedhat tjera si mjete pagese e në këtë rast dinari i Serbisë

Image
Jakup Bellaqa

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, për “Bota sot”, thotë se kjo çështje është e përcaktuar edhe në paragrafin: 11, duke theksuar se në Kosovë, si mjete pagese duhet të qarkullojë vetëm një monedhë e që është aplikuar nga Eurozona, monedha euro.

“Kosova si shtet dhe si shoqëri është përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut, ku edhe në Kushtetutën e Kosovës, theksohet në nenin: paragrafin: 11, se në Kosovë, si mjete pagese duhet të qarkulloj vetëm një monedhë e kjo monedhë është aplikuar nga Eurozona, monedha euro, dhe nuk duhet të qarkullojnë kartëmonedhat tjera si mjete pagese e në këtë rast dinari i Serbisë, kjo monedhë është duke u përdorur në komunat ku jeton komuniteti serb në katër komunat ku dominojnë serbët”, thotë ai.

Sipas tij, ne si shtet duhet të shtrijmë sovranitetin ekonomik në tërë Kosovën, duke shtuar se BQK-ja, duhet të argumentojë dhe ta luajë rolin e vetë në mënyrë të ligjshme, sepse kjo i shkakton humbje me miliona euro ekonomisë së Kosovës,

“Kjo është e padrejtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe ne si shoqëri dhe si shtet duhet të shtrijmë sovranitetin ekonomik në tërë Kosovën, dhe BQK-ja, duhet që të argumentojë dhe ta luajë rolin e vetë ligjshme, sepse kjo i shkakton humbje me miliona euro ekonomisë së Kosovës, dhe gjithashtu duhet të veprojë edhe Qeveria e Kosovës, në këtë rast me urgjencë përmes instrumenteve dhe kompetencave të veta ligjore dhe ta vë në kontrolle ekonominë kombëtare, ku proceset ekonomike të shkojnë në rrjedhën e vetë dhe normale duke e forcuar liritë ekonomike”, përfundon ai.

Të hënën, Ambasadori amerikan i Prishtinës, Jeffry Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro në Kosovë.

Në një deklaratë për mediat pas takimit, Hovenier tha se SHBA pranon plotësisht kushtetutën dhe vendimet e institucioneve të Kosovës,  por ai e cilësoi këtë si një rast të veçantë që mund të ketë pasoja që s’janë menduar.

“Ajo që ne po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë, është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë, për t’u siguruar që i kanë bërë të gjitha përgatitjet, për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht”, tha Hovenier.

Në të njëjtën kërkesë janë bashkuar të gjitha vendet e QUINT-it duke argumentuar se pezullimi do të mundësonte një periudhë të mjaftueshme tranzicioni për komunikim të qartë dhe efektiv publik.

Vendimi i Bankës qendrore i cili pritet të hyjë në fuqi në 1shkurt përjashton përdorimin e dinarit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kjo do të prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e përditshme të shumicës së serbëve të veriut që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat