Pse dronët Bajraktar, raketat Javelin dhe marrëveshja ushtarake me Turqinë po tmerrojnë Serbinë? “Përkrahja e SHBA-së është mesazh për...”

Politika

Pse dronët Bajraktar, raketat Javelin dhe marrëveshja ushtarake me Turqinë po tmerrojnë Serbinë? “Përkrahja e SHBA-së është mesazh për...”

Nga: N. Shaqiri Më: 30 janar 2024 Në ora: 22:42
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Republika e Kosovës, ka filluar vrullshëm të forcojë Ushtrinë.

Pas blerjes së dronëve Bajraktarë nga Turqia, dhe raketave Javelin nga Amerika, Kosova ka arritur edhe një marrëveshje me Turqinë.

Edhe këtë herë, është e fokusuar Kosova në industrinë e armëve.

Pra, Turqia është shteti i radhës, nga e cila Kosova do të furnizohet me armë të sofistikuara.

Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci i cili tregoi se kanë arritur marrëveshje ushtarake me shtetin turk.

Për këtë çështje, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, me vet faktin që Kosova tani e ka ushtrinë e saj, është e kuptueshme që jemi edhe shtet i pavarur.

Tërnava përmend që Kosova tashmë merr pjesë në shumë ushtrime ndërkombëtare me ushtritë e shteteve mike si dhe me forcat e NATO-s.

“Në bazë të kësaj është e kuptueshme se tani ushtria jonë është në hap me kohën, dhe gjithsesi se duhet të furnizohet me armatimin më modern që i përgjigjet kohës”, thotë Tërnava.

Ai përmend në veçanti dronët për të cilët thotë se luajnë një rol të fortë luftarak dhe përbëjnë një rrezik të fortë ndaj kujt përdoren, prandaj prania e dronëve si pjesë përbërëse e ushtrisë tonë, kundërshtarëve iu jep të nënkuptojnë seriozitetin dhe aftësinë e ushtrisë të FSK-së.

“Tani ushtria jonë nuk mund të nënçmohet si ushtri, dhe çdo shtet që ka pretendime ndaj shtetit tonë, e ka të qartë se Kosova e ka ushtrinë dhe policinë e saj të përgatitur për mbrojtjen e kufijve të shtetit”, potencon eksperti.

Ai shton se, ushtria e Kosovës e cila po pajiset me armët më të sofisikuara ushtareke është një tregues tjetër që flet se Kosova po futet në një fazë të re të zhvillimit, kur seriozisht duhet të përgatitet dhe të armatoset për shkak të kërcënimeve të vazhduese në fqinjësi me Serbinë, pavarësisht se siguria e kufijve të shtetit të Kosovës garantohet dhe sigurohet nga NATO.

“Kosova bleu dronët Bajraktarë nga Turqia, raketat Javelin nga ShBA dhe tani marrëveshja me Turqinë erdhi në kohën kur politika në rajon e botë po militarizohet sërish. Sa është e pritshme që Kosova, duke e forcuar ushtrinë e saj me mjete të sofistikuara moderne luftarake me qëllim të mbrojtjes së shtetit, ta shkurtojë edhe rrugën e anëtarësimit për në NATO, sepse pajisjet e një ushtrie profesionale dhe të mirë trajnuar e pajisur sipas standardeve moderne janë një nga kriteret për anëtarësim dhe bashkim me aleancën e NATO-s”, thotë Tërnava.

Sipas tij, armatimi me armë moderne për një ushtri të tillë sikur që është FSK, është një frikë për ato shtete që janë armiqësisht të orientuara ndaj shtetit tonë.

“Me sa më shumë armatim modern që të furnizohet ushtria jonë, për aq më shumë shtetet armike do të qëndrojnë më në distancë nga ushtria jonë, e sidomos kur e kemi parasysh që edhe KFOR-i, si pjesë përbërëse e NATO-s, na i garanton kufijtë tonë, dhe tani e tutje FSK në rrugëtimin e saj të përditshëm së shpejti do t’i bashkëngjitet NATO-s si pjesë përbërëse e saj”, shton ai.

Ai pohon se, përkrahja amerikane, është mesazh për botën se Kosova është mike e garantuar e ShBA-së.

“Në të ardhmen gjithnjë kjo miqësi do të jetë e garantuar dhe e përjetshme, dhe e ngjashme si me Izraelin që i qëndron gjithnjë pranë ShBA, prandaj politikat tona duhen gjithnjë të jenë në harmoni me politikat amerikane si mik i përhershëm edhe në të ardhmen, edhe fqinjët tanë në të ardhmen do ta kuptojnë këtë realitet, dhe Kosova do ta ketë zhvillimin e saj në të ardhmen që edhe shtete tjera do t’ia kanë lakmi”, përfundon eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat